TAGS-AT E JAVËS

Forum 8 Nëntor 2024, 19:34

Beteja e 2025-s: Të paprekshmit, përballë të prekshmëve

Shkruar nga Ylli Pata

Beteja e 2025-s: Të paprekshmit, përballë të prekshmëve

Në rastin e videos Meta-Prifti, Berisha dhe Meta u bashkuan për të ndaluar pranimin e ekspertizës amerikanët për audion dhe videon dhe prodhuan vendimin unanim të Gjykatës së Lartë, që shpëtoi Ilir Metën.

Zgjedhjet e vitit 2025, jo për fatin, por për fajin e opozitës do të kenë të njëjtën kauzë fotokopje si në 2017 dhe 2021.

Betejën e famshme që e ka lançuar ambasadori Donald Lu në vitin 2017. Të paprekshmit ndaj të prekshmëve. SHBA, e cila është thelbi i konfliktit politik në Shqipëri.

Ndërsa çdo ditë prodhohen nga kuzhinat e babaleve lajme të sajuara apo kauza ambulante siç ishte ajo e fitores së Trump, shërbejnë si karburant politikë për të shtyrë javën.

Por në fund, gjithçka do të dalë e qartë në fushatën zgjedhore të majit 2025. Edhe pse Sali Berisha është në arrest shtëpie dhe Ilir Meta është i arrestuar, ata e konsiderojnë çshtjen e tyre jo një problem me drejtësinë, që më pas të marrin një vendim për ta lënë mënjanë politikën. Por duan që nëpërmjet politikës të mbrohen nga çështjet që kanë me drejtësinë.

Ky ësht ekzaktësisht e kundërta e standartit normal në një vend perëndimor, dhe fiks sjellja si një personazh i paprekshëm. Kanë kaluar javë nga ndalimi i Ilir Metës nga policia, dhe ende vazhdon jehona e argumentevë të palëve se ai është rrëmbyer. Pse ndodh kjo? Sepse sipas tij dhe mbështetësve të tij, ai duhet të ishte thirrur në zyrë dhe më pas të kishte shkuar në burg apo prokurori me këmbët e veta.

Ky është një argument i qartë që tregon pikërisht atë standard që ata kërkojnë për Ilir Metën. Pra sipas tyre Meta dhe Berisha duhet të trajtohen ndryshe nga qytetarët e tjerë. Po përse nuk e bënë këtë me Fatos Nanon, Ramiz Alinë, Lefter Kokën, Ilir Beqajn apo edhe me zyrtarë të tjerë që janë arrestuar në vite?

Sepse sipas tyre një ish-president, një ish-kryeministër, një ish-kryetar Kuvendi nuk duhet të trajtohet ashtu siç është trajtuar. Kur realisht secili, aq më shumë një pushtetar e politikan që ka sasi monetare e avokatë të pafund për ta paditur policinë në çdo rast.

Koncepti është i qartë, sepse jemi në logjikën e prerë të standardit se siç thotë Berisha: Dhëndri im mori pronat e veta. Edhe pse ato prona ishin të shtetit, pjesë e një klubi sportive, që para Luftës së Dytë Botërore ishin blerë nga shteti italian.

Ata nuk e pranojnë të gjykohen, naj e quajnë SPAK-un një mekanizëm të pushtetit. Pasi po sipas tyre nëse SPAK nuk do të ishte me pushtetin, ata nuk do të ishin as nën akuzë, e as në arrest.

Në vitin 2008 kur nisi i hetimit të katastrofës së Gërdecit, Sali Berisha atëherë kryeministër, sulmoi kreun e akuzës në Prokurorinë e Përgjithshme, Zamir Shtylla, i cili kishte çështjen e dosjes. Dhe e largoi, duke ndikuar në kupolën e drejtësisë.

Në rastin e videos Meta-Prifti, Berisha dhe Meta u bashkuan për të ndaluar pranimin e ekspertizës amerikanët për audion dhe videon dhe prodhuan vendimin unanim të Gjykatës së Lartë, që shpëtoi Ilir Metën.

Ata shpëtuan se janë ATA, se përndryshe do të ishin përballë me procesin duke lënë përkohësisht politikën. Edhe Silvio Berluskoni ndjesë pastë, bëri dënimin e më pas para vdekjes u rikthye si për hakmarrje.

Në fjalë të thjeshta, si Berisha dhe si Meta, e quajnë veten të persekutuar sepse janë nën hetim, jo se akuza naj tyre është e montuar. Meta akuzon Monikën se ja ka bërë dëmin, kurse Berisha thotë se pronën dhëndri e ka marrë me të drejtë.

Nga ana tjetër, mazhoranca ka dhënë standardin që kush del nën hetim largohet nga politika. Berisha e Meta nuk e kanë bërë, madje qëndrojnë të gozhduar në krye të partive të tyre. Kjo është logjika e të paprekshmëve. E pikërisht për herë të tretë kjo ndarje do të dalë para shqiptarëve.

beteja e 2025 të paprekshmit përballë të prekshmëve

Lini një Përgjigje