
Ky, duket se ishte ai çelësi i lartë për të ndaluar spastrimin e gjykatës dhe prokurorisë dhe më pas krijimin e prokurorisë speciale, që u konsiderua që në fillim një përbindësh që do të hetonte Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Tashmë gjithçka është e qartë dhe ka ardhur në pikën kulmore, si në një roman ku kazani i fabulës ka arritur pikën e vlimit, e lexuesi shkon fjollë te pika e zgjidhjes, ku është konfiguruar pak a shumë fundi i tij.
Në vitin 2016, Sali Berisha, njerëzit e tij të afërm në grupin e PD-së, së bashku me ato të LSI-së, bënë një luftë të fortë në parlament, kur po diskutohej paketa kushtetuese e reformës për drejtësi.
Janë tashmë epike linjat direkte nga komisioni i reformës në drejtësi të Oerd Bylykbashin me Sali Berishën për bocetet e draftit, ku Lulzim Basha, edhe pse ishte kryetar i PD, as nuk pyetej fare.
Shkurt Sali Berisha dhe Ilir Meta, nuk ishin dakord që në paketën e reformës, të vendosej në Kushtetutë, institucioni i ONM-akronimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ku SHBA dhe BE, do të kishin një rol bazik në rindërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Lufta arriti kulmin, kur në fund, PD dhe LSI nuk donin që ta miratonin Paketën Kushtetuese. Mbahet mend roli i fortë sidomos i ambasadorit Donald Lu, për të arritur një kompromis.
Të cilin e mori përsipër si meritë Ilir Meta, atëherë kryetar Parlamenti, i cili tha se e ka shpëtuar jo vetëm reformën, por edhe opozitën, me rolin e tij aktiv e të zhurmshëm. Kleçka e këtij kompromisi, ishte që emrat e anëtarëve të Komisionit të Vettingut, zgjidheshin nga një komision parlamentar, ku përfaqësuesi i PD kishte të drejtën e vetos.
Ky, duket se ishte ai çelësi i lartë për të ndaluar spastrimin e gjykatës dhe prokurorisë dhe më pas krijimin e prokurorisë speciale, që u konsiderua që në fillim një përbindësh që do të hetonte Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Në lojë për të penguar këtë proces, siç dihet u vendos edhe Adriatik Llalla me prokurorinë e tij, i cili u përplas ashpër me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, Llalla u vu në punë që ndërmjet ligjit të dekriminalizimit të godiste sa më shumë deputetë e kryebashkiakë të Partisë Socialiste, në mënyrë që të trondiste qeverinë.
Madje u bë edhe një tentativë në verën e vitit 2016 për të sajuar një qeveri të re “socialiste”, por që mbështetjen më të madhe do t’ia jepte PD dhe LSI. Një lloj aleance fluide si në vitin 2002, kur u shkarkua Kryeprokurori Arben Rakipi.
Pikërisht atë vit nisi dhe një proces politik i krijimit të një partie anti-SPAK, një konglomerati politik që qëllimin kishte për ta bërë të pamundur, atë operacion që SHBA e BE kishin mbështetur, dhe Partia Socialiste e Edi Ramës e kishte marrë përsipër ta çonte përpara politikisht meqë kishte numrat në Kuvend.
Zgjedhjet e vitit 2017 ishin Mejdani politik më i mirë për tu ndeshur dhe për të mos ta bërë të mundur realizimin e këtij projekti. Nisi atëherë një aksion i çmendur, frenetik, që po ta sjellësh sot e ta publikosh si inserte duken si ngjarje surreale.
Sulmoheshin, shaheshin, agresoheshin të gjithë zyrtarët e lartë të SHBA dhe BE-së që kishin marrë përsipër të mbështesnin reformën në drejtësi.
Por fakt është se kjo parti anti-SPAK nuk guxonte të dilte politikisht si një formacion që ta ketë projekt politik të shpallur, rrëzimin ose ndërtimin e SPAK, ashtu siç e donte SHBA dhe BE. Edhe pse në mënyrë direkte e thonin mbështetësit e tyre përnatë në panele. Mirëpo, duke dalë që në fillim kundër krijimit të një trupe prokurorësh që nuk kishin besim, kjo opozitë anti-SPAK i dha Edi Ramës armën e mbështetësit të vetëm politik të reformës në drejtësi.
Edhe pse brenda mazhorancës kishte një numër të madh njerëzish që nuk e donin atë reformë, e teza e tyre ishte që të shtyhet sa më shumë që të jetë e mundur, siç dhe ndodhi, në publik, kishte dhe ka një shumicë dominante që e donte një drejtësi që të godiste lart fare pandëshkueshmërinë 30 vjeçare.
Dhe kjo “Opozitës anti-SKAP” ju doli në çdo sondazh të kryer nga operatorë e kompani nga më të mirat në glob. Ndaj dhe menduan se e vetmja mënyrë për të arritur objektivin e tyre politik ishte që ta rrëzonin Edi Ramën pa zgjedhje. Kështu sajuan çadrën e shkurtit 2017 me objektivin e bllokimit të Parlamentit e arritjes së një marrëveshjeje.
Marrëveshje që Edi Rama e bëri, por jo me Berishën dhe Ilir Metën, por me Lulzim Bashën. E që atëherë Basha, u bë realisht armiku tjetër i dyshes anti-SPAK. Në fund të marrëveshjes Lulzim Basha zhbllokoi zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të vettingut në Parlament.
Më pas, pra pas zgjedhjeve të 2017-s, u tentua të përdoret Adriatik Llallës në çështjen “Tahiri” dhe luftën për ta mbajtur Kryeprokurorin edhe pas mbarimit të mandatit, e më pas dogjën mandatet e deputetëve e tentuan për të bllokuar zgjedhjet lokale të 2019-s, e për tu ulur në tavolinë për një tjetër pakt për SPAK, por kësaj here jo me Bashën, por me Ilir Metën e me Sali Berishën.
Kjo përplasje, përveç luftës frontale me Edi Ramën ishte natyrisht edhe me SHBA e BE, që u investuan në reformën në drejtësi e donin suksesin e saj.
Megjithatë reforma u vonua shumë, e ajo nisi me përplasje të mëdha krijimin e ngadalshëm në vitin 2020.
Erdhën më pas zgjedhjet e vitit 2021, e zhvillimet e vrullshme që ndodhën më pas, ndëshkimet ndërkombëtare të Sali Berishës nga SHBA e Britania e madhe, lufta civile brenda Partisë Demokratike, zgjedhjet e 14 majit, për të ardhur tek shpallja e Sali Berishës si i pandehur. Gjatë kësaj periudhe pas 25 qershorit të 2021-shit, prangat e SPAK kanë kërcitur fuqishëm në një mori zyrtarësh e politikanësh të mazhorancës. Të cilët me të marrë mandatin si të hetuar nuk janë më politikanë e zyrtarë.
Në këtë operacion 7 vjeçar politik “opozita anti-SPAK”, ka shpenzuar shumë energji, shumë burime njerëzore e financiare, e si rezultat ka krijuar edhe një rrymë apo edhe një grup e linjë politike. E cila padyshim që ekziston, ndoshta jo vetëm si militancë fanatike, tribale apo influencë idhujtarie.
Ekziston edhe si bindje ndoshta, le ta themi politike. Madje mund të thuhet fare qartë se ekziston, pasi tezat e këtij grupi thuajse jepen natë për natë e në çdo panel televiziv. Këto teza janë se SPAK është një grup prokurorësh japobinistë që veprojnë me tendencë, e që këta i përkrah fort SHBA e BE. Dhe inati i këtij grupi është më shumë me amerikanët sesa socialistët. Personazhe të të cilëve ata edhe i mbrojnë publikisht, duke i konsideruar viktima të Ramës dhe amerikanëve.
Me shpalljen e Sali Berishës si i pandehur, ky grup politik, siç dhe pritej është gati të shpallë një revoltë deri edhe të armatosur. Një luftë siç e thonë shumë pjesëtarë të tij; o fitojmë o shuhemi. Objektivi i afërt është që të bllokohet hetimi e gjykimi aktual për Berishën që të mos hapen të tjerat. Shpresa është që një fitore sado e vogël është një mundësi për mbijetesë dhe për të fituar kohë.
Megjithatë, këtu ka një fakt të madh, ky grupim apo kjo opozitë anti-SPAK është një pakicë elektorale në vend, që po humbet terren dita ditës. Sidomos nga njerëz që i kanë mbështetur gjithë këto vite me shpresën se e gjithë kjo luftë nuk kishte lidhje me SPAK, por me opozitën.
Lini një Përgjigje