TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Gusht 2025, 20:40

Pyetje për 'frikacakët' që nga ‘Facebook’-u kërkojnë reformë brenda PD-së!

Shkruar nga Myslim Murrizi

Pyetje për 'frikacakët' që nga ‘Facebook’-u

Pse në forumet ku bëni pjesë nuk flisni kurrë në çdo mbledhje për problemet e shumta që ka pasur dhe ka PD-ja? Pse heshtni në mbledhje dhe cicëroni nëpër media, Facebook dhe portale?

Asnjëri nga ju që flisni sot nuk ka folur kurrë gjatë tri viteve të fundit në asnjë mbledhje për ndonjë problem real që ka pasur dhe ka Partia Demokratike.

Një kërkesë publike për z. Ilir Alimehmeti, z. Fisnik Qosja, z. Krishnik Çollaku, z. Dash Sula dhe çdo të zgjedhur tjetër në forumet drejtuese të PD-së: kryesi, sekretariate, deputetë, departamente dhe këshill kombëtar. (Sa për ata që janë jashtë PD-së dhe që kandiduan më 11 maj me parti të tjera, duke marrë nga 30, 90, 100 apo 200 vota, nuk më intereson fare çfarë thonë si faktorë imagjinarë.) Shumë mirë bëni që kërkoni analizën e zgjedhjeve të 11 majit.

Shumë mirë bëni që kërkoni riorganizim rrënjësor të PD-së, duke filluar nga seksionet deri te kryesia qendrore. Shumë mirë bëni që kërkoni hapjen e PD-së dhe legalizimin e fraksioneve apo mendimit ndryshe. Shumë mirë bëni që kërkoni dorëheqjen e kujtdo që nuk ka justifikuar me rezultate besimin që i kanë dhënë strukturat e PD-së për të qenë drejtues politik.

Shumë mirë bëni që i kërkoni z. Berisha të ndryshojë nga pozicionet drejtuese z. Noka, znj. Vokshi, z. Paloka, z. Bylykbashi, z. Boçi dhe të tjerë. Shumë mirë bëni që kërkoni votëbesim për z. Berisha si kryetar i PD-së.

Por kam një pyetje për të gjithë ju: Pse në forumet ku bëni pjesë nuk flisni kurrë në çdo mbledhje për problemet e shumta që ka pasur dhe ka PD-ja? Pse heshtni në mbledhje dhe cicëroni nëpër media, Facebook dhe portale? Pse rrini si guakë në çdo debat në këshillin kombëtar? Pse qeshni fals dhe duartrokisni në mënyrë hipokrite çdo propozim, rezolutë, vendim apo fjalim të z. Berisha, z. Noka, znj. Vokshi, z. Paloka dhe të tjerëve? Pse nuk folët asnjë fjalë kur u zgjodh kryesia në qershor 2022 për këta individë për të cilët flisni sot? (Flas për ata që kanë qenë me PD-në e Rithemelimit dhe z. Berisha në këtë kohë, jo për ata që erdhën nga z. Basha në merkaton e fundvitit 2023.)

Pse nuk folët asnjë fjalë në shkurt 2025, kur po caktoheshin rregullat për primaret e dobëta, pa asnjë vlerë, ku 23 vende u përjashtuan nga primaret si të privilegjuar? Pse nuk folët fare më 12 mars 2025 në këshillin kombëtar për listat e kandidatëve për deputetë të PD-së, për drejtuesit politikë dhe njerëz pa kontribute, jashtë PD-së, që u futën në listat e mbyllura të PD-së si pasojë e pazareve të pista?

Pse nuk belbëzuat asnjë fjalë për koalicionin e mjerueshëm me LSI-në dhe PDIU-në, që jo vetëm nuk solli asnjë votë për PD-në, por i dha asaj një ngarkesë negative, duke i vjedhur demokratëve 5 mandate LSI-ja me 8000 vota dhe 1 mandat PDIU-ja me 1500 vota?

Pse heshtët në këtë kohë kur patë që në listat e PD-së u përfshinë individë ordinerë apo të dyshimtë, që në shumicën dërrmuese kanë qenë kundërshtarë të PD-së dhe të anatemuar nga vetë PD-ja si elementë të botës së trafiqeve?

Pse nuk folët asnjë fjalë gjatë fushatës për orientimin e votës drejt 2-3 kandidatëve dhe lobimet e pamoralshme që u bënë nga ata që ju, me të drejtë, sot kërkoni të japin dorëheqjen ose të hiqen nga pozicionet drejtuese që mbajnë në PD, sepse nuk vlejnë asnjë grosh?

Nuk po zgjatem më, sepse do të më duhej një natë dimri për të renditur problemet për të cilat ju, të nderuar, duhej të kishit folur në kohën dhe vendin e duhur, që të ishit sot realistë në atë që shprehni në media apo Facebook për riorganizimin e PD-së. Të bëhesh i mençur pas kuvendit apo trim pas luftës është njësoj si të bësh një vrimë në ujë.

Ndaj, a ka mundësi që gjatë këtij muaji gusht të na lini rehat dhe të mos na çani kokën si parimorë? Sepse, kismet, në shtator do të mblidhemi përsëri dhe kam frikë se do të duartrokisni e do të ekzaltoheni nga fjalimet bombastike revolucionare të disa idiotëve politikë, të cilët në çdo mbledhje flasin për fitore dhe suksese në degët që ata drejtojnë, vetëm për t’i bërë qejfin z. Berisha, z. Noka, z. Paloka, znj. Vokshi, z. Bylykbashi, z. Boçi dhe të tjerëve.

Sa për z. Bardhi, z. Gjekmarkaj, znj. Tabaku dhe grupin e tyre që erdhën me “kontratë” të qartë në Rithemelim, ata nuk kanë nevojë për askënd që t’u bëjë qejfin, sepse e bëjnë vetë qejfin duke sharë për tre vjet me rrënjë e degë demokratët dhe, në vitin e fundit para zgjedhjeve, vijnë për t’u bërë deputetë me një kod zgjedhor të padrejtë, të cilin e votojnë bashkë me Ramën vetëm për karriget e tyre.

Lini një Përgjigje