TAGS-AT E JAVËS

Forum16 Qershor 2025, 17:16

Plani i detajuar i së djathtës ekstreme për të shpërbërë BE-në

Shkruar nga Ángel Munárriz

 Plani i detajuar i së djathtës ekstreme për të

Një iniciativë nga grupet kërkimore hungareze dhe polake ka siguruar mbështetjen e Vox të Spanjës dhe forcave të tjera populiste për një program të detajuar për asgjësimin e institucioneve evropiane aktuale. Ai përmban 2 opsione: shpërbërjen e Bashkimit Evropian ose zëvendësimin e tij me një version më të reduktuar...

Opsioni A: Shpërbërje e Bashkimit Evropian. Opsioni B: Zëvendësimi i tij me një version më të reduktuar. Në të dyja rastet parashikohet zhdukja e BE-së aktuale. Që të dy “skenarët” përshkruhen në detaje në “The Great Reset” (Rivendosja e Madhe), një dokument i shkruar nga Instituti Ordo Iuris i Polonisë dhe Kolegjiumi Mathias Corvinus (MCC) i Hungarisë, i mbështetur nga Vox i ekstremit të djathtë në Spanjë dhe parti të tjera të së djathtës ekstreme.

Zakonisht e shprehur me një retorikë të paqartë kundër “burokratëve të Brukselit”, mbështetja e Vox për këtë raport, përfaqëson një hap dramatik përpara për partinë e tretë më të madhe politike në Spanjës.

“The Great Reset”, të cilin dy grupet e mendimit po e promovojnë si një udhërrëfyes për të djathtën ekstreme në shkallë evropiane, nuk është një deklarate e paqartë. Përkundrazi, përbën një plan të rregullt dhe të detajuar për ta asgjësuar BE-në aktuale.

Ndër efektet e Brexit-it, ka edhe një të papritur. “Mbështetësit e largimit nga BE-ja janë zhdukur” - shpjegon Anna López, doktoreshë në shkenca politike dhe autore e esesë ”E djathta ekstreme në Evropë”. Ekstremistët, thekson López, i kanë përvetësuar avantazhet e të qenit brenda BE-së për dy arsye: njëra ekonomike, sepse garanton “burime, dukshmëri dhe financim”; dhe tjetra, zgjedhore, sepse “kundërshtimi i idesë së Evropës politikisht dhe simbolikisht” është më i preferueshëm sesa lufta për t’u larguar prej saj.

Pra partitë në këtë grup, shton studiuesja, kanë zgjedhur ta lënë mënjanë retorikën e daljes nga blloku, dhe ta zëvendësojnë atë me nostalgjinë për një Evropë “të idealizuar” që mund të kishte qenë “e fortë, e begatë dhe e krishterë”, por që është shkatërruar - pohon e djathta ekstreme - nga sulmi i një burokracie të uzurpuar nga të majtët, si dhe nga emigracioni mysliman i dalë jashtë kontrollit.

Meqë retorika funksionon, detajet janë rrallë të nevojshme që të shtohen. Në politikë, detajet mund t’i trembin ata që pajtohen me idenë e përgjithshme. Megjithatë, “Rivendosja e Madhe” përbën një përjashtim nga rregulli i paqartësisë.

Po kush janë këto grupe ekspertësh, që kanë vendosur të përveshin mëngët për të kaluar nga shpalljet madhështore tek lëvizjet më praktike? Ato janë dy organizata të Evropës Qendrore. Ajo polake quhet Ordo Iuris, promotori i errët i “arkitekturës normative” të qeverisë së mëparshme të ultranacionalistëve të partisë Ligj dhe Drejtësi, duke përfshirë “autorësinë intelektuale” të ligjit të saj kufizues mbi abortin dhe “kriminalizimin e edukimit seksual” thotë antropologia Nuria Alabao, autore e “ Luftërat gjinore”.

I regjistruar si lobist pranë institucioneve të BE-së, Ordo Iuris mban kontakte me partitë ekstremiste si në Poloni - ku punon edhe me Konfederatën, të pozicionuar edhe më të djathtë të spektrit politik - por edhe në Francë, Itali dhe vende të tjera të BE-së.

Interesi i saj në Spanjë, ku ka qenë aktive dhe në kontakt me Vox që të paktën nga viti 2022, është më se i qartë. Ordo Iuris, ishte edhe një nga sponsorët e samitit kundër abortit të mbajtur në Senatin spanjoll dhjetorin e vitit të kaluar nën ombrellën e Rrjetit të Vlerave Politike, një grupim ndërkombëtar me rrënjë të forta spanjolle, sidomos me figurën e ish-Ministrit të Brendshëm spanjoll Jaime Mayor Oreja.

Ndërkohë Kolegjiumi Mathias Corvinus (MCC), shpjegon Anna López, është një fabrikë “elitash politike dhe intelektuale të lidhura me nacionalizmin jo liberal”, krijuar enkas për të ushqyer regjimin e Viktor Orbán. Ky është një model, të cilin Vox kërkon ta imitojë në Spanjë me mbështetjen e saj për qendrën ISSEP për trajnim dhe përhapje idesh.

Si Ordo Iuris ashtu edhe MCC ilustrojnë vendosmërinë e së djathtës ekstreme evropiane për të “konsoliduar një projekt kulturor, arsimor dhe strategjik transnacional”, vëren Anna López. Ky është themeli i “The Great Reset”, i cili bazohet në premisën se projekti evropian e ka braktisur ambicien e tij fillestar për të qenë një zonë e “tregtisë së lirë” dhe e “bashkëjetesës paqësore”, dhe është bërë një përbindësh i burokratizuar që synon të kastrojë sovranitetin kombëtar dhe të imponojë parimet majtiste.

Ordo Iuris dhe MCC ofrojnë dy alternativa. Më e detajuara, paraqitet nën moton “Rikthim tek Rrënjët” dhe synon ta sjellë BE-në - siç e shpjegon raporti - më afër modelit të saj embrional të vitit 1957, kur Gjermania, Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu dhe Holanda nënshkruan Traktatin e Romës, origjinën e Komunitetit Ekonomik Evropian. Ndryshimi i parë, do të jetë pakësimi i institucioneve evropiane. Komisioni Evropian do të transformohej në një “sekretariat të përgjithshëm” nën kontrollin e rreptë të shteteve anëtare.

Kjo ide, është në përputhje me atë të paraqitur më shumë se 5 vjet më parë nga Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen: reduktimi i KE-së në një “sekretariat administrativ pa një funksion vendimmarrës”.  Ky transformim, do të shënonte fundin e aftësisë së Komisionit për të ushtruar presion përballë atyre që i konsideronte si tendencat autoritare të partisë Ligj dhe Drejtësi në Poloni dhe Fidesz në Hungari.

Parlamenti Evropian do të transformohej në një asamble të përzier, të përbërë nga anëtarë të zgjedhur përmes zgjedhjeve evropiane dhe të tjerë të emëruar nga qeveritë kombëtare, me kompetenca këshillimore.

Ndërkohë, funksionet e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian (GJED) do të kufizoheshin në “zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, duke e lënë atë jashtë fushëveprimit të saj për të interpretuar traktatet apo për të anuluar vendimet gjyqësore në shtetet kombëtare.

I gjithë projekti, është në përputhje me një ide mbizotëruese: që asgjë s‘duhet të kufizojë qeveritë kombëtare, të cilat do të ruajnë të gjithë pushtetin. Këshilli Evropian, si “zëri i udhëheqësve kombëtarë”, do të ishte “autoriteti përfundimtar”. Madje mund të nxisë miratimin e ligjeve të reja për të përmbysur vendimet e GJED-së.

Ndryshimi i dytë, do t’i jepte fund modelit aktual të integrimit, duke e zëvendësuar atë

me një model “à la carte”, në të cilin secili shtet do të vendoste në cilat fusha dëshiron të qën rojë dhe në cilat jo. Për shembull, jo migracionit dhe burimeve të rinovueshme; po lëvizjes së lirë të punëtorëve. Secili shtet, mund të “përjashtojë veten nga politikat që bien ndesh me prioritetet e tij”.

Mbi të gjitha, BE-ja nuk duhet të ketë “asnjë ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë”, thuhet në dokument. Ashtu siç BE-ja po debaton se si ta përmirësojë vendimmarrjen për të konkurruar në një botë me ritëm të shpejtë, Opsioni A i raportit mbështet “forcimin dhe zgjerimin” e rregullit të “unanimitetit”.

Këtu qëndron edhe ndryshimi i tretë: më pak votime me shumicë të kualifikuara, dhe më shumë nevojë që të gjithë të veprojnë si një trup i vetëm për të ndërmarrë ndonjë veprim. Reforma e katërt dhe e fundit për t’u “Rikthyer tek Rrënjët”, do të ishte ndryshimi i emrit të BE-së në “Komunitetin Evropian të Kombeve”.

Që të gjithë këto, kanë të bëjnë me opsionin e parë të përshkruar në dokument. Sipas raportit, skenari i dytë është edhe më “i pazakontë”. Është ai që autorët e quajnë “Një Fillim i Ri”, i cili do të përbëhej nga “Një traktat i ri i Unionit” që e tejkalon “paradigmën e mesit të shekullit XX-të të ndërhyrjes dhe menaxhimit nëpërmjet masave rregullatore”.

Sipas këtij skenari, çdo shtet do të vendosë vetë se kur, si dhe në çfarë mase do të arrihet pjesëmarrja e tij në secilin projekt bashkëpunimi. Do të jetë e nevojshme të “negociohet struktura e detajuar e BE-së së re” dhe një “plan tranzicioni”.

Teksti u prezantua në Madrid më 22 maj në një aktivitet të promovuar nga Ordo Iuris, MCC Vox — përmes fondacionit të saj, Disenso — dhe Qendra për të Drejtat Themelore, e lidhur me Fidesz të Orbán. Mbështetja e Vox nuk është e para që marrin Ordo Iuris dhe MCC.

Raporti ka mbështetjen e Fidesz në Hungari dhe figurave më rëndësi nga partitë nga Ligj dhe Drejtësi dhe Konfederata në Poloni. Promovuesit e tij, përmes grupit Patriotët për Evropën - i treti më i madh në Parlamentin Evropian dhe të cilit i përket Vox - po përgatiten për një prezantim në Paris me praninë e Tubimit Kombëtar, dhe janë “në bisedime” me subjekte “në të gjithë Evropën”, përfshirë Qendrën Machiavelli, të lidhur me partinë Vëllezërit e Italisë të Giorgia Melonit, sipas një zëdhënësi të Ordo Iuris.

Raporti mbështetet edhe nga Fondacioni Heritage, që ka një ndikim të fuqishëm në lëvizjen Trumpiane, dhe që qëndron prapa Projektit 2025, një plan radikal i administratës aktuale, që ka ngritur dyshime edhe midis atyre pak të moderuarve që kanë mbetur ende në Partinë Republikane.

Ideja për Rivendosjen e Madhe, lindi në një konferencë të organizuar nga Fondacioni Heritage dhe Ordo Iuris në Varshavë në shtator të vitit të kaluar, për të studiuar se si mund të dukej Evropa në botën e parashikuar nga ndërkombëtarja nacionaliste. Kjo ide mbi të ardhmen e Evropës ka nisur të marrë formë./Pamfleti nga “El Pais”

plani i detajuar e djathta ekstreme shpërbërja e be

Lini një Përgjigje