TAGS-AT E JAVËS

Forum19 Dhjetor 2024, 11:12

“Fol butë, por me një shkop të madh në dorë!”, formula me të cilin mund të negociohet me Vladimir Putinin

Shkruar nga Anders Aslund
 
“Fol butë, por me një shkop të madh në
Vladimir Putin /

Perëndimi duhet të distancohet nga qasja e butë ndaj Rusisë, një tipar ky i SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës, dhe e përshkruar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Sylvie Kauffmann në librin e saj “Les Aveuglés” (“Të verbrit”)...

Cili udhëheqës perëndimor ka qenë më i aftë në marrëdhëniet me Vladimir Putinin? Me siguri që nuk ka qenë asnjë amerikan apo gjerman i dekadave të fundit. Në të dyja vendet marrëzitë nga të gjitha palët politike ka qenë me bollëk. Xhorxh W.Bush nuk kuptonte asgjë, duke qenë shumë komplimentues për Putinin.

Në qershor 2001, ai deklaroi: “Unë e pashë atë në sy. M’u duk se ishte një njeri shumë i drejtpërdrejtë dhe i besueshëm... Unë arrita të kuptoja shpirtin e tij. Një njeri shumë i përkushtuar ndaj vendit të tij dhe interesave të tij më të mira”.

Ndërsa në shtator 2003, Bush deklaroi: “Unë e respektoj vizionin e presidentit Putin për Rusinë: një vend në paqe brenda kufijve të tij, me fqinjët dhe me botën. Një vend në të cilin lulëzojnë demokracia, liria dhe sundimi i ligjit”.

Edhe pas fjalimit të famshëm anti-amerikan të Putinit në shkurt të vitit 2007 në Mynih, Bush deklaroi në korrik të po atij viti: “Kam zbuluar se Vladimir Putin, është një njeri i qëndrueshëm, transparent, i sinqertë... E di që më thotë gjithmonë të vërtetën!”.

Në kohën e samitit të NATO-s në Bukuresht në prillin e vitit 2008, Putin deklaroi se Ukraina nuk është shtet. E megjithatë, Bush shkoi të takonte Putinin në Soçi. Ndaj nuk është çudi që Putini  e pushtoi Gjeorgjinë 4 muaj më vonë. Edhe Barack Obama gaboi, por në kahun e  kundërt.

Ai e fyeu Putinin publikisht, por nuk bëri asgjë për ta frenuar. Në fushatën presidenciale të vitit 2012, Obama u tall me pretendimin e Mitt Romney se Rusia ishte armiku gjeopolitik kryesor i Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se ai ishte shumë më i shqetësuar për kërcënimin e një sulmi terrorist me bombë bërthamore ndaj Nju Jorkut.

Obama vendosi sanksione ndaj Rusisë, por shtoi se SHBA-ja ishte e përkushtuar për mbrojtjen e aleatëve të saj në NATO, por jo ndaj shteteve jo anëtare përgjatë kufijve të Rusisë. Ai këmbënguli: “Rusia është një fuqi rajonale, që po kërcënon disa nga fqinjët e saj të afërt, jo nga pozitat e fuqisë, por të dobësisë”.

Obama nuk u kujdes asnjëherë për Ukrainën. Ai nuk e vizitoi asnjëherë në 8 vitet e presidencës, dhe refuzoi të mbronte sovranitetin e Ukrainës. Edhe pse shumica e administratës së tij, përfshirë zëvendës/presidentin e asaj kohe Joe Biden, i kërkuan të dërgonte armë në Ukrainë, ai e pengoi atë.

Duket se ai nuk ishte në gjendje të kuptonte rrezikun që paraqiste Rusia. Madje atij i pëlqente presidenti rus Dmitri Medvedev, sot një nga mbrojtësit më të mëdhenj të gjenocidit në Ukrainë.

Sjellja e pamatur e Gjermanisë ndaj Rusisë ka qenë disi e ndryshme, por gati njëlloj e dëmshme.

Kancelari gjerman Gerhard Schröder e mbështeti Putinin me gjithë zemër, dhe miratoi projektin e preferuar të Putinit, gazsjellësin Nord Stream, që kalon përmes Detit Baltik dhe lidh Rusinë me Gjermaninë, edhe pasi i humbi zgjedhjet e vitit 2005.

Disa javë më vonë, u emërua kryetari i bordit të kompanisë “Nord Stream” me një pagë shumë të mirë. Që atëherë, Schröder, si një shërbëtor i paguar i Putinit, ka deklaruar se ky i fundit Putin ka gjithmonë të drejtë - në luftërat në Gjeorgji dhe Ukrainë - dhe madje është një “demokrat i qartë si kristali”.

Çuditërisht, Partia Socialdemokrate gjermane nuk e ka përjashtuar Schröder-in nga radhët e saj.

Fitorja e Angela Merkelit dhe kristiandemokratëve në vitin 2005, u pa si pozitive, por as ajo nuk arriti  që t’i rezistonte Putinit. Edhe pse ishte rritur në Gjermaninë Lindore dhe dinte mirë rusisht, ajo duket se e kuptoi po aq pak Putinin sa edhe Obama.

Gjatë gjithë kohës, ajo kishte frikë se mos e “provokonte” Putinin, duke mos e kuptuar se asgjë nuk e provokon më shumë udhëheqësin rus se sa qasja e butë ndaj tij. Ajo bëri çdo lloj gabimi të mundshëm, duke besuar në marrëzinë e vjetër socialdemokrate gjermane, Ostpolitik, bazuar në besimin se integrimi ekonomik do të çonte në demokratizimin e Rusisë.

Merkel mund ta kishte anuluar vendimin moralisht të dyshimtë të Schröder për ndërtimin e “Nord Stream 1”, por nuk e bëri. Më pas, loboi shumë për ndërtimin e një gazsjellësit tjetër “Nord Stream 2”, duke gënjyer se ishte një projekt thjesht komercial, ndërsa në fakt Rusia e kishte projektuar si një goditje gjeopolitike kundër Ukrainës.

Në samitin e NATO-s në Bukuresht në prill 2008, ajo dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy, e bllokuan rrugën e anëtarësimit për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Merkel e mbron ende këtë qasje, edhe pse vetëm qënia në NATO-s, mund t’i kishte shpëtuar këto dy vende nga agresioni rus.

Kur Rusia sulmoi fillimisht Ukrainën në vitin 2014, Obama dhe Merkel ranë dakord të mos lejonin asnjë dërgesë armësh në Ukrainë, sepse kjo mund të provokonte Putinin. Për vite me radhë, Merkel mbajti një qasje të butë ndaj Putinit, duke këmbëngulur tek negociatat e pakuptimta të Minskut me Rusinë për Ukrainën, dhe duke i dhënë kohë Putinit përgatitej për një luftë më të madhe.

Ajo i minimizoi shpenzimet ushtarake të vendit të saj dhe e ktheu ushtrinë (Ëehrmacht) gjermane në një karikaturë. Çuditërisht, sot Merkel pretendon se u mërzit kur e kuptoi se ishte mashtruar nga Putini. Ndërkohë Sauli Niinistö, presidenti konservator popullor i Finlandës nga viti 2012 e deri sot, shquhet si lideri perëndimor më i mençur në raport me sjelljen ndaj Rusisë. Niinistö ka mbajtur kontakte të rregullta personale dhe telefonike me Putinin. Ai ka komunikuar në mënyrë të vendosur dhe korrekte, por privatisht nuk ka bërë lëshime të panevojshme ndaj Putinit. Në mesazhin e tij të Vitit të Ri në vitin 2022, Niinistö hapi derën pranimit e Finlandës në NATO.

Vendi aplikoi me shpejtësi në maj 2022 me një shumicë të madhe popullore. Një vit më vonë, Finlanda u bë pjesë e aleancës, duke parandaluar me shkathtësi protestat e Moskës. Sigurisht, Rusia provoi të ndezë tensionet me provokime të shumta, nga oferta për blerjen e disa ishujve finlandezë, prerja e kabllove nënujore finlandeze, deri tek përmbytja e këtij vendi me “refugjatë” të Lindjes së Mesme.

Këto janë gjërat që bën zakonisht Rusia ndaj rivalëve, por qeveria finlandeze e kupton këtë, dhe vepron me vendosmëri. Ajo e ndaloi shitjen e territoreve të ndjeshme dhe mbylli të gjitha pikat kufitare me Rusinë. Në dallim nga Gjermania, Finlanda ka një mbrojtje të fortë.

Ajo po bën sot atë që rekomandoi dikur presidenti amerikan Theodore Roosevelt: “Fol butësisht, por mbaj në duart një shkop të madh!”. Perëndimi duhet të distancohet nga qasja e butë ndaj Rusisë, një tipar ky i SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës, dhe e përshkruar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Sylvie Kauffmann në librin e saj “Les Aveuglés” (“Të verbrit”).

Madhësia e një vendi, nuk përcakton domosdoshmërisiht cilësinë e politikës së saj të jashtme. Perëndimi do të bënte mirë t’i dëgjonte politikanët e mençur nga Finlanda ose Estonia, dhe jo budallenjtë në Uashington, Berlin apo Paris./Përshtati Pamfleti nga “Kyiv Post”

Shënim: Anders Åslund, anëtar i Forumit të Botës së Lirë me qendër në Stokholm, dhe profesor Universitetin Xhorxhtaun, SHBA.

Lini një Përgjigje