Në qarqet diplomatike perëndimore, madje edhe në mekanizma të lartë të NATO-s, janë në kërkim të mënyrave për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë përmes një shkëmbimi territorial me Rusinë në këmbim të ruajtjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Ukrainës dhe sigurisë.
Gazeta italiane ‘La Repubblica’ raportoi më 6 prill për projektidetë për t’i dhënë fund luftës; realizimi i tyre do të bënte që Ukraina të heqë dorë nga territoret e pushtuara nga Rusia në këmbim të anëtarësimit të menjëhershëm në NATO.
Shumë ekspertë e shohin këtë propozim, i cili u diskutua jozyrtarisht në samitin e fundit të NATO-s, si një zgjidhje të mundshme për t'i dhënë fund luftës, shkruan gazeta në fjalë. Për këtë propozimin ka raportuar edhe gazeta gjermane Bild.
Të enjten që lamë pas [më 4 prill], Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, e bëri të qartë në takimin në Bruksel se, Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s. Ai theksoi se qëllimi i samitit ishte të ndërtohej një urë lidhëse për këtë anëtarësim. Blinken u shpreh se mbështetja për Ukrainën mbetet e fortë midis shteteve anëtare të aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg bëri një deklaratë të ngjashme, duke theksuar rëndësinë e garantimit që premtimi i Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n të përmbushet.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg me këtë rast paralajmëroi qartë se, përpjekjet e mbështetjes për Ukrainën edhe mund të dështonin.
Nëse nuk është e mundur të mobilizohet më shumë ndihmë, ekziston rreziku real që Rusia të pushtojë edhe më shumë territor ukrainas, paralajmëroi Stoltenberg të enjten pas një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel.
Nuk është rastësi, sipas La Repubblica-s, "që Blinken dhe Stoltenberg po zgjedhin fjalë të tilla tani"; ato duhet të kuptohen si një referencë për një qasje të re nga aleatët perëndimorë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ndarja e Ukrainës - nusprodukt i agjendës së munguar gjeopolitke të perendimit
Ashti si dalja në skenë e Ukrainës si shtet i pavarur në kuadër të procesit të shkërmoçjes së Bashkimit Sovjetik, edhe agresioni masiv rus më 24 shkurt 2022, janë momente historike që meritojnë vëmendjen e studjuesve të mendimit gjeopolitik. Në këtë kuptim mund të themi se si pavarësia e Ukrainës që ishte një ngjarje që ndryshoi harëtn gjeopolitike të Europës, edhe agresioni ndaj saj, rrezikon ndryshimin e epokave në historinë moderne të kontinentit.
Sipas gjykimit të Zbigniew Brzezinsk-it dalja në skenë e Ukrainës si shtet i pavarur ishte një nga zhvillimet gjeopolitike më të rëndësishme të shekullit 20-të.
Zhvilimi i parë ishte ai i shembjes së perandorisë Austro-Hungareze në vitin 1918.
I dyti, ishte ai i ndarjes së Europës në dy blloqe më 1945. Dalja në skenë e Ukrainës si shtet i pavarur mund të vlerësohet si një nga këto zhvillime historike.
Insistimi rus për ta penguar Ukrainën të luaj rolin e saj në skenën ndërkombëtare, sidomos tani në fillet e rendit të ri botëror në ardhje, natyrisht atë rol që do të ishte edhe në interesin e saj kombëtar, flet për peshën e këtij konflikti në planin global.
Në kërkim të pozicionit të saj gjeopolitik Ukraina pas vitit 2014, kur brenda pak ditësh humbi Krimen, ajo ishte edhe në kërkim të partneritetit me Perednimin, me shpresë se do të arrinte ta ndalojë marshin rus.
Në raportet mes shteteve, interesi nacional luan rolin qendror. Filozofi francez Claude Adrien Helvétius në këtë kontekst theksonte se “nëse bota fizike i nënshtrohet ligjit të lëvizjes, bota shpirtërore nuk është më pak në varësi të ligjit të interesit. Në Tokë, interesi është magjistari i plotfuqishëm që ndryshon pamjen e çdo objekti në sytë e të gjitha qenieve. Interesi është në qendër të vëmendjes dhe sjelljeve të njerëzve, por edhe i shoqërisë, respektivisht shtetit. Pa interes nuk ka zhvillim e prosperitet as ekonomik e as social. Dhe meqë politika e jashtme e shtetit ndërtohet mbi bazën e interesave të tij kombëtare, atëherë kuptimi dhe përcaktimi i interesave kombëtare të një shteti kaq të ri si Ukraina është tejet i rëndësishëm. Për këtë, ndërtimi dhe realizimi i interesit nacional mbetet tejet kompleks meqë në këtë proces luajnë rol të ndjeshëm faktorë objektiv e subjektiv. Në këtë qast historik prandaj për drejtuesit e Ukrainës ky rol është krucial.
Vetëm kujdesi i duhur i barazpeshës së interesave kombëtare që lidhen me përcaktimin e prioriteteve në nivelin e politikës së brendshme me ato të politikës së jashtme, mund të kontribuojë në gjetjen e rrugëve të duhura për zhvillimin e politikës së jashtme në përputhje me këto interesa. Në këtë përballje, për Ukrainën aktualisht rol të dorës së parë luajnë interesat e karakterit gjeopolitik.
Kjo qasje na rikthen në fillet e analizës së mjedisit ndërkombëtar i parashtruar që në vitin 1904 nga studiuesi anglez H.Mackinder, duke justifikuar rolin e faktorëve gjeografikë të ndërlidhur me ata politik që bashkë përcaktojnë fatin historik. Ai dëshmoi se burimet minerale, dalja në det, klima, konfigurimi i kufijve, shtetet fqinje etj. - të gjitha këto aspekte kanë një rëndësi të madhe në planifikimin e politikës së jashtme.
Për ta pasur idenë dhe pozicionin gjeopolitik të Ukrainës më të qartë, është e nevojshme të theksohet se Ukraina ndodhet gjeografikisht në pjesën lindore të Evropës. Megjithatë, Zbigniew Brzezinski thekson se "rikthimi i statusit të një shteti të Evropës Qendrore korrespondon me interesat afatgjata të Ukrainës...
Por për Ukrainën, siç po e dëshmon koha, krahu veri-lindor - marrëdhëniet me Rusinë dhe vendet e tjera mbesin jetike. Ajo përcaktohet gjithashtu nga interesat ekonomike të Ukrainës, si nga ato historike.Ndërkaq krahu jugor është domethënës për dimensionin gjeopolitik.
Edhe tashti kur Ukraina ndodhet në vitin e tretë të luftimeve intenzive, si një shtet i madh evropian, vazhdon të trajtohet si faktor i rëndësishëm për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë, pavaërsisht çmimit të madhë që mund të paguajë për këtë.
Nëse në prag të aneksimit rus të Krimesë në skenën politike ukrainase mbizotëronte një lloj papërcaktueshmërie identitare - forcat politike luhateshin mes dy qendrave të ndikimit gjeopolitik, përkatësisht mes Rusisë dhe Perëndimit, ajo nëdrkohë gjendet në statusin e një “zone tampon” jashtë hapësirave integruese që po formohen në Europën e re. Dhënia e statusit të vendit kandidat në BE dhe diskutimet për aderimin e Ukrainës në NATO tani kur mungon vullneti i duhur për tu përballur si duhet me Rusinë, flet shumë edhe për pozicionin e Ukrainës. Ndryshimi i këtij pozicioni, duket se do të ketë kosto të shumëfishtë.
Ndërkaq, në anën tjeëtr, qëllimi i politikës së Putinit vazhdon të jeët po ai që ishte: të eliminojë Ukrainën si një shtet sovran, i pavarur, i orientuar nga perëndimi. Dhe këtë ai pretendon ta bëjë në faza. Kjo është pjesë e konceptit të politikës imperialiste të Rusisë.
Putini dëshiron të hyjë në histori si sundimtari që e bëri Rusinë përsëri një fuqi të madhe perandorake dhe që rivendosi dominimin e Rusisë mbi vendet që dikur ishin pjesë e dominimit të Bashkimit Sovjetik. Për më shumë se dhjetë vjet, popullsia ruse dhe veçanërisht rinia janë indoktrinuar në frymën e ekspansionit perandorak dhe glorifikimit të luftës. Putini ka përgatitur mendërisht shoqërinë ruse për luftë për një kohë të gjatë.(Vijon...) Pamfleti
Lini një Përgjigje