TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Mars 2026, 22:34

A është ky fundi i 'modelit' Dubai?

Shkruar nga Federico Rampini

A është ky fundi i 'modelit' Dubai?

Në sfondin e tensioneve në Lindjen e Mesme, veçanërisht me sulmet me raketa dhe dronë nga Irani, shumë po vëzhgojnë me një kënaqësi të fshehtë atë që perceptohet si fundi i "modelit Dubai"...

Historive që shërbejnë si sfond për luftën në Iran, është edhe ajo që do ta quaja “Schadenfreude” ndaj Dubait. Është një fjalë gjermane që nënkupton një lloj kënaqësie të fshehtë për fatkeqësitë e të tjerëve. Janë të shumtë ata që ndjejnë kënaqësi për fundin e modelit Dubai, ose për atë që konsiderohet si fundi i tij i mundshëm.

Në sfondin e tensioneve në Lindjen e Mesme, veçanërisht me sulmet me raketa dhe dronë nga Irani, shumë po vëzhgojnë me një kënaqësi të fshehtë atë që perceptohet si fundi i "modelit Dubai". I konsideruar prej kohësh si një Mekë e kapitalizmit arrogant dhe një parajsë fiskale, qyteti-shtet duket se po merr një "ndëshkim hyjnor" për shkëlqimin e tij të tepruar. Megjithatë, pas kësaj narrative fshihen tre keqkuptime thelbësore që sfidojnë idenë e një rënieje të pashmangshme.

Keqkuptimi i parë dhe më i përhapuri është se pasuria e Dubait buron nga nafta. Ndryshe nga emirate të tjera, Dubai nuk ka pothuajse fare rezerva nafte. Për këtë arsye, ai u detyrua të "shpikte" një ekonomi të bazuar në kreativitet dhe inovacion. Në vend që të mbështetej te burimet natyrore, qyteti ndërtoi një perandori mbi logjistikën, transportin, turizmin, financën dhe pasuritë e paluajtshme. Ky nuk ishte një sukses i garantuar, por rezultat i një vizioni strategjik për të krijuar pasuri aty ku ajo nuk ekzistonte në mënyrë të natyrshme.

Së dyti, edhe pse ekzagjerimet e luksit mund të mos jenë për shijen e të gjithëve, modeli kapitalist i Dubait shfaqet si një alternativë superiore ndaj modeleve të tjera dominuese në botën arabe. Për dekada, një pjesë e madhe e rajonit është zhytur në një kulturë viktimizimi, duke u qeverisur nga elita të paafta dhe të korruptuara që dështuan të krijonin mirëqenie, ndërsa fajësonin vazhdimisht Izraelin dhe Perëndimin. Dubai zgjodhi një rrugë tjetër: përveshi mëngët dhe krijoi pasuri. Ky model është gjithashtu dukshëm më i preferueshëm se ai i agresorit, Irani, një teokraci e dominuar nga një kastë fanatike që ka mbjellë vetëm vuajtje dhe luftëra në rajon dhe më gjerë.

Së fundi, është e nxituar të shpallet funerali i Dubait. Pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme të kohës, banorët dhe vëzhguesit e afërt raportojnë se qyteti po tregon një qëndrueshmëri befasuese. Vështirësitë aktuale janë të mëdha, por aftësia e Dubait për t'u përshtatur dhe për të mbijetuar tejkalon narrativat apokaliptike që qarkullojnë. Të festosh fundin e tij sot do të ishte një gabim i parakohshëm./Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”

Lini një Përgjigje