TAGS-AT E JAVËS

Forum 3 Gusht 2025, 11:05

Kodi Penal, testi i fundit i Edi Ramës për lirinë dhe drejtësinë në Shqipëri 

Shkruar nga Blerina Allushi

Kodi Penal mund të bëhet një instrument për të rritur kontrollin e pushtetit, për të ndaluar të gjitha lëvizjet opozitare, dhe për të siguruar që ata që janë kundër qeverisë të jenë të izoluar dhe të frikësuar. Ky është një rrezik i madh për demokracinë, i cili mund të sjellë pasoja të rënda për të drejtat e njeriut dhe për gjithë strukturën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. 

Kodi Penal, testi i fundit i Edi Ramës për lirinë dhe
Edi Rama / Getty Images

Në një kohë kur Shqipëria është në garë me kohën për integrimin në Bashkimin Europian dhe për forcimin e shtetit të së drejtës, drafti i ri i Kodit Penal, i bërë publik vetëm disa ditë më parë, ka shkaktuar një stuhi reagimesh nga të gjitha anët.  

Ky draft, që ka kaluar gati dy vite në "sirtar" sekret, si parim ka për qëllim të forcojë kontrollin e qeverisë mbi çdo aspekt të jetës politike dhe shoqërore, duke e çuar vendin në një rrugë të rrezikshme drejt autoritarizmit. Kjo është një përpjekje për të mbajtur një regjim të ngjashëm me ato të Erdoganit në Turqi, i cili përdor sistemin e drejtësisë si një mjet për të shtrënguar pushtetin dhe për të ndëshkuar ata që guxojnë të kritikojnë administratën. 

Shqetësimi n.1: mungesa e transparencës dhe përfshirja e qeverisë 

Një nga shqetësimet kryesore që lind me këtë draft është se procesi i hartimit të tij ka munguar plotësisht transparencën. Qeveria e Edi Ramës ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë pasur ndonjë rol të drejtpërdrejtë në hartimin e kodit, dhe se ia kanë besuar një grupi ekspertësh të "nënshtruar" që, sipas Ramës, kanë punuar nën udhëheqjen e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi,  që nuk i mjaftuan skandalet në institucionin që drejton. Por kjo është një deklaratë që përbën një kontradiktë, pasi ekspertët e përfshirë në hartimin e draftit kanë pohuar se Ministria e Drejtësisë ka qenë një aktor kryesor në këtë proces dhe ka pasur një rol koordinues dhe kontribues. Ky informacion ngre dyshime të mëdha mbi mënyrën se si është bërë ky draft dhe se a është ai një mjet për të vazhduar forcimin e ndikimit politik të qeverisë mbi drejtësinë. 
Për më tepër, ky draft ka mbetur i fshehur për gati dy vjet, duke krijuar një atmosferë të pasigurisë dhe mungesës së transparencës. Të gjitha këto veprime krijojnë përshtypjen se ky projekt ka pasur si qëllim të shmangë debatet dhe kritikën, si në nivelin e shoqërisë civile, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar, i vetmi që mund  “t’i tërheqë veshin” qeverisë për këtë lëvizje që po testohen për publikun sapo mori mandatin e katërt  duke siguruar plot 83 vende në Kuvendin e Shqipërisë, edhe pse ra me 35 mijë vota nga mandati i tretë. 
 Të gjitha këto fakte e bëjnë të dyshimtë dhe të pasigurt çdo synim të mundshëm të këtij drafti për të pasur një ndikim pozitiv në zhvillimin e Shqipërisë dhe anëtarsimin në BE. 

Kodi Penal, rreziku i autokracisë si modeli turk 

Në qendër të shqetësimit për këtë draft është fakti se ai mund të shërbejë si një mjet për të shtrënguar kontrollin e qeverisë mbi gjithëpërfshirjen e shtetit dhe shoqërisë. Sipas neneve të reja të propozuara, gjithçka që lidhet me kritikën ndaj qeverisë, denoncimin e funksionarëve të lartë, ose ekspozimin e korrupsionit, mund të kthehet në një rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe individët që guxojnë të flasin. Ky është një hap i drejtpërdrejtë drejt një shteti autoritar, ku pushteti shfrytëzon sistemin e drejtësisë për të shtrënguar grushtin mbi çdo kundërshtar politik dhe shoqëror, siç bën “byrazeri” i tij në Ankara. Sipas këtij drafti, çdo përpjekje për të sfiduar pushtetin mund të përfundojë me ndjekje penale dhe dënime me 3 ose 4 vite burg, duke krijuar një atmosferë të frikës që mund të përhapet në gjithë shoqërinë. 
Rama dhe administrata e tij shpesh kanë shprehur dëshirën për të “modernizuar” Shqipërinë dhe për t’a afruar atë më shumë me Bashkimin Europian, por në këtë rast ky draft e çon vendin më shumë drejt modeleve autoritarë të Lindjes, të tilla si Turqia e Erdogan ose Rusia e Putin. Kodi Penal mund të bëhet një instrument për të rritur kontrollin e pushtetit, për të ndaluar të gjitha lëvizjet opozitare, dhe për të siguruar që ata që janë kundër qeverisë të jenë të izoluar dhe të frikësuar. Ky është një rrezik i madh për demokracinë, i cili mund të sjellë pasoja të rënda për të drejtat e njeriut dhe për gjithë strukturën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. 

Perspektiva e integrimit në BE, vetëm një illuzion 

Një tjetër aspekt që nuk mund të kalojë pa u përmendur është lidhja e ngushtë që Rama ka bërë mes këtij Kodi Penal dhe aspiratës për të çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Në fakt, përkundër deklaratave të vazhdueshme nga Rama dhe ministrat e tij, që e shohin këtë projekt si një hap përpara për integrimin në BE, shumë analistë e konsiderojnë këtë si një manovër për të shmangur presionin ndërkombëtar dhe për të rritur ndikimin e brendshëm të qeverisë. Nëse ky Kodi Penal miratohet në formën e tij aktuale, ai mund të bëhet një pengesë e madhe për Shqipërinë, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga vlerat e Bashkimit Europian, të cilat përfshijnë të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. 

Kundër draftit janë shprehur edhe krerë më të institucioneve të drejtësisë, si dhe mediat, një zë i fortë që preken të parat nëse ky kod votohet në Kuvend. Pas kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela,  tha se drafti rrezikon të minojë drejtësinë.  
Edhe kreu i SPAK, Altin Dumani shprehu rezerva dhe vuri në pikëpyetje nëse ka vërtet nevojë për një Kod të ri Penal, apo mjaftojnë përmirësimet në Kodin ekzistues. Në listën e kritikëve është edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë.  
Në këtë kontekst, është e qartë se Rama po tenton të mbajë një qasje të dyfishtë: në dukje, po angazhohet për integrimin e vendit në BE, por në realitet po krijon kushte për të forcuar një regjim autoritar që mund të çojë Shqipërinë në një rrugë të errët, larg vlerave të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. 

Teksa drafti ka vetëm 10 ditë në proces konsultimi publik dhe pritet rrugë e gjatë deri në miratim. 
Por, publikimi i papritur i draftit të ri të Kodit Penal më 25 korrik ka shumë shenja të një manovre strategjike nga qeveria për të testuar reagimin publik dhe politik. Pas dy vjetësh mbajtjeje në "sirtar", ky dokument është bërë i njohur përmes një ceremoni të shpejtë dhe me shumë të panjohura, një lëvizje që ngre më shumë dyshime se sa kërkesë urgjente për ndryshime në ligjin penal. Në këtë kontekst, nuk është e vështirë të kuptohet se ky publikim është një provë për të parë se sa i fuqishëm është reagimi i publikut dhe si do të reagojnë opozita dhe faktorët ndërkombëtarë. Rama dhe qeveria e tij po testojnë edhe balancat e pushtetit, duke e ditur se opozita dhe shoqëria civile do të kenë një reagim të fortë, por duke shpresuar se ky proces do të kalojë me disa "rregullime" ose kompromis, për të kaluar pa shumë pengesa. 

Për sa i përket mundësisë që ky draft të kalojë në Kuvend për votim, gjithçka varet nga faktori politik dhe presionet që do të vijojnë të vijnë, si brenda vendit ashtu edhe nga jashtë.  
Me shumicën që disponon qeveria në Kuvend, mundësia që ky projekt-ligj të miratohet është e lartë. Reagimet e ashpra që janë bërë publike deri tani, si nga sistemi i drejtësisë dhe organizatat ndërkombëtare, do të kenë një ndikim të rëndësishëm, por qeveria e Ramës ka dëshmuar se është mjaft e vendosur për të kaluar ligje dhe reforma që i shërbejnë interesave të saj. 
Nëse ky draft kalon, Shqipëria mund të hyjë në një fazë të re, më të pasigurt dhe më të rrezikshme për demokracinë dhe liritë civile, dhe ky mund të jetë një moment historik që do të përcaktojë shumë për të ardhmen e vendit. @Pamfleti

kodi penal edi rama drafti i ri i kodit penal

Lini një Përgjigje