TAGS-AT E JAVËS

Forum29 Qershor 2023, 20:10

Përse Berisha po i përgjërohet Safetit se nuk ka gisht tek shantazhi ndaj tij?

Shkruar nga Mero Baze

Përse Berisha po i përgjërohet Safetit se nuk ka gisht tek

Reagimi pas dy jave heshtje të sikletshme, pas provave që po dalin përditë në publik, tregon se Sali Berisha tani është i qartë se provat që po publikohen çojnë gjurmët e shantazhit në zyrën e tij.

Më në fund Berisha reagoi për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në inskenimin dhe shantazhimin e ish-kryebashkiakut të Kukësit përmes një skandali seksual. Këtë detyrë të vështirë ja kishte ngarkuar Edi Palokës meqë i përshtatet si karakter. Me një butësi të padëgjuar më parë prej gojës së tij ai shpjegoi se Edi Rama e ka gabim që fajëson Sali Berishën për atë skandal se Berisha nuk merret me këto punë por këtë mund ta ketë bërë vetë Edi Rama.

Thelbi i sqarimit të Berishës përmes Palokës në fakt kishte të bënte me një lloj frike se mos Safeti identifikon Berishën si njeriun që e ka shantazhuar. Dhe për këtë i bën atij thirrje të shikonte nga Edi Rama si pistë të mundshme të shantazhimit.

Reagimi i pazakontë tregon se Berisha po ndjen një valë hakmarrje dhe rreziku për atë që ka bërë dhe tani po kërkon të qëndrojë larg kësaj historie.

Nga mënyra se si shprehej zëdhënësi i tij ai dukej sikur po i përgjërohej Safetit se ai nuk është ngatërruar në këtë histori, madje nuk ka bërë as komente për skandalin seksual. Dhe të vetmin shpëtim që shikon nga një hakmarrje e mundshme është që t'ia kaloj topin Edi Ramës dhe të konsiderojë atë autor të këtij inskenimi.

Reagimi pas dy jave heshtje të sikletshme, pas provave që po dalin përditë në publik, tregon se Sali Berisha tani është i qartë se provat që po publikohen çojnë gjurmët e shantazhit në zyrën e tij. Publikimi i bisedës telefonike mes porositësit të regjistrimit dhe vajzës që u përfshi në këtë skandal, tregonte qartë se dhe vetë tutori i kësaj pune ishte i pafuqishëm përballë Berishës që të ndalte publikimin dhe i kërkonte vajzës të arratisej që atë ditë se nuk dihej se çfarë ndodhte të nesërmen.

E vetmja porosi e tij ishte që vetë vajza të shkonte “të takonte Salën”.

Tani në vend që ti përgjërohet Safetit, që nuk është i përfshirë, është më mirë të bëjë deklarata publike pse e ka takuar para dhe pas regjistrimit vajzën në fjalë në zyrën e tij, çfarë ka biseduar me të, përse porositësi i kasetës i thotë asaj të shkojë “të takojë Salën” që të shmangë publikimin dhe mbi të gjitha të shpjegojë raportin e tij me këtë vajzë, të cilën nuk e trajton si militante të zakonshme që e takon në rrugë e del në foto, por e ul në krye të zyrës dhe detyrohet të pozojë me të si njeri i marrë peng.

Këto sqarime ndoshta nuk i vlejnë shumë Safetit se ai tani e di të vërtetën, por mund ti vlejnë SPAK, që ta zbardhë më shpejt dhe më qartë ngjarjen. Pas kësaj mund të jetë dhe më i qetë, si bashkëpunëtor i drejtësisë, se sa jeton i shantazhuar si bashkëpunëtor i Almës dhe tutorit të saj kuksian.

mero baze berisha safet gjici

Lini një Përgjigje