
Problem është edhe natyra e paparashikueshme e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili një ditë kërcënon se do të “hapë portat e Ferrit për Hamasin”, ndërsa të nesërmen dërgon delegatë për të negociuar drejtpërdrejt me grupin, duke i quajtur “djem shumë të mirë” përfaqësuesit e tij...
Dy javë më parë, gazetari izraelit i krahut të djathtë Yinon Magal shkroi në platformën X: “Këtë herë, ushtria izraelite synon të evakuojë të gjithë banorët e Rripit të Gazës në një zonë të re humanitare e cila do të krijohet për një qëndrim afatgjatë, do të rrethohet, dhe kushdo që hyn në të do të kontrollohet për të parë nëse janë apo jo terroristë.
Ushtria nuk do të lejojë që një popullatë ta refuzojë evakuimin. Kush do mbetet jashtë zonës humanitare, do të konsiderohet bashkëpunëtor i terroristëve. Ky plan ka mbështetjen e SHBA-së”. Në të njëjtën ditë, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, bëri një deklaratë të ngjashme: “Banorë të Gazës, ky është paralajmërimi i fundit! Faza tjetër do të jetë shumë më e vështirë dhe ju do të paguani koston. Evakuimet nga zonat e luftimit do të rifillojnë së shpejti.
Nëse pengjet izraelitë nuk lirohen dhe Hamasi nuk dëbohet nga Gaza, Izraeli do të veprojë me një forcë të paparë më herët. Ndiqni këshillën e presidentit të SHBA-së: lironi pengjet dhe dëboni Hamasin, dhe për ju do të krijohen mundësi të tjera, duke përfshirë zhvendosjen në vende të tjera për ata që e dëshirojnë këtë”.
Ngjashmëritë e mëdha midis dy deklaratave nuk janë një rastësi. Magal mund të mos ketë mësuar drejtpërdrejt nga Katz mbi planin e ri të luftës të Izraelit. Por është e arsyeshme të supozohet se ishte informuar për këtë nga burime të tjera ushtarake.
Duke i bashkuar të gjitha pikat, del një përfundim i qartë: Izraeli po përgatitet të transferojë me forcë të gjithë popullsinë e Gazës, përmes një kombinimi të urdhrave të evakuimit dhe bombardimeve të mëdha në një zonë të mbyllur dhe të rrethuar. Kushdo që gjendet jashtë këtyre kufijve do të vritet dhe ndërtesat në pjesën tjetër të territorit ka të ngjarë të rrafshohen.
Kjo “zonë humanitare”, siç e quajti Magal, në të cilën ushtria dëshiron të mbyllë 2 milionë banorët e Gazës, mund të përmblidhet vetëm në dy fjalë: kamp përqendrimi. Kjo nuk është hiperbolë, por përkufizimi më i saktë për të kuptuar atë që po shohim.
Aspekti më djallëzor i kësaj historie, është se plani për të krijuar një kamp përqendrimi në Gaza, mund të pasqyrojë ndërgjegjësimin e liderëve izraelitë se “largimi vullnetar” i popullatës nuk është realist. Sepse shumë pak banorë do të ishin të gatshëm të largoheshin, madje edhe nën bombardimet e vazhdueshme, por edhe sepse asnjë vend nuk do të pranonte një fluks kaq të madh refugjatësh palestinezë.
Dotan Halevy, një ekspert i Gazës dhe një nga redaktorët e librit “Gaza: Vendi dhe imazhi i saj në hapësirën izraelite”, thotë se koncepti i “largimit vullnetar” bazohet në parimin gjithçka ose asgjë. Kohët e fundit ai më tha se imagjinonte një evakuim të 30, 40, apo edhe 50 për qind të banorëve të Gazës: “A do të konsiderohej një sukses? Do të mundësonte fantazitë e ministrit Smotrich dhe aleatëve të tij? Përgjigja është pothuajse me siguri jo”.
Libri i Halevy-t përmban edhe një ese nga Omri Shafer Raviv, që zbulon planet izraelite për të “inkurajuar” emigracionin palestinez nga Gaza pas luftës së vitit 1967. E publikuar në janar 2023, eseja thekson se sa e rrënjosur në mendimin strategjik izraelit është ideja e transferimit të popullsisë së Rripit.
Artikulli tregon qasjen e dyanshme të Izraelit për reduktimin e numrit të palestinezëve në Gaza. Nga njëra anë, inkurajimi i tyre për të kaluar në Bregun Perëndimor dhe prej andej në Jordani. Nga ana tjetër, në kërkim të vendeve në Amerikën e Jugut, të gatshme të mirëpresin refugjatët palestinezë.
Ndërsa strategjia e parë arriti njëfarë suksesi, e dyta dështoi plotësisht. Shafer Raviv, thotë se plani pati një efekt kundër-produktiv për Izraelin. Edhe pse dhjetëra mijëra palestinezë u larguan nga Gaza për në Jordani pasi Izraeli shkaktoi qëllimisht një përkeqësim të standardeve të jetesës në enklavë, shumica e tyre mbetën atje.
Por mbi të gjitha, përkeqësimi i kushteve të jetesës ka sjellë pakënaqësi dhe rrjedhimisht rezistencë të armatosur. Duke e kuptuar këtë, në fillim të vitit 1969 Izraeli vendosi të lehtësojë situatën ekonomike në Rrip duke lejuar banorët e tij të punojnë në Izrael, duke zbutur kësisoj presionin.
Por pastaj Jordania filloi të mbyllte kufijtë e saj, duke e ngadalësuar largimin e palestinezëve.
Në ato kushte, autoritetet izraelite arritën në përfundimin se do të ishte më mirë të mbaheshin palestinezët në Gaza, që të monitoroheshin dhe kontrolloheshin, në vend se ”t’i shpërndanin në të gjithë rajonin”.
Sipas Halevy, kjo qasje e udhëhoqi politikën izraelite ndaj Gazës deri në tetor 2023 dhe shpjegon edhe arsyen pse Izraeli nuk u përpoq t’i detyronte banorët të largoheshin nga Rripi gjatë embargos së tij 17-vjeçare.
Në fakt deri në fillim të luftës, largimi nga Gaza kërkonte një procedurë jashtëzakonisht të vështirë dhe të shtrenjtë, që vlente për palestinezët e pasur, që mund të mbështeteshin tek kontaktet e tyre në ambasadat në Jerusalem ose Kajro për të marrë vizat.
Sot, mendimi i izraelitëve për Gazën duket se ka ndryshuar: nga kontrolli i jashtëm tek kontrolli total, dëbimi dhe aneksimi. Megjithatë, pavarësisht ndryshimit në strategji, Izraeli mbetet i bllokuar tek politikat e veta. Sepse që “largimi vullnetar” të ndodhë vërtet, duhet të zbatohet në një mënyrë që do të lejonte aneksimin dhe rindërtimin e vendbanimeve hebraike.
Të paktën 70 për qind e banorëve të Gazës do të duhej të largoheshin, pra më shumë se 1.5 milion njerëz. Dhe ky është një synim jorealist në rrethanat aktuale politike, si në Gaza ashtu edhe në mbarë botën arabe. Për më tepër, edhe diskutimi i një propozimi të tillë mund të rihapë çështjen e lirisë së lëvizjes drejt apo nga Gaza.
Nëse largimi do të ishte “vullnetar”, Izraeli duhet të garantojë në teori mundësinë e kthimit.
Smotrich, Katz dhe Zamir ndoshta e kuptojnë se “largimi vullnetar”, nuk është një plan që mund të zbatohet menjëherë. Por nëse ata janë vërtet të bindur se zgjidhja e “problemit të Gazës”- apo e çështjes palestineze në tërësi - është që të mos ketë më palestinezë në Gaza, atëherë sigurisht që nuk do të jetë e mundur të arrihet menjëherë.
Mbetet të shihet nëse ushtria - apo edhe qeveria - do të jenë të gatshme ta zbatojnë këtë plan, i cili pothuajse me siguri do të sjellë vdekjen e të gjithë pengjeve izraelitë, duke shkaktuar potencialisht pasoja të rënda politike. Për më tepër, do të haste në një rezistencë të ashpër nga Hamasi, i cili nuk i ka humbur aftësitë e tij ushtarake dhe mund t’i shkaktojë ende humbje të mëdha ushtrisë izraelite.
Pengesa të tjera përfshijnë mungesën e rezervistëve të ushtrisë. Po shtohen shqetësimet si për refuzimin e “heshtur” por edhe publik të shërbimit ushtarak. Trazirat sociale të krijuara nga përpjekjet agresive të qeverisë për të dëmtuar gjyqësorin vetëm sa do ta përkeqësojnë këtë fenomen.
Ndërkaq ky plan kundërshtohet fuqishëm (të paktën tani për tani) nga Egjipti dhe Jordania, qeveritë e të cilëve mund të shkojnë aq larg sa të pezullojnë ose anulojnë marrëveshjet e tyre të paqes me Izraelin.
Së fundi, problem është edhe natyra e paparashikueshme e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili një ditë kërcënon se do të “hapë portat e Ferrit për Hamasin”, ndërsa të nesërmen dërgon delegatë për të negociuar drejtpërdrejt me grupin, duke i quajtur “djem shumë të mirë” përfaqësuesit e tij./Pamfleti nga “Internazionale”
Lini një Përgjigje