
Transferim kërkove, transferim, të dhamë: Do të dhje**sh dhe Korçën, siç dhj*ve Bera(t)në?
Problemin e kapërcimit të ylberit politik nga njëra parti në tjetrën, veçanërisht në prag të zgjedhjeve, nuk e shpikëm ne shqiptarët. Ai është fenomen i zakonshëm në politikën botërore. Ne vetëm e perfeksionuam, duke i dhënë format e mediokritetit tonë dhe duke e çuar më përpara. Mjedisi ynë i ndotur politik, ka shumë nevojë për t’u kthjelluar e kjo bëhet e mundur vetëm duke futur elementë të rinj, të cilët i kanë dyert të mbyllura pa lejen e kryetarëve partiakë që e kanë ndyrë gjithë politikën shqiptare.
Fenomeni i kalimit nga njëra parti në tjetrën jo vetëm që nuk e kthjellon spektrin, por e ndyn akoma më keq atë. Janë të kuptueshme zhgënjimet në politikë, por në asnjë rast nuk mund të fajësohen votuesit për këtë, ndaj dhe është e drejtë e tyre që të kërkojnë minimumin e moralit politik tek të zgjedhurit.
Se, ti or mik u zhgënjeve, askush nuk ka faj pse qëllove dritëshkurtër apo interesaxhi, dhe të ardhmen tënde e mbështete tek një forcë e caktuar politike. Pas dështimit të synimeve të tua në partinë që zgjodhe, mendoj se nuk është e drejtë të rreshtohesh në forca të tjera, që deri dje i pate kundërshtare, sepse në radhë të parë, ti ke vrarë moralin tënd politik (se mos ka pat ndonjëherë moral kjo politikë!) dhe në radhë të dytë ke vrarë besimin.
Kur dështon aty ku mbështete idealet e tua, mirë është të shikosh ku u bë gabimi dhe të hiqesh mënjanë, sepse insistimi yt ka zënë vendin e një tjetri. Dështimi politik nuk është katastrofë, ndaj i duhet dhënë vendi që meriton. Në rast dështimi është normal tërheqja e jo ndryshimi i krahut. Jeta mund të përballohet edhe me plot aktivitete të tjera, përtej politikës, dhe derisa politikanët s’duan ta kuptojnë, është detyra jonë si votues tu tregojmë vendin. Shqipëria s’ka pse kthehet në fushë eksperimentale dështakësh. Pas tërheqjes së mjaft krerëve nga Partia e Lirisë, tani së fundi vjen edhe Brahimllari me Bashën e renditen në PS. Nuk më çudit kjo zgjedhje, pasi një i tillë ishte edhe vet Rama që kjo lëvizje i doli me sukses, por unë kurrë s’mund të besoj se tek këta njerëz ekziston një bindje e caktuar politike që të përbëjë kauzë të jetës.
Tani që Partia e Lirisë mori ujë nga poshtë, nuk përjashtohet që edhe Monika, e cila sakrifikoi çizmen, për të ndotur fytyrën e Ramës, të kërkojë azil në këtë parti, por problemi mbetet tek pyetja, se ku po shkojmë me këtë stil që ka mbi 30 vjet që poshtëron votën e shqiptarit? Shqipëria është vend i vogël dhe 100 e ca parti, janë ca si tepër për të. Shumica e tyre ka përmbledhur të tillë dështakë dhe mirë kanë bërë, por më mirë do të ishte që të krijonin një parti të tyre të dështakëve e jo të shpërndaheshin në parti të tjera, sepse mikrobin e tyre të krimit, vjedhjes e mashtrimit do e përhapnin në mënyrë të pakontrolluar e prapë do e kthenin luftën kundër korrupsionit nga e para duke e kthyer në një rreth vicioz. Që të jemi të sinqertë këtë rrugë ndoqi edhe vet Rama për ardhjen në krye të socialistëve, por unë kurrë s’kam besuar se Rama është socialist. Ai ishte një aliazh anarkisto− demokratik që iu desh vendit në një periudhë të caktuar. Edhe pa qenë socialist, merita e tij s’mund të mohohet në rrafshimin e tensioneve që vinin nga ekstremi i djathtë. Fatkeqësisht ai shkoi edhe më tej duke bërë ujdi me krimin berishist, i cili edhe pas 20 e ca vjetësh akoma s’po gjykohet. Deklaratat e Ramës se nuk ndërhyn në drejtësi, janë shumë cinike në një kohë që vendi ka kaluar Gerdec e 21 Janar. Për këto arsye ai është mjaft arkaik dhe socialistët duhet ta kishin bërë me kohë rrokadën. Fakti që edhe këto zgjedhje po i drejton ai, nuk është pozitiv për vendin.
Jemi një vend i vogël dhe kemi të drejtën e zotit, që të kërkojmë pak moral nga politika. Nuk jam kundër ndryshimit të bindjeve, por s’mund të besoj se kjo gjë u bëka tak− fak si me urdhër të peshkut. Lëvizja e fundit e zotit Basha nga Kamza, pikërisht në kohën që sa janë publikuar dhe listat e kandidatëve për deputet, më kujton një histori nga koha e Lartmadhnisë së tij, Mbretit Zog.
Ish adjutanti i tij besnik Osman Gazepi emërohet i plotfuqishëm në Korçë. Mirëpo atje i njihnin dhembë e dhëmballë dhe e vinin në lojë. U ndie keq dhe menjëherë i kërkon Lartmadhnisë së tij, që ta transferojë nga Korça në Berat, me që atje nuk ia njihnin hyneret. Mbreti nuk e bëri dysh kërkesën e tij, dhe shpall transferimin. Mirëpo thonë se huqet dalin me shpirtin dhe të njëjtat lapërdhi që bëri në Korçë, po i përsëriste në Berat. Plasi edhe këtu humori akoma më i hidhur se i Korçës, dhe Gazepi duke mos e duruar dot fyerjet, i bën prapë kërkesë Naltmadhësisë, që ta transferojë prapë në Korçë. Pasi lexoi kërkesën, Zogu i përgjigjet me një distik brilant: Transferim kërkove, transferim, të dhamë. Do të dhje**sh dhe Korçën, siç dhj*ve Bera(t)në? Kohët vërtet bëjnë përsëritje, por shqiptari është shumë i lodhur e i munduar për të duruar të tilla lodra në shpinën e tij. /Pamfleti
Lini një Përgjigje