TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Korrik 2024, 15:08

Në Francë e djathta ekstreme ndihet e vjedhur, gati protestat e mëdha në rrugë

Shkruar nga Mary Dejevsky

 Në Francë e djathta ekstreme ndihet e vjedhur, gati protestat e

Rreziku për Macron dhe për Francën, është që zhgënjimi i tyre mund të gjejë shprehje në rrugë, në diçka të ngjashme me një ripërsëritje të lëvizjes Gilets Jaunes (Jelekët e Verdhë), që e përçau Francën për 3 vite, përpara se të shuhej me fillimin e pandemisë...                                                                                         

Në rast se ka pasur ndonjë më të zhgënjyer se partia e ekstremit të djathtë në Francë, Tubimi Kombëtar, nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të së dielës, ka raste kur dukej se të tillë janë moria e vëzhguesve matanë Kanalit që prisnin hatanë, dhe që në fund u privuan nga shansi për të dënuar sjelljen e rrezikshme e aventuriere të francezëve.

Nga sondazhet e para dhe deri tek rezultatet aktuale, toni i shumë analizave anglofone, ishte se nuk do të ndodhte kthimi i frikshëm në një regjim si ai i Vishisë në kohën e pushimit nazist. Brenda vetë Francës, reagimi mbizotërues - jashtë radhëve të Tubimit Kombëtar -  ishte lehtësimi.

Lehtësimi se taktika e shkëlqyer që nga koha e të ashtuquajturit Front Republikan, ku qendra dhe e majta bashkojnë forcat për të penguar ngjitjen në pushtet të ekstremit të djathtë, pati sërish sukses. Precedenti më spektakolar në këtë aspekt, ishin zgjedhjet presidenciale të vitit 2002, kur Fronti Kombëtar i ekstremit të djathtë, i drejtuar në atë kohë nga babai i Marine Le Pen, Jean-Marie, i zbriti socialistët në vendin e tretë, për t’u mposhtur në raundin e dytë nga presidenti në detyrë, Jacques Chirac, i cili fitoi 80 për qind të votave.

Rezultatet e fundjavës e renditën të parën aleancën e majtë, Frontin e Ri Popullor (NPF) të udhëhequr nga Jean-Luc Melenchon, me 182 vende në parlament. Grupimi Ansambli i presidentit Emmanuel Macron doli i dyti, me 168 vende, dhe Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen i treti, me 143 vende.

Shifrat i hodhën poshtë sondazhet në javën midis dy raundeve, ku Tubimi Kombëtar nuk kishte arritur shumicën e shpresuar, por rivalizonte me NPF për të fituar shumicën e vendeve. Megjithatë, fakti që Tubimi Kombëtare do të mposhtej dhe do të zhvendosej nga vendi i parë në të tretin, ishte një surprizë për të gjithë, e mirëpritur nga shumica dhe një zhvillim shokues për disa.

Kandidati i ri për kryeministër i Tubimi Kombëtar, Jordan Bardella , shprehu zhgënjimin e tij dhe të partisë për dështimin e të dielës. Ata pezulluan festimet e planifikuara. Teksa votuesit francezë kanë kundërshtuar parashikimet, duke e mbajtur të djathtën ekstreme jashtë qeverisë, kjo do të thotë se Franca ka shpëtuar nderin e saj në Evropë por dhe kudo që nacionalizmi i ekstremit të djathtë shihet si një kërcënim.

Njëherazi, duhet pranuar se ëndrrat e Tubimit Kombëtar për të fituar një shumicë absolute në parlamentin e ri nuk do të realizoheshin kurrë. Sepse rezultati i saj në raundin e parë, ishte pak më shumë se sa një e treta e votave, dhe zgjedhjet e mëparshme kanë treguar se shifrat e raundit të parë, përfaqësojnë përgjithësisht pikën më të lartë të suksesit të ekstremit të djathtë.

Mbi arsyen pse kthesa ishte kaq e madhe brenda 7 ditëve, analistët francezë ofruan disa shpjegime, nga frika nga e panjohura, deri tek dëshmitë në rritje të mungesës së përvojës së Tubimit Kombëtar kur nisi të fliste për qeverisjen, por edhe nga një shqetësim i përbashkët në lidhje me dëmtimin e mundshëm të prestigjit ndërkombëtar të Francës.

Atëherë, cila është gjendja e politikës franceze pas këtyre zgjedhjeve, dhe në veçanti pozicioni i presidentit Macron? Ky i fundit mund të ketë shmangur skenarin më të keq, pasi thirri zgjedhjet e parakohshme në përgjigje të disfatë së partisë së tij përballë Tubimit Kombëtar në zgjedhjet evropiane të fillimit të qershorit.

Po ashtu, ai ka treguar - të paktën për momentin - se sa larg nga pushteti mbetet e djathta ekstreme, gjë që do të reduktojë edhe frikën midis partnerëve të NATO-s të Francës dhe fqinjëve të saj, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, rezultati nuk do t’i imunizojë dot votuesit francezë nga joshja nga e djathta ekstreme në të ardhmen, siç mund të ketë shpresuar ai.

Dhe as nuk do ta bëjë më të lehtë qeverisjen e Francës. Tani Macron do të drejtojë vendin me një parlament pa një shumicë të qartë për të paktën një vit, sa është koha minimale që ai duhet të presë sipas Kushtetutës, përpara se të thërrasë zgjedhjet e tjera.

Po ashtu, ai përballet me një lloj të veçantë parlamenti të varur, të ndarë në mënyrë të barabartë në tre drejtime, me grupimin kryesor të opozitës, NPF-në me prirje të majtë, që është një aleancë komode shumë të brishtë për të thënë minimumin. Kur Melenchon e shfrytëzoi fjalimin e tij të fitores për të kërkuar të drejtën për të formuar një qeveri, ai po e tepronte.

Kryeministri 32-vjeçar i Macron, Gabriel Attal, në detyrë prej vetëm 7 muajsh, dha dorëheqjen e tij, dhe tani Macron tani përballet me vështirësinë për të formuar një qeveri të re, e cila do të pasqyrojë përbërjen e parlamentit të ri. Por çdo shpresë se ajo mund të jetë më e qëndrueshme se sa qeveria që i parapriu është krejtësisht jo realiste.

Ka të ngjarë që presidenti ta ketë edhe më të vështirë se më parë të kalojë ligjet, siç kanë qenë deri më sot disa nga reformat e tij më të dashura, të nevojshme dhe të arritura me vështirësi, siç është rritja e moshës së daljes në pension. Rezultati i raundit të parë, ku kryesonte Tubimi Kombëtar, por parashikohej se nuk kishte gjasa të fitonte një shumicë absolute, solli rritjen e aksioneve në tregjet ndërkombëtare.

Por nëse Macron e ka shmangur skenarin e tij më të keq, një qeveri e udhëhequr nga e djathta ekstreme që mund të sillte dorëheqjen e tij, ai nuk është aspak jashtë rrezikut dhe përballet me një vit të ngatërruar dhe potencialisht joefektiv. Basti që ai kishte shpresuar se do të forconte pozitat e tij ka dështuar, edhe pse nuk ishte aq shkatërrues për të apo për Francën, siç mund të ketë pasur frikë.

Por as e majta franceze nuk duhet të gëzohet para kohe. Ajo është e para këtë herë, por aleanca e komoditetit, e krijuar së bashku me qëllimin e shprehur mposhtjen e Tubimit Kombëtar, nuk është aspak e qëndrueshme. Macron mund të ketë sabotuar ngjitjen në pushtet të së djathtës ekstreme, por njëherazi të ketë grumbulluar telashe për të majtën përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në vitin 2027.

Në këtë kuadër, nuk duhet të nënvlerësohet as kapaciteti për përçarje i atij që tani do të jetë grupi i tretë kryesor në parlamentin francez. Tek e djathta ekstreme vlon tani një zemërim i madh. Mbështetësit e saj vijnë kryesisht nga Franca rurale dhe të varfrit urbanë.

Për të disatën herë, atyre u është hequr pushteti nga manovrat e shtresave të mesme urbane dhe elitës së vendit. “Mos lejoni që t’ju vjedhin fitoren!”- ishte lutja e drejtuesve të Tubimit Kombëtar në prag të zgjedhjeve, por pikërisht kështu u duket atyre se ka ndodhur më 7 korrik.

Tani rreziku për Macron dhe për Francën, është që zhgënjimi i tyre mund të gjejë shprehje në rrugë, në diçka të ngjashme me një ripërsëritje të lëvizjes Gilets Jaunes (Jelekët e Verdhë), që e përçau Francën për 3 vite përpara se të shuhej me fillimin e pandemisë.

Sfida e madhe e Emmanuel Macron ndaj të djathtës ekstreme pas zgjedhjeve të BE-së, ka kërkuar një çmim, sa i përket stabilitetit politik në Francë, prestigjit të vetë presidentit dhe autoritetit të Francës nëpër botë. Por deri më tani, çmimi është më i ulët se sa mund të ishte. Edhe pse potenciali i aleancës së krahut të majtë për t’u rithyer në pushtet, do të thotë se mund të ketë akoma më shumë kosto për t’u paguar./Përshtati Pamfleti nga “The Independent”

franca protesta e djathta ekstreme

Lini një Përgjigje