
Bashkimi Evropian nuk do të ekzistojë në vitin 2040, nëse vazhdon që të centralizojë pushtetin e tij në kurriz të shteteve anëtare sovrane. Evropa duhet t’i rikthehet bashkëpunimi ndërqeveritar që e bëri të suksesshme, ose rrezikon të bëhet më pak se shuma e pjesëve të saj.
BE fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2012, për shkak të kontributit të tij në avancimin e paqes dhe pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë. Duke qenë se kishin kaluar 4 vite nga lufta në Gjeorgji, e pashë atë çmim si një truk politik. Megjithatë, mbeta pro-evropian. I rritur si fëmijë i një ushtari britanik në Gjermani, më kujtohen pikat e kontrollit kufitar në Holandë gjatë udhëtimeve në fundjavës dhe ndjesia e një vendi të marrë me mure. Dhe kjo vetëm 25 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kujtoj gjithashtu udhëtimet në vende të tjera, nga Spanja, Italia, Franca dhe Austria dhe emocionet për diversitetin e tyre në gjuhë, kulturë dhe kuzhinë.
Të jetuarit në Evropë si fëmijë në një familje të qëndrueshme, ishte një përvojë jashtëzakonisht e pasur. Për këtë arsye, mendoj se suksesi më i madh i projektit evropian ishte rrëzimi i barrierave midis kombeve dhe popujve. Tek e fundit, Traktati i Romës i vitit 1957-ës, ishte i vendosur të hidhte themelet e një bashkimi gjithnjë e më të ngushtë midis popujve të Evropës.
Kur Britania ishte ende anëtare e BE-së, kënaqesha gjithmonë me ndjenjën e të qenit pjesë e një komuniteti më të gjerë të njerëzve evropianë, duke ruajtur identitetin tim të qartë britanik. Dallimet tona si kombe e bëjnë Evropën një kontinent kaq të gjallë. Përpjekjet për ta homogjenizuar mund t’ia zhdukin këtë dinamizëm. Lejimi i lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe investimeve në të gjithë Evropën, pati një efekt transformues në marrëdhëniet midis njerëzve dhe shteteve.
Nëse kthehemi paksa në histori, do të gjejmë shembuj të panumërt të luftërave - përfshirë Luftën e Dytë Botërore - që lindën nga imponimi i detyruar i vështirësive ekonomike. Suksesi më i madh i Evropës - mungesa e luftërave që e kishin pllakosur kontinentin për shekuj - u arrit gjithashtu përmes një bashkëpunimi ndërqeveritar që reduktoi barrierat, pa e reduktuar shumë sovranitetin dhe identitetin kombëtar të shteteve anëtare.
Sot, ideja e bashkimit gjithnjë e më të ngushtë të popujve po promovohet nga ata që janë të vendosur për ta shndërruar Evropën në një shtet sovran. Por unë nuk e kuptoj se si mund të ndodhë diçka e tillë. Për shembull, ideja e një presidenti të BE-së të zgjedhur me votë është thjesht fantazi.
Një qytetar francez nuk do të votonte kurrë që presidenti i Evropës të ishte një gjerman apo akoma më keq, një britanik. Edhe një ushtri evropiane nuk do të ekzistojë kurrë për të njëjtat arsye. Asnjë vend nuk do të pranonte t’i jepte kontrollin e forcave të tij të armatosura një zyrtari të pazgjedhur në Bruksel.
Megjithatë, shtrembërimet dhe përçarjet e shkaktuara nga përpjekja e vazhdueshme drejt centralizimit, rrezikojnë që ta copëtojnë Bashkimin Evropian. Sot arsyeja e vetme e ekzistencës së Bashkimit Evropian duket se është disfata strategjike e një vendi fqinj - Rusisë - megjithë koston e madhe politike dhe ekonomike për qytetarët evropianë, të cilëve u mohohet e drejta e fjalës.
Centralizimi gjithnjë e më i madh i pushteteve në Evropë, do t’i lërë pashmangshëm shtetet anëtare të ndihen të zhveshura nga sovraniteti si dhe nga sulmi ndaj identitetit të tyre. Kjo do të vazhdojë të nxisë disidencën politike dhe presionin për shpërbërje, që mund ta shohim tashmë në Gjermani, Francë, Hungari dhe vende të tjera.
Dikur bashkëpunimi midis qeverive kombëtare dhe përqendrimi tek emëruesi më i ulët i përbashkët në politikë e parandaloi përvetësimin e pushteteve të mëdha nga Brukseli. Politikanët dhe diplomatët e urrenin “Konsensusin e Brukselit”. Shtetet anëtare ishin të lira të menaxhonin vendet e tyre.
Komisioni nuk nxiste në mënyrë aktive konfliktin si brenda vetë Evropës ashtu edhe në vendet fqinje. Dikur ndryshime të mëdha në rolin dhe funksionet e institucioneve të Evropës u miratuan përmes traktateve. Përpjekja për të krijuar një Kushtetutë Evropiane, u rrëzua nga holandezët dhe francezët në referendumet e vitit 2005.
Roli i Përfaqësuesit të Lartë Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë u vendos me Traktatin e Lisbonës, por kjo vetëm pasi rezistenca nga votuesit irlandezë u zbut me një referendum të dytë.
Komisioni Evropian duhet të jetë gjithmonë përgjegjës para shteteve anëtare, sepse përbëhet nga zyrtarë të pazgjedhur, edhe nëse 6 drejtuesve të tij u jepet statusi i kryeministrit në takimet ndërkombëtare. Por ky centralizim gjithnjë e më i madh, po çon në mënyrë të pashmangshme në më pak llogaridhënie në Bruksel.
Roli i një Komisioneri Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën - krejtësisht jashtë fushëveprimit të vizionit themelues të Komunitetit Ekonomik Evropian - u krijua pa ndonjë dispozitë të re të Traktatit, dhe pas një rekomandimi nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.
Komisioni vazhdon të promovojë axhendën e zgjerimit, edhe pse kostot e futjes së vendeve të varfra do të nxisin mosmarrëveshje në vendet më të pasura që ofrojnë subvencionet më të mëdha. Bashkimi i 4 vendeve të Mbretërisë së Bashkuar ishte rezultat i shekujve luftë dhe pushtime.
Që ajo të mbetet e paprekur, kërkon një akt të vazhdueshëm balancues, në të cilin pushtetet u janë transferuar gjithnjë e më shumë vendeve përbërëse. Në BE-në e sotme po ndodh e kundërta: kompetencat po u hiqen gradualisht vendeve anëtare. Brukseli vendos rregulla për pjesën tjetër. Për aq kohë sa Evropa është përpjekur të rritet dhe centralizohet, rritja ekonomike është ngadalësuar, nga fillimi i viteve 1960 kur ishte pothuajse 6 për qind deri më sot kur mezi arrin 1 për qind. Një marrëdhënie gjithnjë e më neo-koloniale midis Brukselit dhe shteteve anëtare po e bën Evropën më të vogël se shuma e pjesëve të saj. Dhe nëse vazhdon kjo gjë, numri i pjesëve mund të zvogëlohet gradualisht, nëse vendet zgjedhin të largohen.
Evropa duhet t’i kthehet bazave të bashkëpunimit ekonomik, social dhe kulturor, si brenda ashtu edhe me fqinjët e saj. Kjo do të kërkonte një rishikim rrënjësor të institucioneve të Evropës dhe ndryshimin e traktateve për të zvogëluar madhësinë dhe fuqitë e tyre, duke ia kthyer sërish sovranitetin shteteve anëtare. Pa ndodhur kjo, dyshoj nëse BE do të ekzistojë ende në vitin 2040.
Shënim: Ian Proud, anëtar i shërbimit diplomatik britanik gjatë viteve 1999-2023.
Lini një Përgjigje