TAGS-AT E JAVËS

Forum 8 Nëntor 2024, 13:16

Presidenca Trump, jo domosdoshmërisht një dhuratë për Putinin, çfarë mund të ndodhë me luftën në Ukrainë

Shkruar nga Chris Stevenson

 

Presidenca Trump, jo domosdoshmërisht një dhuratë për
Trump dhe Putin /

Premtimi i Trump për t’i dhënë fund sa më shpejt luftës në Ukrainë, mund të mos jetë dhurata që do të dëshironte Kremlini...

Uashingtoni ka dhënë më shumë se 64 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, shumë më tepër se sa çdo aleat tjetër i Kievit në Perëndim. Ndërsa ndihma e Evropës nevojitet dhe vlerësohet, është SHBA-ja forca kryesore lëvizëse për mbrojtjen e Ukrainës nga Rusia.

Ajo është një shtyllë kyçe, të cilën Ukraina shpreson se nuk do të shkërmoqet. Megjithatë, presidenti i ri Donald Trump ka deklaruar hapur se beson se Amerika po shpenzon shumë për interesa jo-amerikane.

Ndërsa mbështetja do të vazhdojë të paktën deri në janar, kur Trump të marrë zyrtarisht detyrën në Shtëpinë e Bardhë, Kievi frikësohet se ky burim parash do të mbyllet, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë në shumë segmente të vijës së frontit në Ukrainë, teksa Rusia po përparon ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme në rajonin lindor Donetsk.

Kanë mbetur ende pa u shpërndarë disa miliardë dollarë, të cilat Joe Biden mund të kërkojë në javët e fundit të mandatit që t’ia dërgojë sa më shpejt Kievin. Por më pas gjithçka do të varet nga Donald Trump dhe një Kongres i kontrolluar prej Partisë Republikane.

Presioni mbi ushtrinë e Ukrainës në vijën e frontit do të rritej shumë shpejt. Kjo do të shoqërohej me një shtim të numrit të viktimave. Evropa e ka rritur prodhimin e municioneve të artilerisë, ndërsa Ukraina po bën maksimumin në kushtet e luftës për të rritur prodhimin e saj të armëve.

Por humbja e fondeve të SHBA-së, apo edhe ndërprerja e tij, do të krijonte një boshllëk të madh. Në Kongres u bllokua për muaj të tërë ndihma prej dhjetëra miliarda dollarësh. Bllokada zgjati nga tetori 2023 deri në marsin e këtij viti, dhe protagonistë ishin ligjvënësit që mbështesin Trumpin.

Kievi u detyrua të përdorte më shumë para nga buxheti i tij i kohës së luftës, në përpjekje për të ruajtur furnizimet për trupat e tij në front. Ushtarët e vijës së parë folën për mungesa, veçanërisht në artileri, dhe u lutën për ndihmën e SHBA-së.

Të tjerët e bënë të qartë se shumë nga trupat po vdisnin nën zjarrin e fortë të forcave të Vladimir Putinit. Duke pasur parasysh presionin e shtuar nën të cilën gjendet aktualisht forcat e Ukrainës, teksa Moska synon të konsolidojë përparimet e saj muajt e fundit - me mijëra ushtarë të Koresë së Veriut po forcojnë pozicionet ruse - një tjetër vonesë e këtij lloji do të kishte pasoja të rënda.

“Unë shpresoj që të rritet sasia e armëve për fitoren tonë. Ne nuk na intereson kush është president i SHBA-së, përderisa nuk na e ndërpresin ndihmën, pasi kemi nevojë për të”-u tha gazetarëve një komandant i një njësie artilerie në Ukrainën Lindore, i njohur me nofkën “Mozart”, disa orë përpara se të konfirmohej fitorja e Trump.

Trump e ka përshkruar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si “tregtarin më të madh në botë” për sigurimin e ndihmës së SHBA-së, dhe fajësoi së fundmi si udhëheqësin ukrainas ashtu edhe Biden për lejimin e fillimit të luftës, pavarësisht se ishte Putin ai që sulmoi dhe pushtoi vendin fqinj.

Trump është mburrur shpeshherë mbi marrëdhëniet e tij të mira me Putinin, duke e quajtur atë “shumë të zgjuar” dhe “të rrahur me jetën”. Zelensky e di se lutjet e vazhdueshme për ndihmë nuk do të funksionojnë me Donald Trumpin. Ai duhet të jetë pragmatik, dhe të luajë me vanitetin e presidentit të zgjedhur.

“Unë e vlerësoj angazhimin e presidentit Trump ndaj qasjes ‘paqe përmes forcës’ në çështjet globale. Ky është pikërisht parimi që praktikisht mund të sjellë paqen e drejtë në Ukrainë.  Shpresoj se do ta vëmë në veprim së bashku”- shkroi ai në një mesazh në platformën sociale X, dikur Twitter.

Trump ka deklaruar vazhdimisht, se nëse zgjidhej do të arrinte brenda një dite një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, edhe pse nuk ka thënë se si do ta bënte këtë. Në Kiev ekziston frika se nxitimi për të arritur një marrëveshje paqeje, do të nënkuptonte që Ukraina të detyrohet të heqë dorë nga territori i pushtuar aktualisht nga Rusia, gjë që Zelensky ka thënë vazhdimisht se kombi i tij nuk do ta pranojë.

Vetë Kremlini ka qenë i kujdesshëm në reagimin e tij ndaj fitores së Trump. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha se presidenti i zgjedhur kishte bërë disa deklarata të rëndësishme gjatë fushatës së tij, në lidhje me dëshirën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por vetëm koha do të tregojë nëse ato do të çojnë në veprime konkrete.

“Të mos harrojmë se jemi duke folur për një vend jo mik, i cili është i përfshirë drejtpërdrejt dhe tërthorazi në një luftë kundër shtetit tonë”- u tha Peskov gazetarëve. Edhe pse Putin do të jetë pa dyshim më i lumtur me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, sesa nëse do të kishte fituar Kamala Harris.

Por premtimi i Trump për t’i dhënë fund sa më shpejt luftës në Ukrainë, mund të mos jetë dhurata që do të dëshironte Kremlini. Kundërvënia e Putinit ndaj Perëndimit, e cilëson SHBA-në dhe aleatët e saj si një kërcënim ekzistencial për Rusinë. Për të është një kërcënim që nuk mund të zhduket.

Ndaj duke u ulur në tryezë, ekziston rreziku që të dëmtohet kjo qasje. Po ashtu, duke pasur parasysh se Putin synonte pushtimin e Kievit që në fillim të luftës, është e qartë se ai dëshiron ta pushtojë të gjithë Ukrainën, dhe nuk do të dëshirojë të arrijë ndonjë marrëveshje derisa Rusia të vazhdojë të përparojë, apo nëse ai mendon se ka të ngjarë të bjerë mbështetja e SHBA-së për Kievin.

Mjeti kryesor negociues i Putinit dhe Trump, është retorika e tyre u bujshme. Është e qartë se çfarë përfiton Trump nga ndërmjetësimi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Por a do të ketë ai në të vërtetë vullnetin për të provuar dhe arritur këtë gjë? Për Zelensky-n, në lojë është mbijetesa e kombit të tij.

Ndërprerja e ndihmës ushtarake nga Uashingtoni, do të paguhej me një çmim shumë të lartë, si në ushtarë por ndoshta edhe në territor. Ky është një skenar, të cilin Ukraina dhe bota nuk kanë luksin që ta pranojnë. Presidenti i Ukrainës dhe aleatët e tij evropianë, do të duhet ta bindin Trumpin për të njëjtën gjë./Përshtati Pamfleti nga “The Independent”

trump putin ukraina

Lini një Përgjigje