TAGS-AT E JAVËS

Forum20 Nëntor 2024, 15:47

Dashuria e humbur dhe krimet e një diktatori...

Shkruar nga Spartak Ngjela

Dashuria e humbur dhe krimet e një diktatori...

A mos vallë ka shumë diktatorë të tillë që kanë humbur Katon, dhe e kanë kthyer vrasjen, vrasjet masive dhe diktaturën shtetërore në një krim masiv, pikërisht sepse kanë humbur Katon?

Kur Stalini humbi Katon (Katevan Svanidze), të dashurën e tij gjeorgjiane shumë të bukur, ai  shkonte tek varri i saj dhe me një zë të plotë i thosh: Pse Kato më ktheve në një gur?!

Dhe kësaj gruaje ai i këndonte vijimisht këngën e bukur gjeorgjiane Sulikó.

Vetëm me këtë këngë, i kthyer në gur, dhe i gjithi në pushtet diktatorial, Josif Stalin mendohet se ka vrarë miliona njerëz. Dhe ai mendonte Katon, këndonte këngën Sulikó, dhe vriste kundërshtarët e tij, miqtë e tij, bashkëpunëtorët e tij, dhe jetonte si gur. Psikika e tij në këtë gjendje ende nuk është e studiuar thellë: ishte humbja e Katos që e futi Stalinin në këtë rrugë të gjatë krimesh, apo ishte natyra e tij prej sundimtari mizor që i jepte shtysën, duke menduar seksualisht me fantazinë e tij erotiko-kriminale Katon e gjallë?!

A mos vallë ka shumë diktatorë të tillë që kanë humbur Katon, dhe e kanë kthyer vrasjen, vrasjet masive dhe diktaturën shtetërore në një krim masiv, pikërisht sepse kanë humbur Katon?

Sigurisht që ka dhe shumë të tjerë.

Por, pse dhe si i ka kthyer Katoja në Gur këta diktatorë?

Kjo ende nuk është zbërthyer saktë, edhe pse janë shkruar mijëra faqe për këta lloj diktatorësh të ngurtë që kanë humbur dashurinë patologjike për një grua të bukur, dhe janë kthyer në vrasës të përbindshëm. Po, a ka mundësi reale që të ketë pasur një dashuri të madhe një vrasës masiv si Stalini?!

Por, a është studiuar thellë biologjikisht, dhe, a dihet lidhja midis dashurisë së humbur, krimit; dhe të gjitha krimeve që bën një burrë që ka humbur një dashuri të madhe?

Kjo gjendje njihet si fakt historik, por ne ende nuk kemi një shpjegim shkencor se si kalohet nga Humbja e një dashurie të madhe për një grua shumë të bukur, në kthimin e ngurtësuar kriminal të burrit që ka pësuar humbjen, dhe ai vret. Prandaj ende nuk ka një shpjegim biologjik e mendor për kalimin e Stalinit në një vrasës dhe në një diktator të pashpirt e mizor.

Por ne dimë vetëm faktin që Stalini, i kthyer në gur nga vdekja e Kates, u bë një diktator e vrasës i pashpirt.

Dhe ja, një  individ si ky, pasi ka fituar pushtetin si diktator i një vendi, me djallëzitë e tij, ai vret kundërshtarët e tij, vret e vret vijimisht, dhe shkon shpesh e poetizon kriminalisht te varri i Kates së vet. Pse?

Po Stalinin, këtë vrasës dhe diktator mizor, vërtet e ka bërë të tillë vdekja e Kates së bukur, që ishte e dashura e tij në një dashuri të humbur?

Ende nuk kemi një studim shkencor të mirëfilltë për këtë ngjarje historike.

Pastaj, për vite me radhe, si diktator mizor që ishte, duke kujtuar Katen, Stalini degjonte gjithmonë një këngë gjeorgjiane: kënga quhet Sulikó dhe është një këngë shumë e bukur dhe që kuptohet se, në këtë bukuri mahnitëse, ajo e mban tragjedinë brenda saj.

A kanë pasur diktatorët e mëdhenj një humbje dashurie me një grua të bukur, një braktisje nga një grua e bukur apo një dashuri platonike për një grua shumë të bukur, që i ka ngurtësuar ata për t'u bërë diktatorë mizorë?

Po, si rregull ata e kanë pasur një humbje të tillë.

Por deri më sot...

 Ende nuk po dihet të shpjegohet saktë se çfarë është në thelb dashuria e një burri për një grua të bukur që nuk i ndahet nga mendimi, se dihet që ai mendon gjatë gjithë ditës për atë. Ashtu siç dihet gjithashtu që shpesh këta tipa janë kthyer në  individë tragjik.

Sigurish që, edhe ky mendim emocional është quajtur dashuri, dhe këta tipa nga psikologjia komune janë quajtur: të çmendur nga dashuria e humbur...

Por, ka edhe diçka. Sepse humbja e asaj dashurie të madhe ka shumë individë që i ka kthyer në një gjendje të ngurtë, dhe i kanë hyrë luftës për pushtet, dhe janë bërë edhe diktatorë zemërgurtë e mizorë.

Por, ama, janë edhe talentet e mëdha që, këtë humbje në dashuri e kanë kthyer në një letërsi të madhe: në drama, në tragjedi dhe në romane të një fuqie të lartë artistike. E pra, çfarë është humbja e një dashurie të madhe?

Ja, kjo ende nuk ka një shpjegim biologjiko-instinktivo-mendor.

Por, a ka ndonjë shembull historik?

Po, shembulli më tipik mund të jetë ai i gjakatarit tiranik Josif Stalin.

Lini një Përgjigje