Bisedimet e fundit në Abu Dhabi kanë nxitur një optimizëm të matur për arritjen e një marrëveshjeje brenda pak javësh, mes sinjaleve se Moska mund të pranojë garancitë perëndimore të sigurisë. Megjithatë, kjo paqe mund të kërkojë lëshime të dhimbshme territoriale nga Kievi, duke i dhënë Putinit mundësinë të shpallë një fitore historike në Donbas.
Në Abu Dhabi zhvillohet sot raundi i radhës i bisedimeve të paqes për Ukrainën. Edhe pse është ende e vështirë të jesh optimist, një diplomat britanik - zakonisht pesimist - e pranoi me kujdes se “të paktën po shfaqet një ide se si mund të duket një marrëveshje e mundshme”.
Në pamje të parë, është e vështirë të gjesh arsye për optimizëm lidhur me fundin e një lufte që ka lënë rreth 1.2 milionë ushtarë rusë dhe afro 600 mijë ukrainas të vrarë, të plagosur ose të zhdukur, sipas një studimi të publikuar javën e kaluar.
Një armëpushim i fundit dhe i kufizuar mbi infrastrukturën energjetike - ku Kievi dhe Moska ranë dakord të ndalonin sulmet mbi objektet energjetike të njëri-tjetrit - nuk solli rezultat.
Përkundrazi, Rusia e shfrytëzoi për të grumbulluar dronë dhe raketa, të cilat i përdori në një sulm masiv të martën, me 450 dronë dhe 71 raketa, duke lënë pa ngrohje mbi 1.000 pallate në Kiev, ndërkohë që temperaturat ranë nën -20°C.
Megjithatë, për momentin të gjitha palët po shfaqin një optimizëm të ri, edhe pse të matur. Madje është e mundur që një marrëveshjeje në parim të arrihet brenda pak javësh. Nëse bisedimet nuk marrin hov, ka gjasa që të ndërpriten fare dhe do të duheshin muaj për të nisur një proces të ri.
Këto bisedime janë tripalëshe, me Rusinë, Ukrainën dhe SHBA-në që ulen rreth së njëjtës tryezë. Por gjatë fundjavës, i dërguari i Vladimir Putinit, Kirill Dmitriev, u takua në Florida me Steve Witkoff, të dërguarin e paqes të Donald Trumpit.
Sipas burimeve ruse, Dmitriev mund ta ketë përdorur atë takim për të përcjellë pranimin me kusht nga Moska të garancive perëndimore të sigurisë për Ukrainën. Ky do të ishte një çmim i mjaftueshëm për të shtyrë për më vonë bisedimet më të gjera, të cilat ishin planifikuar të nisnin të dielën.
Fakti që ishte SHBA-ja ajo që e kërkoi vonesën, është shumë domethënës. Vendosmëria e Trump-it ndaj Iranit dhe gatishmëria e tij për të lënë të skadojë traktati i fundit i kontrollit të armëve bërthamore SHBA-Rusi, New START, duket se e ka vendosur Moskën në një pozicion më të përqendruar dhe pajtues.
Edhe pse rusët pretendojnë se nuk e vlerësojnë traktatin, ai qartazi e shqetëson Putinin, duke pasur parasysh aftësinë e SHBA-së për të rritur me shpejtësi prodhimin bërthamor nëse dëshiron.
Çfarë mund të pritet nga bisedimet?
Raportime të pakonfirmuara, sugjerojnë se garancitë e propozuara të sigurisë përmbushin pjesërisht shqetësimet e të dyja palëve. Vendosja e paqeruajtësve të udhëhequr nga Britania dhe Franca, duket se është braktisur në favor të një reagimi me faza.
Sipas këtij modeli, çdo agresion i ri rus do të përballej fillimisht nga Ukraina, më pas nga forcat e koalicionit të vullnetarëve. Dhe nëse Moska nuk tërhiqej brenda 72 orësh, do të pasonte një reagim më i gjerë i NATO-s, që do të përfshinte edhe trupat amerikane.
Putin ka kundërshtuar vazhdimisht çdo ide për praninë e forcave perëndimore në Ukrainë, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkon që lloji dhe shkalla e çdo asistence direkte të përcaktohen qartë.
Premtimet e përgjithshme për një garanci të ngjashme me Nenit 5 të NATO-s janë refuzuar, pasi ky nen është më i paqartë nga sa supozohet shpesh: ai flet vetëm për një reagim “të duhur” nga anëtarët, por pa specifikuar se çfarë nënkupton kjo.
Një këshilltar i lartë i politikës së jashtme ukrainase i tha gazetës The I Paper: “Me gjithë respektin që kemi për aleatët tanë, ne nuk mund ta bazojmë sigurinë tonë të ardhshme në shpresën se ata do të mendojnë se një reagim ‘i duhur’ do të thotë ndërhyrje ushtarake, jo lutje dhe fjalë mbështetëse.”
Pengesat kryesore
Putin kërkon që pjesa e mbetur prej një të pestës së rajonit të kontestuar të Donjeckut të kalojë nën kontrollin rus, në mënyrë që të mund të pretendojë se ka “çliruar” të gjithë territorin simbolikisht të rëndësishëm të Donbasit.
Zelensky i reziston fuqishëm kësaj, nga frika se një lëshim i tillë do ta vendoste Rusinë në një pozicion më të favorshëm për të rinisur pushtimin në të ardhmen.
Edhe pse është diskutuar çmilitarizimi i rajonit, kjo nuk e zgjidh shqetësimin e Ukrainës se Rusia mund ta rimilitarizojë shumë shpejt.
Megjithatë, nëse ky është çmimi për garanci më të forta të sigurisë, që do të përfshinin një reagim të drejtpërdrejtë të NATO-s, Kievi mund ta konsiderojë të pranueshme. Sidomos nëse Trump ushtron presion mbi Zelenskyn për ta mbyllur luftën sa më shpejt.
Burimet ruse sugjerojnë, se për sa kohë që anëtarësimi i Ukrainës në NATO përjashtohet dhe disa sanksione hiqen gradualisht, ata mund ta shohin këtë si bazë për një marrëveshje paqeje. Kjo do t’i linte Rusisë kontrollin mbi Donbasin dhe territoret e pushtuara, por jo më shumë se kaq.
Çdo lëshim territorial do të ishte faktik, jo ligjor. Edhe pse Putin mund të tentojë ta bindë Trumpin të pranojë aneksimin e Krimesë. Kjo nuk do të kërkonte ndryshime kushtetuese në Ukrainë, të cilat duhen miratuar me referendum.
Kievi mund të mbajë ende pretendimin zyrtar mbi ato territore, për sa kohë që angazhohet të mos i rimarrë ato me forcë.
Çështjet e hapura
Edhe nëse bihet dakord mbi pikat kryesor, mbeten ende pyetje të vështira: kush do të përcaktojë kufirin e ri de facto? Kush do të monitorojë armëpushimin? A do të marrë Ukraina një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit në BE?
Trump duket i gatshëm që ta premtojë këtë në emër të Brukselit, pavarësisht se Kancelari gjerman Friedrich Merz e kundërshtoi hapur javën e kaluar. Nëse arrihet një marrëveshje, Putin do ta shpallë si një fitore historike, ndërsa elita ruse, e vetëdijshme për përkeqësimin e ekonomisë, do të marrë frymë e lehtësuar.
Nga ana e tij, Trump do të mund të shpallte se ka përmbushur një nga premtimet kryesore të fushatës: t’i japë fund luftës në Ukrainë. Ai do të kërkonte sërish Çmimin Nobel për Paqe, të cilin e ka dëshiruar prej kohësh, duke e paraqitur marrëveshjen si një arritje personale.
Sa për Zelenskyn, edhe pse rrezikon të shihet si “kokë turku” për çdo lëshim që do të detyrohej të bënte, ai do të kishte fituar paqen dhe mundësinë që Ukraina të rindërtohej si një demokraci sovrane me orientim perëndimor.
Një marrëveshje e tillë, sado e vështirë që duket, do t’i hapte rrugën rimëkëmbjes ekonomike dhe integrimin e mëtejshëm të vendit në strukturat evropiane.
Çfar largpamesie e KGB-se, car president unlikal te SHBA ka pergaditur per keto dite. E meriton çmimin Nobel per paqe. Edhe ky si Kadare nuk le Gur pa luajtur per te marre kete çimim.