TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Shkurt 2026, 10:40

Për kë bien sot kambanat? Nga një kujtim rinor, tek alarmi i sotëm për arsimin

Shkruar nga Prof. Mimoza Manxhari
Për kë bien sot kambanat? Nga një kujtim rinor, tek alarmi i
Foto Ilustruese

Gustav Meyer, me rigorozitet shkencor, ndershmëri intelektuale dhe përkushtim akademik, i dha Shqipërisë një nga dhuratat më të mëdha: dëshminë shkencore të identitetit të saj gjuhësor dhe historik.

Bashkëmoshatarët e mi e kujtojnë romanin e Ernest Hemingway-t “Për kë bien këto kambana”. Për mua, është një nga ato libra që nuk harrohen, pasi nuk fliste vetëm për ngjarje, por për ndërgjegjen njerëzore. Mesazhi i tij ishte i thjeshtë dhe tronditës: asnjë njeri nuk është një ishull më vete dhe për këtë arsye, çdo padrejtësi, çdo humbje, çdo rënie morale na përket të gjithëve. Kambanat nuk bien kurrë vetëm për një njeri. Ato bien për secilin prej nesh.

Sot, ky titull më rikthehet me forcë në mendje, teksa lexoj lajmin për mësuesin e gjuhës angleze në Tiranë që predikonte besimin e Dëshmitarëve të Jehovait në shkollë, Sepse kjo nuk është thjesht një shkelje profesionale apo një devijim individual.  Është maja e një ajsbergu, shumë më të thellë dhe më të rrezikshëm: Erozioni sistemik i arsimit tonë.

Akti i tij, në thelb, nuk është problem personal. Është problem strukturor, institucional dhe shoqëror.

Kur një fenomen i tillë ndodh brenda shkollës, hapësira që do duhet të jetë më e mbrojtur, më profesionale dhe më e përgjegjshmja,  nuk kemi më të bëjmë me një rast të izoluar, por me një simptomë alarmante të një sëmundjeje më të gjerë.

Kur arsimi humbet busullën, shkollimi vetë, përhumbet

Në një sistem ku përgatitja akademike e mësuesve dobësohet dhe degët e mësuesisë boshatisen, cilësia njerëzore dhe etika e profesionit bie. Për më tepër, kur kontrolli institucional reduktohet në formalitet, shkolla humbet mburojën e saj natyrore: kompetencën dhe përgjegjësinë profesionale.

Në këto kushte, ajo shndërrohet në hapësirë të pambrojtur, ku mund të depërtojë gjithçka: ideologji, bindje personale, nevoja psikologjike individuale, manipulim emocional, konformizëm, frikë, mediokritet.

Nxënësit nuk përballen më me dije, por me ndikim.

Dhe ndikimi, kur nuk filtrohet nga profesionalizmi dhe etika, bëhet më i rrezikshëm se padija vetë.

 Mësuesi: transmetues informacioni apo formues njeriu?

Mësuesi nuk është thjesht shpërndarës i përmbajtjes mësimore. Ai është formues i mendimit kritik, i karakterit, i gjykimit moral dhe i lirisë intelektuale.

Prandaj, kur ky rol i dorëzohet njerëzve të papërgatitur profesionalisht, individëve pa etikë akademike, apo strukturave pa kontroll real, arsimi pushon së qeni proces emancipimi dhe shndërrohet në mekanizëm deformimi të vetëdijes.

Ky nuk është thjesht dështim arsimor. Është dëmtim i drejtpërdrejtë i formimit të njeriut dhe qytetarit.

Kambana e heshtur e rrezikut

Kur dobësia profesionale bashkohet me mungesën e kontrollit institucional, krijohet një terren i rrezikshëm ku ndikimi mbi nxënësin nuk udhëhiqet më nga dija, por nga rastësia, subjektivizmi dhe shpesh nga nevoja apo interesat personale.

Në çdo fushë tjetër, kjo do të sillte pasoja serioze.

Por në arsim, pasojat janë thellësisht shkatërruese, sepse nuk prekin thjesht një produkt apo një proces teknik, por formimin mendor, etik dhe qytetar të brezave.

Dëmi nuk është i menjëhershëm, por i ngadalshëm, i heshtur dhe i thellë. Ai shfaqet vite më vonë në mënyrën si mendojmë, si gjykojmë, si reagojmë dhe si bashkëjetojmë si shoqëri.

Frika, formaliteti dhe humbja e përgjegjësisë institucionale

Prindërit ngritën alarmin. Dhe me të drejtë.

Por pyetja thelbësore është: ku ishin institucionet?

Fatkeqësisht, gjithnjë e më shpesh, ato mjaftohen me të qenit burokratikisht korrekte, jo etikisht dhe profesionalisht të përgjegjshme.

Këtu na shfaqet rrethi vicioz i shkakut me pasojën:

Paaftësia dhe dobësia profesionale nuk janë thjesht dështime individuale. Ato krijojnë frikë nga gabimi dhe padija dhe kjo frikë lind formalitet dhe burokraci, duke mbytur gjithçka që mund të krijonte përgjegjësi reale.

Institucionet, që duhet të jenë mburojë e dijes dhe etikes, gjithnjë e më shumë po mbysin me procedura dhe forma, duke humbur mundësinë për të vepruar me profesionalizëm, vëmendje dhe integritet.

Në çdo fushë tjetër, kjo do të ishte problem serioz.

Por në arsim, pasojat janë katastrofike, sepse godasin formimin mendor, etik dhe qytetar të brezave.

Kontrollohen dokumentet, jo realiteti.

Respektohen procedurat, por misioni mbetet i paplotësuar.

Plotësohen formularët, ndërgjegjja nuk ushqehet.

Kjo është një nga sëmundjet më të rënda të administrimit modern: kur procedura merr vendin e përgjegjësisë dhe hesht çdo zë i ndërgjegjes.

Arsimi: përgjegjësi e përbashkët, por jo e shpërndarë

Po, arsimi është përgjegjësi e familjes, e shoqërisë dhe e institucioneve. Por kjo nuk do të thotë shpërndarje e fajit. Përkundrazi, do të thotë rritje e përgjegjësisë institucionale.

Institucionet ekzistojnë pikërisht sepse familja dhe shoqëria nuk mund të garantojnë standard profesional, etik dhe shkencor.

Kur ato tërhiqen pas burokracisë, ato braktisin rolin e tyre historik: ruajtjen e besimit publik dhe mbrojtjen e misionit të arsimit.

Nga Gustav Meyer te arsimi shqiptar sot: një kontrast që flet vetë

Gustav Meyer, me rigorozitet shkencor, ndershmëri intelektuale dhe përkushtim akademik, i dha Shqipërisë një nga dhuratat më të mëdha: dëshminë shkencore të identitetit të saj gjuhësor dhe historik.

Ai përfaqëson respektin për dijen, seriozitetin kërkimor dhe dinjitetin akademik.

Ndërsa sot, raste si ky na përballin me konfuzion profesional, dobësim standardesh dhe kolaps të kontrollit institucional.

Ky kontrast nuk është rastësor. Ai është simbolik dhe thellësisht alarmues.

Rreziku i vërtetë

Rreziku më i madh nuk është një mësues që predikon. Rreziku është një sistem që nuk arrin më të reformojë, kontrollojë dhe mbrojë misionin e arsimit. Nëse kjo prirje vazhdon, do të prodhojmë breza që: mendojnë më pak, pyesin më pak, kuptojnë më pak dhe binden më shumë.

Dhe kjo nuk është thjesht krizë arsimore. Është regres shoqëror dhe njerëzor.

Dhe në fakt për kë bien kambanat sot?

Me sa ndava me ju në këtë reflektim, nuk synoj aspak t’i vë gishtin ndonjë fajtori individual, i cili e gjen veten në arsim ndoshta larg dëshirës, por nga nevoja për bukën e gojës.

Ajo që synoj është ndërgjegjësimi institucional dhe shoqëror, sepse arsimi nuk është dhe nuk duhet trajtuar si një sektor administrativ.

Arsimi është projekti më serioz që ka një shoqëri për të ardhmen e saj.

Ndaj, çdo neglizhencë, apo më keq, çdo kompromis me cilësinë, etikën dhe profesionalizmin në arsim, është kompromis me vetë fatin e shoqërisë.

Hemingway na mësoi se kambanat bien për secilin prej nesh, pasi  çdo heshtje, çdo dorëzim, çdo shmangie nga përgjegjësia, bëhet pjesë e peshës morale që mbart shoqëria.

Ndërsa Gustav Meyer na tregoi se respekti për dijen, rigoroziteti shkencor dhe ndershmëria intelektuale mund të ndërtojnë identitet, dinjitet dhe vetëdije kombëtare.

Midis këtyre dy shtyllave: - Ndërgjegjes njerëzore dhe dinjitetit të dijes  qëndron arsimi.

Dhe pikërisht kjo është sot sfida jonë më e madhe shoqërore: nëse do të zgjedhim të mbrojmë shkollën si hapësirë të mendimit të lirë, dijes së vërtetë dhe përgjegjësisë morale, apo do ta lejojmë të rrëshqasë në formalizëm, konformizëm dhe boshllëk etik.

Pyetja  e Hemingway-t mbetet gjithmonë e hapur:

Për kë bien kambanat?

Dhe përgjigjja është po aq e qartë sa edhe e vështirë:

Ato bien për ne. Për mënyrën se si zgjedhim të arsimojmë, të formojmë dhe të mbrojmë brezat që vijnë.

arsimi kembane alarmi

Lini një Përgjigje