Kriza politike, ekonomike dhe sociale që po përjeton Gjermania, është pasqyrimi i gjendjes - dukshëm të pasigurt - të një Bashkimi Evropian që i kërkohet sot të përballet me sfida gjigante, nga ekspansionizmi rus tek paparashikueshmëria e Donald Trump, për të kaluar tek praktikat e paskrupullta ekonomike të Kinës.
Në mesin e një bote që po ndryshon me një ritëm të përshpejtuar - gjithnjë e më shumë vende kanë hyrë (ose synojnë të hyjnë) në klubin e BRICS (ekonomitë në zhvillim që po sfidojnë sistemin aktual të qeverisjes globale) - parlamenti gjerman çertifikoi fundin e qeverisë së Olaf Scholz që kohët e fundit ishte në agoni.
Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare siç edhe është njoftuar më 23 shkurt 2025, me kreun e Unionit Kristianemokristian (CDU), Friedrich Merz, që është favoriti kryesor për t’u bërë kancelar i ri. Merz e akuzoi Scholz se po largohet duke e lënë vendin “të zhytur në një nga krizat më të rënda të periudhës së pasluftës”.
Nga ana e tij, kancelari në largim e drejtoi gishtin e fajit tek liberalët e FDP-së, që sollën edhe shpërbërjen e të ashtuquajturit “koalicioni semafor”, dhe që e përfshinte socialdemokratët dhe të gjelbrit. Grindjet brenda koalicionit për çështjet fiskale dhe ekonomike, arritën kulmin kur Scholz shkarkoi më 6 nëntor Ministrin rebel të Financave, liberalin Christian Lindner.
Pas refuzimit të votëbesimit, Scholz do të qëndrojë në detyrë me funksione ekzekutive. Sepse është shumë e vështirë - në mos e pamundur - që të gjendet një shumicë për miratimin e buxhetit për vitin e ri, çështje që çoi në fakt edhe në prishjen e koalicionit qeveritar.
Prandaj që nga 1 janari, Gjermania do të kalojë në një menaxhim të përkohshëm. Nuk ka asnjë dyshim se qeverisja e Scholz ishte problematike. Në fillim, figura e tij ishte në fillim interesante, por më pas u la shpejt në hije, kjo edhe sepse dolën figura të tjera brenda partisë (përfshirë Ministrin e Mbrojtjes Boris Pistorius).
Por duke qenë se Gjermania është një vend qendror i unionit dhe sistemit, kriza gjermane reflekton gjithashtu valë më të thella, të cilat do të ndikojnë në politikën dhe shoqërinë evropiane.
Për këtë është i bindur Federico Niglia, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Peruxhias, dhe këshilltar në Institutin e Studimeve Gjermane në Romës, i cili në një intervistë për HuffPost reflekton mbi dimensionin e dyfishtë - kombëtar dhe evropian – të momentit aktual të brishtësisë që po përjeton ajo që ishte deri vonë lokomotiva e Evropës.
“Thelbi i krizës, ka të bëjë me konsumimin e disa formulave politike, të cilat po dëshmohen si gjithnjë e më shumë të lodhura, dhe që në version gjerman, prodhuan modelin e koalicionit që u inaugurua në vitin 2021 (socialdemokratët + të gjelbrit + liberalët).
Problemi i vërtetë, është se ky koalicion lindi duke menduar për një socialdemokraci shumë të fortë në qendër, e cila do të përfaqësonte një sintezë të instancave të ndryshme por që do të kishin ende një rol shtytës”-thotë ai.
Në fakt, siç e theksojnë shumë politologë gjermanët, SPD e arriti më në fund sintezën, por duke e humbur identitetin, në kuptimin që të vetmet pozicione që u shfaqën në debatin publik, ishte ai i liberalëve ose i të gjelbërve. Pasoja ishte që Partia Socialdemokrate dështoi të riafirmohej në skenën politike pavarësisht fundit të epokës Merkel.
“Të gjithë menduan se Angela Merkel ishte e përgjegjësja kryesore për ‘vrasjen’ e socialdemokracisë. Në fakt nuk ishte kështu: SPD e gjen sot veten duke përjetuar një krizë të fshehtë, e cila e injoron qeverinë dhe formulat politike të momentit”- shton më tej Niglia.
Madje sipas tij, ky është një diskutim që i kalon kufijtë e Gjermanisë. “Ne jemi dëshmitarë të një krize më të gjerë të socialdemokracisë, e cila e mbërriti kulmin me fundin e bipolarizmit, tek Modeli i Laburistëve të Rinj, por që nuk përfaqësonte një alternativë reale afatgjatë”- nënvizonte ai.
Në Gjermani ky proces mori formën e krizës së një partie që ka mbetur e ngathët, si dhe që ka qenë fatkeqe. “Bota nuk eci ashtu siç do të kishin dashur socialistët gjermanë. Le të përmendim pak luftën në Ukrainë. Socialistët kanë qenë vazhdimisht gjatë historisë së tyre përkrahës të mëdhenj të Ostpolitikës, por e gjitha kjo rezultoi e pamundur nga ai moment e tutje. Pati disa ndryshime të forta, siç është marrëdhënia me Lindjen dhe paqja, e cila e dëmtoi shumë SPD-në”- theksoi eksperti.
Këto zgjedhje vijnë në një kohë kur ekonomia kryesore evropiane po përpiqet të ringjallë sektorin e saj industrial të udhëhequr nga eksporti, në mesin e çmimeve të larta të energjisë dhe konkurrencës së fortë nga Kina.
Berlini - ashtu si të gjithë Evropa - po përballet me sfida të rëndësishme gjeopolitike, nga lufta e Rusisë ndaj Ukrainë tek rikthimi i afërt i Donald Trumpi në Shtëpinë e Bardhë, gjë që rrit pasigurinë mbi NATO-n dhe për marrëdhëniet tregtare.
Së fundmi është bërë publike edhe një tjetër e dhënë për tendencën negative të ekonomisë. Sipas indeksit Hcob PMI në lidhje me sektorin e prodhimit, Gjermania ra me 42.5 pikë në dhjetor, nga 43 për qind në nëntor, duke shënuar nivelin më të ulët në 3 muajt e fundit.
Atmosfera është shumë pesimiste. Vetëm 12.6 për qind e kompanive në Gjermani, pret një tendencë më të mirë vitin e ardhshëm, sipas një sondazhi nga Instituti IFO. Ndërkohë, rreth 1/3 (31.3 për qind) pret një përkeqësim të situatës së tyre ekonomike. Shumica (56.1 për qind) presin që situata e tyre ekonomike të mbetet e pandryshuar.
“Për momentin kompanitë nuk shohin asnjë shenjë rimëkëmbjeje ekonomike. Ndërsa ekonomia ka rënë këtë vit, dhe kjo është shumë shqetësuese”- thotë Klaus Wohlrabe, kreu i sondazheve në IFO. Kompania Volkswagen ka rifilluar bisedimet me sindikatat, duke synuar arritjen e një marrëveshjeje përpara Krishtlindjeve.
Parashikohet që drejtuesit e prodhuesit më të madh të makinave në Bashkimi Evropian, të kërkojnë një ulje të pagave në masën 10 për qind për të gjithë punëtorët në Gjermani. Në të kundërt, kërcënon të mbyllë fabrikat e saj atje dhe të shkurtojë dhjetëra mijëra vende pune. Kriza ekonomike po shoqërohet edhe me një krizë të fortë ndaj sistemit politik gjerman, i bazuar tradicionalisht tek një numër i kufizuar partish. “Peizazhi politik ka sjellë rritjen e të paktën dy forcave - në të majtë, Bündnis Sahra Wagenknecht; ndërsa në të djathtë Alternative für Deutschland - ndërsa mendohej se surprizën do ta bënin të Gjelbrit”.
“Bundnis (Aleanca) e Sahra Wagenknecht, e themeluar vetëm një vit më parë, është një parti ekstremiste që po zë vendin e Die Linke (Lidhja). Ajo konkurron shumë më tepër me AfD-në sesa me të tjerët. Prania e këtyre partive të reja e ka bërë sistemin më shumë e ndërlikuar, dhe kjo paraqet sfida të paprecedenta për konceptin e demokracisë gjermane. Ndryshim nuk ka pësuar vetëm sistemi partiak, por edhe vlerat bazë, mbi të cilat bazohet sistemi politik gjerman”- shprehet Niglia.
Ngritja e forcave politike ekstremiste, është një fenomen aktualisht i dukshëm edhe në bastionin tjetër historik të Bashkimit Evropian, në Francë, ku partia e Jean-Luc Mélenchon, France Insoumes dhe Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, kanë trazuar prej muajsh ujërat në Paris.
“Edhe pse ato janë formacione politike që u përgjigjen traditave të ndryshme, është e vërtetë që ato parti e ndërlikojnë qeverisjen e vendeve. Deri dje në nivel ndërkombëtar, kishte një proces të zgjerimit të së globalizimi dhe evropianizimit, ndërsa tani politikat janë bërë shumë më kombëtare, madje edhe në vendet e mëdha”- nënvizoi politologu.
Dhe e gjithë kjo ka pasoja në Bashkimin Evropian. Boshti i famshëm franko-gjerman, nuk i ka më ato konturet që paraqiti në fillim të viteve 2000. Sot ato janë 2 vende që përballen me probleme të forta të brendshme, përfshirë destabilitetin social.
Në Gjermani ka shumë zhgënjim mbi disa politika energjetike, që tani po rezultojnë të jenë shumë të ashpra, si mbyllja e termocentraleve bërthamore dhe investimet në burimet e rinovueshme, që po japin rezultate të përziera (si për shembull energjia e erës).
Ndaj Berlini po merr masa të kundërta, duke aktivizuar termocentralet më qymyr, të cilat janë të shtrenjta dhe ndotëse. Dhe kjo na sjell te Friedrich Merz, kundërshtari historik i Angela Merkel, që tani po korrik një fitore të vonë ndaj merkelizmit.
Ai e ka rishikuar linjën e saj politike dhe e ka ri-pozicionuar CDU-në në qendër të së djathtës, me një vijë më të qartë dhe më konservatore (për shembull ndaj emigrantëve, me kërkesën për të mos pranuar më refugjatë sirianë).
Synimi i operacionit të tij është i dyfishtë. Nga njëra anë, ecjen përpara të AfD (me sa duket me sukses, mbi të gjitha falë binjakes së CDU-së, CSU-së bavareze). Nga ana tjetër, për t'iu përgjigjur nevojës për një politikë kombëtare që në Gjermania ndihet tani po aq fort sa kudo tjetër./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje