
Mu kujtua Kokëdhima që u hodh mbi xhamin e makinës së turistëve spanjollë, sepse nuk paguanin 600 euro për një peshk të qelbur.
Matteo është një mik i imi italian që e kam njohur 10 vjet më parë. Ai studionte në Berlin dhe ndër të tjera mbrojti nivelin C1 të gjuhës gjermane.
A e dini pse e mësoi gjermanishten në nivel shumë të lartë?
Sepse ai duhej të komunikonte me turistët gjermanë që pushonin në hotelet e prindërve të tij në Itali.
Matteo kishte tre vite që bënte trajnime dhe studime për turizmin.
Familja e tij kishte 70 vjet që investonin në industrinë e turizmit dhe zotëronin pesë hotele në veri të Italisë (Riva del Garda, Jesolo, Venecia).
Matteo kishte pasion për bioteknologjinë, por prindërit dhe gjyshi i tij kishin insistuar që ai të shkollonte dhe të trajnohej për turizëm, që të trashëgonte biznesin familjar.
- Mu kujtua kjo histori kur dëgjova çmenduritë e operatorëve turistikë shqiptarë, që ankohen pse nuk kemi turizëm elitar, por të huajt vijnë me bukë me vete.
- Mu kujtuan pronarët e hoteleve në Shqipëri, të cilët, sapo bëjnë lekët e para të sezonit, blejnë dy Range Rover: një për djalin dhe tjetrën për dashnoren.
- Mu kujtua Janaqi nga Piqerasi, që s’kishte zbritur kurrë në Tiranë, por tallej me turistët gjermanë që “nuk dinë të hanë”.
- Mu kujtua Thimaqi nga Dhërmiu, që nuk guxon t’i hysh në lokal nga muzika e lartë që të çan daullen e veshit.
- Mu kujtua Taqi dhe Raqi nga Himara, që kishin shitur hashash dhe me ato lekë hapën një hotel, por për të kursyer paratë e arkitektit, projektin e bënë me laps mbi mbulesën e tavolinës.
- Mu kujtua Kiço nga Jala, që i trefishonte çmimet sapo i vinin klientë kosovarë, sepse donte vetëm turistë “elitarë”, ndonëse babai i tij kishte qenë karrocier i plehrave të fshatit.
- Mu kujtua Kokëdhima që u hodh mbi xhamin e makinës së turistëve spanjollë, sepse nuk paguanin 600 euro për një peshk të qelbur.
- Mu kujtua edhe Fiqo debili nga Ksamili që rrahu një turist nga Tetova sepse ishte ulur mbi peshqir në breg por ky donte ta ulte me zor në shezllon 50 euro.
- Mu kujtuan fëmijët e oligarkëve X apo Y, që çdo mbrëmje zihen me grushte në diskotekat e Palasës.
Miku im Matteo kishte katër breza trashëgimi në biznesin turistik, por prindërit e tij kishin vendosur që ai të studionte tre vite në Gjermani, që djali i tyre të kishte një vizion të qartë mbi tipologjinë e turistëve gjermanë – të cilët ishin klientët kryesorë të hoteleve të tyre.
Thjesht mu kujtua dhe mendova se Shqipëria vërtet ka nevojë për një Akademi — jo për barinjtë e dhive, por për “barinjtë” e hoteleve me pesë yje, që ankohen pse nuk kanë turizëm elitar në bizneset e tyre që i menaxhojnë si lopçarë.
Lini një Përgjigje