TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Janar 2025, 12:15

Propozimi i frikshëm i tkurrjes së Evropës: nga 27 në vetëm 10 vende anëtare

Shkruar nga Paolo Rossetti

Propozimi i frikshëm i tkurrjes së Evropës: nga 27 në

Hapat që mund të ndjekë Evropa në luftën tregtare ndaj SHBA-së...

Donald Trump ka një qëndrim në përgjithësi armiqësor ndaj BE-së, duke premtuar vendosjen e tarifave tregtare. Ndoshta jo ndaj të gjithëve, pasi ai ka shprehur simpati për kryeministren italiane Georgia Meloni.

Ndërkaq në kundërpërgjigje, drejtuesja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, thotë se Evropa duhet të fokusohet në të ardhmen tek tregtia me Kinën dhe Indinë. Këtë qasje e përkrah edhe Guliano Noci, zëvendës/rektor i Universitetit Politeknik të Milanos.

Propozimi i frikshëm i tkurrjes së Evropës: nga 27 në
Guliano Noci /

Po sipas tij, Brukseli duhet të mendojë edhe për Afrikën, një kontinent me një normë rritjeje potencialisht të lartë. Megjithatë, që të nisë të merret në konsideratë nga SHBA-ja, Evropa duhet të ndryshojë qeverisjen e saj: versioni aktual me 27 vende, anëtare nuk do ta lejojë kurrë atë të marrë vendimet e nevojshme për t’u vendosur mes lojtarëve kryesorë në skenën botërore. Ndaj sipas Nocit është më mirë një BE më e vogël, por më kohezive.

Trump premton të vendosë tarifa kundër Evropës, teksa Von der Leyen njofton se BE-ja është gati të bëjë më shumë biznes me Kinën dhe Indinë. A mos Brukseli po tregon muskuj, që në fakt nuk i ka?

Ky është efekti i parë pozitiv i rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan po e vendos botën në një udhëkryq, dhe pasoja e parë pozitive është kjo: më në fund, Evropa ka filluar të kuptojë se s’duhet të shohë vetëm nga Shtetet e Bashkuara. Mendoj se fokusimi drejt Lindjes është shumë pozitiv. Si një kontinent me suficit tregtar, ne duhet të diversifikojmë më shumë praninë tonë në tregjet e huaja.

Në cilat drejtime duhet të shohim?

Ne duhet të kthejmë kokën edhe nga jugu. Duhet të ndërtojmë themele të forta në atë që do të jetë kontinenti me normën më të lartë të rritjes në të ardhmen, Afrika, edhe pse mund ta kemi humbur tashmë garën: Kina është tashmë shumë e pranishme atje.

Si Evropë, çfarë tjetër mund t’u ofrojmë partnerëve si Kina dhe India apo të tjerëve? Von der Leyen po fokusohet tek teknologjitë e pastra dhe infrastruktura dixhitale. A është kjo rruga e duhur?

Ndërsa afrohemi më shumë me Kinën dhe Indinë, duhet të kujtojmë se janë vende me një masë kritike shumë të rëndësishme, ndaj negociatat me to do të jenë shumë të vështira. Së pari, duhet të promovojmë faktin që jemi një treg interesant; që pa ne, Kina do të gremisej.

Pastaj po ecim mirë në disa teknologji të pastra (sigurisht jo tek fotovoltaikët, ku kinezët po na mposhtin). Së fundi, kemi produkte si luksi dhe agroushqimore të cilat janë shumë interesante. Kina është përpara nesh në shumë teknologji, por jo në të tjerat. Është një lojë e vështirë, por mund të luhet, sidomos nëse Evropa mbetet e bashkuar. Nëse nuk ka unitet, do e humbasim lojën si me Kinën, ashtu edhe me Indinë.

Po me Afrikën, si duhet të sillemi?

Ne mund të jemi motori që kontribuon në zhvillimin e saj, nëse nuk do të sillemi si dikur: nuk mund të sofistikohemi shumë, duke u kërkuar “reforma”. Kur vijnë tek ne  kinezët ofrojnë mbështetjen e tyre, dhe nuk kërkojnë shumë në këmbim. Nëse shkon dhe pyet një afrikan për demokracinë, kjo është mënyra më e mirë për të mos u dëgjuar.

A është e nevojshme të rishikohet Marrëveshja e Gjelbër për të nxitur një rritje ekonominë më të madhe për ekonomitë evropiane?

Marrëveshja e Gjelbër duhet të rishikohet tërësisht. Qëndrueshmëria mjedisore mbetet një synim, por duhet të kemi edhe qëndrueshmëri ekonomike. Dhe për momentin nuk ka energji më të lirë se ajo e prodhuar nga nafta dhe qymyri. Ne jemi të detyruar të bëhemi realiste, duke e orientuar botën drejt qëndrueshmërisë mjedisore, por pa i rrënuar bizneset tona. Përndryshe, rrezikojmë të krijojmë një shkretëtirë industriale.

Po raportet me SHBA-në si do të jenë?

Besoj se marrëdhëniet përgjatë boshtit të Atlantikut, do të mbeten në një nivel të pranueshëm. Shumë gjëra do të varen nga ajo që do të ndodhë me Rusinë. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Evropën një bashkëbiseduese të natyrshme në kushte të caktuara. Nëse Rusia është e fortë, për të cilën ka ende nevojë për një zonë tampon, ose nëse Evropa rritet, nuk do të jetë më një enë prej balte mes poçeve prej hekuri si Kina dhe Shtetet e Bashkuara.

A do të mjaftonte politika ekonomike e përshkruar nga Von der Leyen për të forcuar Evropën, dhe për ta bërë atë një konkurrente të vërtetë ndaj dy gjigantëve botërorë?

Me sistemin aktual, Evropa nuk e prek dot asnjëherë topin në lojën globale. Që të përmirësohet, ajo duhet të ndryshojë qeverisjen, dhe për ta bërë këtë mund të mos jetë më me 27 vende anëtare. Me praninë e kaq shumë vendeve, ajo tregon dobësinë e saj: ka kaq shumë interesa të ndryshme, të cilat bëjnë që në fund Bashkimi Evropian të mos përfaqësojë asgjë.

Më mirë një Evropë me 10 anëtarë dhe kohezive. Do të ishte shumë më e rëndësishme. Ne duhet të ndërgjegjësohemi mbi ndarjet, dhe ta rinisim projektin me  një proces që funksionon mbi homogjenitetin, dhe që nuk përpiqet të sheshojë  dallimet, proces që s’mund të ndodhë brenda një periudhë afatshkurtër./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”

tkurrja e evropës lufta tregtare

Lini një Përgjigje