Prokuroria e Vlorës e kthyer prej vitesh në një çerdhe korrupsioni u bë avokate mbrojtëse e një mafiozi, duke mos e vënë asnjëherë përpara drejtësisë autorin e krimit.
Pikërisht para 5 viteve, në kohën e pandemisë, kam nisur një betejë ligjore për të ndaluar ndërtimin e një objekti pa leje, ngritur në tokën e klientëve të mi nga zaptues tokash dhe elementë mafiozë. Pavarësisht kësaj lufte të gjatë, ndërtimi u realizua nën hundën e institucioneve, ndërkohë që Policia e asaj kohe lejoi veprimtarinë e paligjshme, duke marrë, pa dyshim, ryshfete në këmbim të heshtjes së saj.
Me këmbëngulje dhe përpjekje të mëdha kam dokumentuar çdo shkelje, duke bërë kallëzimet përkatëse pranë Policisë Himarë, madje edhe ndaj vetë policisë që, në vend që të ndëshkonte autorët e krimit, i mbrojti ata. Gjatë kësaj periudhe janë depozituar 7 çështje penale lidhur me këtë shkelje, por Prokuroria e Vlorës e kthyer prej vitesh në një çerdhe korrupsioni u bë avokate mbrojtëse e një mafiozi, duke mos e vënë asnjëherë përpara drejtësisë autorin e krimit.
Prej 5 vitesh prokuroria ka mbrojtur interesat e paligjshme të këtij individi, duke kërkuar pushimin e çështjeve. Me këmbëngulje të vazhdueshme kam arritur të kthej dosjen disa herë për hetim. Vendimi i fundit është ai i gjyqtarit Enkel Peza, i cili urdhëroi hetime për një periudhë 3-mujore, por tashmë prej afro një viti Prokuroria e Vlorës e mban dosjen në sirtar, duke zvarritur qëllimisht drejtësinë.
IKMT ka vlerësuar dëmin ndaj shtetit në shumën 113 milionë lekë, por dëmi real ndaj individit është shumë më i madh dhe i pallogaritshëm. Ky është një shembull i gjallë se si korrupsioni institucional, kapja e drejtësisë dhe bashkëpunimi i strukturave shtetërore me mafien, po shkatërrojnë pronën, ligjin dhe të ardhmen e qytetarëve të ndershëm.
Në këtë rast konkret, prokurorja Julinda Gjika është personi që ka mbrojtur krimin, duke mos e hetuar prej 5 vitesh këtë shkelje flagrante dhe duke u bërë mburojë për autorin e ndërtimit pa leje në tokën e klientëve të mi. Prej një kohe të gjatë, dosja mbahet në sirtar, ndërsa palët e dëmtuara dhe shteti shqiptar pësojnë dëm të jashtëzakonshëm.
Prokurorja Julinda Gjika prej 5 vitesh mban në sirtar një çështje të rëndë penale, duke mbrojtur autorët e një ndërtimi mafioz pa leje dhe duke u bërë pengesë e drejtësisë.
Sot lind pyetja e domosdoshme: a do ta denoncojë Kryeministri Edi Rama këtë shkelje dhe këtë prokurore që ka mbuluar një krim kaq të madh, dhe a do të nisë më në fund SPAK hetimet për një rast ku për 5 vite me radhë drejtësia është kthyer në mbrojtëse të krimit?
Lini një Përgjigje