TAGS-AT E JAVËS

Forum15 Janar 2026, 11:01

Kina tallet me tarifat e Trump: Suficit rekord prej 1.2 trilion dollarësh në vitin 2025

Shkruar nga Claudio Paudice
Kina tallet me tarifat e Trump: Suficit rekord prej 1.2 trilion dollarësh
Kina /

Tarifat amerikane duket se po e humbasin efektin falë makinerisë së lavdishme të eksporte kineze, dhe falë pranisë së vazhdueshme të tyre përgjatë gjithë zinxhirit të vlerës, dominimit të segmenteve më strategjike dhe një ndikimi të përhapur në logjistikën globale. Dy lojtarë kryesorë kanë mbushur boshllëkun në flukset tregtare SHBA-Kinë: Azia Juglindore dhe mbi të gjitha Bashkimi Evropian...

Në një kohë kur “Shpata e Demokleut” e Gjykatës së Lartë varet mbi tarifat e Donald Trumpit - të cilat mund të përmbysin masat e vendosura deri më tani, duke e detyruar Shtëpinë e Bardhë të kthejë fillimisht rreth 150 miliardë dollarë për importuesit dhe ndërmjetësit - ekonomia e Kinës po qëndron e palëkundur.

Kjo ndodh pas publikimit të të dhënave të bilancit tregtar për vitin që sapo përfundoi: në vitin 2025, suficiti i Kinës - diferenca midis eksporteve dhe importeve - arriti një rekord prej gati 1.2 trilion dollarësh.

Shifrat konfirmojnë suksesin e politikës tregtare të administratës kineze, e cila mbështetet te mallrat e eksportuara në mbarë botën, prania e vazhdueshme në zinxhirin e vlerës dhe dominimi i segmenteve strategjike.

Këto rezultate kanë ndikim të madh edhe në logjistikën globale, jo vetëm në shërbime, por edhe në infrastrukturën kyçe - porte, aeroporte, hekurudha dhe çdo rrugë lidhëse të nevojshme për të kanalizuar morinë e mallrave të prodhuara në vend drejt tregjeve të huaja.

Pra, duket se tarifat amerikane nuk po e ndalin dot ‘makinerinë e eksportit’ të Pekinit. Sipas të dhënave zyrtare të Administratës së Përgjithshme të Doganave (GAC), vlera totale e tregtisë së jashtme të Kinës në vitin 2025 ishte rreth 6.48 trilionë dollarë, një rritje me 3.8 për qind nga një vit më herët.

Eksportet arritën në 3.77 trilionë dollarë (5.5 për qind më shumë se një vit më parë), ndërsa importet u mbajtën në nivelin 2.58 trilionë dollarë (pothuajse të pandryshuara krahasuar me vitin 2024).

Uang Jun, zëvendëskryetar i GAC, thotë se “ecuria e tregtisë së jashtme është e jashtëzakonshme dhe e arritur me shumë punë falë politikave pro-tregtare, kërkesës së fortë të brendshme dhe përshtatshmërisë së industrive tona ndaj sfidave të tregut”.

Një theks i vazhdueshëm, është nevoja për marrëdhënie të mira ekonomike me Shtetet e Bashkuara, sepse “ato sjellin përfitime për të dyja palët dhe për botën”, deklaroi Liu Daliang, zëdhënës dhe drejtor i Departamentit të Statistikave Doganore.

Autoritetet e Pekinit, e kanë nënvizuar vazhdimisht forcën dhe zgjerimin e tregtisë së jashtme të Kinës, pavarësisht sfidave ndërkombëtare, kryesisht luftës tarifore të nisur nga Uashingtoni, duke pohuar se Republika Popullore e ka “forcuar aftësinë e saj për t’i bërë ballë rreziqeve të jashtme”.

Ky mesazh i drejtohet Shteteve të Bashkuara, të cilat përbënin ende 8.8 për qind të tregtisë së jashtme totale të Pekinit për vitin që sapo lamë pas. Kjo është më pak se 9.3 për qind në vitin 2024, por në terma absolutë është më e lartë (rreth 10 miliardë euro), duke pasur parasysh rritjen e përgjithshme të tregtisë.

Nisur nga këto kushte, Xi Jinping nuk duket i shqetësuar nga fuqia e tarifave amerikane. Dy lojtarë kryesorë kanë mbushur boshllëkun në flukset tregtare SHBA-Kinë: Azia Juglindore dhe mbi të gjitha Bashkimi Evropian.

Në rastin e BE-së, kjo nuk është surprizë: suficiti tregtar i Kinës me Evropën e kishte tejkaluar atë me Shtetet e Bashkuara për herë të parë në tetor 2025. Përveç krizës së vitit 2008, kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Në praktikë, tarifat e Trump nuk e ndalën dot vërshimin e eksporteve kineze, por i devijuan ato drejt tregjeve të tjera, përfshirë Evropën, e cila ka hedhur në kosh sasi të mëdha mallrash pa pasur shumë mjete në dispozicion për të zbutur ndikimin afatgjatë të tarifave amerikane.

Deficiti i BE-së po i afrohet gradualisht 400 miliardë eurove, i nxitur veçanërisht nga bum kinez në sektorin e makinave: Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automobilave (CAAM) raportoi se eksportet totale të automjeteve u rritën me 21 për qind vitin e kaluar, duke arritur rreth 7.1 milion.

Vetëm Chery dhe BYD, shitën secila mbi 1 milion makina jashtë vendit. Shifrat e Doganës Kineze e konfirmojnë këtë prirje: eksportet në SHBA ranë me 20 për qind, ndërsa ato në BE u rritën me 8.4 për qind dhe në Azinë Juglindore me 13.4 për qind.

Siç shpjegon Financial Times, pjesa amerikane e eksporteve kineze vitin e kaluar ishte 11.1 për qind, nga 14.7 për qind në vitin 2024 - një nga nivelet më të ulëta që nga vitet 1990. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara po fillojnë që të shohin kufizimin e ambicieve të Trump për të ulur barrën e borxhit të jashtëm.

Deficiti i llogarisë rrjedhëse, i cili pasqyron jo vetëm tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, por edhe flukset e të ardhurave parësore e dytësore midis banorëve të SHBA-së dhe vendeve të tjera, u ngushtua me 22.8 miliardë dollarë, ose 9.2 për qind, duke arritur në 226.4 miliardë dollarë në tremujorin e tretë të vitit 2025.

Sipas të dhënave të Byrosë së Analizës Ekonomike të SHBA-së, kjo ulje pasqyron një ndryshim në bilancin e të ardhurave parësore (si pagat nga dhe në vendet e huaja, ose fitimet kapitale), të cilat kaluan nga deficit në tremujorin e dytë në suficit në tremujorin e tretë.

Po ashtu, u rrit suficiti i shërbimeve dhe më e rëndësishmja u ul deficiti i mallrave. Me pak fjalë, bilanci i llogarisë rrjedhëse është treguesi më i rëndësishëm për vlerësimin e ecurisë së sektorit tregtar, sepse përfshin jo vetëm shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, por edhe flukset e investimeve ndërmjet vendeve./Përgatiti Pamfleti nga: “Huffington Post Italia”

kina tarifat e trump suficit rekord 2025

2 Komente

  1. R
    Roku

    Paudice eshte nje gazetar i te majtes italiane i njohur per lidhjet e tij me qarqet kineze ne Movimento 5s

    1. B
      Balshaj

      Ç’ndodh me sufiçitet? Shiten me 50% të çmimit! Ja ç’ka arritur Kina. Secili bën ekspertin, sidomos gazetarët. Edhe kur nuk ja ka idenë.

      Lini një Përgjigje