
Ismail Kadare është “sui generis” dhe përtej çdo politike kulturore në Shqipëri, fati i tij nuk varet më vetëm nga ne, lexuesi shqiptar është një fetë në rrethin e madh.
Tek lexova lajmin e fundit se Ismail Kadare do të varroset në Tufinë diçka më sëmboi së brendshmi.
Me gjasë na goditi përsëri rastësia dhe nuk na gjeti të përgatitur.
Kadare është njeri si gjithë ne të tjerët por gjeni që ne të tjerët nuk jemi, kontribues i pashoq ndaj vendit të tij dhe kulturës universale që ne të tjerët nuk jemi dhe po shkon atje mes shumë vdekatarëve personaliteteve a njerëzve të zakonshëm, asnjëri si ai.
Kadareja ai i cili i dha Europës dhe Botës një Shqipëri plot sqime e madhështi, me kontë e baronë, me gjuhë të vjetër murgun Gjon roje të saj, me luftëra e përpjekje të mëdha në mbrojtje të civilizimit e qytetërimit, me zonja e personazhe emërkumbues, po kaq i përfshiu qytetet e kontinentet nga Gjirokastra në Paris, nga Shkretëtira e Gobit në Moskë, nga Kruja e Skënderbeut në Stambollin e sulltanëve, nga Tirana në Pekin, nga Prishtina ne Washington, nga Athina në Romë, në letrat e veta, duke zbritur thellë në kohëra eskiliane e duke u ngjitur tek ato të Stalinit, Hrushovit, Mao Ce Dunit, Enver Hoxhës, Klintonit, Miterranit, Kolit, Rugovës e shumë kujt tjetër nuk e meritonte kaq modesti qoftë edhe të përkohshme nga populli i tij.
Rruga e fundit që do të përshkruajë shkrimtari sa del pak nga qendra i ngjan një rruge të hapur nga nomadët në ikje duke lënë pas rrëmujë, pluhur e pisllëk.
Do dukemi në kamerat e botes së paku mosmirënjohës, sikur se paskemi merituar atë vetë!
Shqipëria ka dhe duhet të kishte më shumë mundësi se aq.
Kombet e qytetëruara duke respektuar elitat e veta kanë çmuar progresin dhe krenarinë kombëtare. Çfarë është krenaria kombëtare? Vepra dhe bëmat e një grushti njerëzish në shekuj për vendin dhe popullin e vet a për humanizmin në përgjithësi.
Ndarja veç e tyre nuk është diskriminim për të tjerët por mirënjohje që të tjerët shfaqin për ta.
Vendet europiane kanë shumë prej tyre “Panteon” ku vendosin shkrimtarët, luftëtarët, politikanët e shquar! Franca sidomos po edhe të tjerët!
Ato janë pika peligrinazhi referimi e reflektimi pse jo dhe turizmi kulturor.
Ne kemi edhe eksperiencat e lënies pa varr apo në frigorifer. Për fat te keq s’kemi bërë asnjë përpjekje së paku për rilindasit tanë, shtetformuesit a luftëtarët. Mbase duke parë çfarë kompromisesh bëhen më mirë se “Panteoni” do të banalizohej pa masë ku çdo qeveri, çdo politikan, çdo kryetar bashkie a biznesmen do bënte qokat e veta dhe mbase do gjendej gjithmonë një mik për të futur njerëz në “Panteon” aq sa nuk do mbetej më askush për varrezat publike! Por prej motesh e kemi pranuar që Ismail Kadare është “sui generis” dhe përtej çdo politike kulturore në Shqipëri, fati i tij nuk varet më vetëm nga ne, lexuesi shqiptar është një fetë në rrethin e madh.
Më shumë se duke nderuar Kadarenë nderojmë veten nëse atij i bëjmë respektin që meriton.
“Lavdia e tij s’ka nevojë për asgjë e jona ka për të”, patën shkruar francezët për Molierin! Vlen, vlen dhe për ne e Kadarenë! Nuk dua të bëj politikë në ditë si kjo por qeveria shqiptare duhet të shpallë menjëherë një konkurs ndërkombëtar për një ansambël muzeal kushtuar Ismail Kadaresë ku aty të jetë dhe varri i tij. Tufina duhet të jetë e përkohshme, sa më shkurt, jo një e përkohshme që rri gjithë jetën.
Nuk është e lehtë se në Tiranë dy lulishte kanë mbetur një para Rognerit dhe një pas Kryeministrisë, megjithëse në Vlorë, Ati i shtetit tonë Ismail Qemali në një lulishte e ka banesën e fundit i veçuar siç i takon të jetë.
Një tjetër zgjidhje mund të realizohet në një kodër tek Parku i Liqenit se në qytet s’ka më tokë për asgjë veç pallateve! Kadare na ka nderuar gjithmonë, na ka dhënë, shumë madje, gjuhë, kulturë, identitet, krenari e patriotizëm, le ti japim dy metra dhe të denja! Mevlan Shanaj tha pas Skënderbeut ikja më e madhe ishte kjo, ndoshta ka përkufizuar të vërtetën. Kësaj të vërtete nderin që i takon pa ndoshta e sikur!!!
Lini një Përgjigje