TAGS-AT E JAVËS

Forum12 Maj 2025, 13:21

Pasojat katastrofike të lëvizjeve të gabuara diplomatike të Trump

Shkruar nga Stephen Pollard
Pasojat katastrofike të lëvizjeve të gabuara diplomatike të
Donald Trump /

Presidenti amerikan po përsërit gabimet e tij të mëparshme në Evropë në Lindjen e Mesme...

Ndërsa po përgatitet të vizitojë Riadin, e vetmja fije në dukje e qëndrueshme dhe e vendosur e politikës së jashtme të Donald Trump, si në mandatin e parë ashtu edhe në atë të dytë - mbështetja e tij për Izraelin - po bëhet shpejt po aq e paparashikueshme dhe e pabesueshme sa është në thuajse çdo sferë tjetër.

Në mandatin e tij të parë, Marrëveshjet e Abrahamit (marrëveshjet dypalëshe të paprecedenta midis Izraelit dhe Bahreinit, Marokut, Sudanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe), ishin një pjesë e suksesshme dhe e shkëlqyer e një qasjeje me dy drejtime: të forconin aleancën e aleatëve rajonalë që ndanin shqetësimet e Izraelit për Iranin, si dhe të vepronin për të zvogëluar kërcënimin iranian.

Trump e kuptoi se marrëveshja bërthamore e negociuar dhe firmosur nga Barack Obama në vitin 2015 ishte një katastrofë. Sepse ajo jo vetëm që e lejoi Iranin të pasuronte uraniumin - pararendësi i domosdoshëm për të pasur aftësi në prodhimin e armëve bërthamore - por duke lehtësuar sanksionet, i dha fondet e nevojshme Gardës Revolucionare (IRGC) për të forcuar përfaqësuesit e saj Hamas dhe Hezbollah.

Qasja e “presionit maksimal” të Trump ndaj Iranit, me sanksione të rënda të rinovuara, e çoi olli regjimin në prag të kopalsit. Katër vitet e Joe Biden si president, e rikthyen idenë e gabuar se regjimi iranian mund të detyrohej të shkonte drejt normalitetit, por edhe arritjen e mosmarrëveshjeve mbi trajtimin e luftës në Gaza nga Izraeli.

Ndaj kur Trump u rikthye në pushtet, ekzistonte një pikëpamje e përhapur se ai do të merrej sërish me Iranin, një detyrë edhe më e rëndësishme pasi përfaqësuesi i tij, Hamasi, kreu masakrën e 7 tetorit 2023, dhe pasi Irani nisi një sulm të drejtpërdrejtë të paprecedentë ndaj Izraelit.

Ndërkohë, ekzistonte pritshmëria se do të forcoheshin Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat administrata Biden i injoroi Megjithatë, pas 3 muaj e gjysmë, është e vështirë të mos e konsiderosh Trumpin në mishërimin e tij të dytë si president, si po aq të pabesueshëm ndaj Izraelit dhe Iranit, sa ka qenë edhe me Ukrainën. 

Steve Witkoff, i dërguari special i SHBA-së në Lindjen e Mesme, është ngarkuar me negocimin e një marrëveshjeje bërthamore me iranianët. Ai është thuajse jashtë kontrollit, dhe duket se nuk e kupton rëndësinë jetike që ka ndalimi i plotë i pasurimit të uraniumit nga Irani.

Për Witkoff çelësi i çdo marrëveshjeje, është se “iranianët s’kanë nevojë të pasurojnë uranimin përtej nivelit 3.67 për qind”. Edhe pse Irani është tani shumë më i dobët se në vitin 2015, kur u arrit marrëveshja e fundit - Hezbollahu dhe Hamasi janë dobësuar shumë, mbrojtja e tij ajrore është paralizuar nga Izraeli, Siria pas rrëzimit të Assad nuk është më një urë për në Liban - administrata Trump e ka pranuar pasurimin që në fillim të bisedimeve.

Skandali shkon edhe më tej. Thuhet se zëvendës/presidenti i SHBA-së J.D.Vance ka kundërshtuar sulmet e fundit ndaj rebelëve Huthi në Jemen, duke argumentuar se përfaqësuesit iranianë nuk kërcënojnë interesat e Amerikës.

Me largimin e Mike Waltz nga posti i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, duket se po fiton epërsi prirja izolacioniste e Vance. Kur Trump njoftoi të martën ndalimin e sulmeve ajrore, ai as që ua kishte thënë këtë izraelitëve, teksa deklaroi para mediave: “Ata (Huthit) nuk duan të luftojnë…Ne do t’u besojmë fjalës së tyre, se nuk do të hedhin më në erë anijet tregtare që kalojnë aty pranë”.

Ashtu siç e dha “fjalën” edhe Putini për Ukrainën. Ndërkohë Trump është i dashuruar me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, që ndërsa shtyp opozitën në vend, po e rrit përpjekjen e tij për të zëvendësuar Iranin si “një shërbëtor të Sheriatit” (siç e ka thënë vetë) dhe si armikun kryesor të Izraelit.

Në mars, thuhet se ai u tha besimtarëve në xhaminë më të madhe të Turqisë: “Allahu, për hir të emrit të tij, Al-Qahhar - Mposhtësi - e shkatërroftë dhe shkretoftë Izraelin!”. Tani është zbuluar se Trump po përgatit një marrëveshje me sauditët mbi një program bërthamor civil, por pa parakushtin e mëparshëm të SHBA-së për një marrëveshje paqeje me Izraelin.

Ky qëndrim është ndarë për vite me radhë si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët. Kjo do të minonte me një goditje të vetme përpjekjet e Izraelit për të normalizuar marrëdhëniet me sauditët. E vërteta e pakëndshme, është se ashtu si presidenti Trump, që është i lumtur të hedhë një “granatë dore” brenda NATO-s dhe të minojë aleancat e vjetra të SHBA-së në Evropë, ai është po aq i pabesueshëm kur bëhet fjalë për Izraelin dhe Lindjen e Mesme./Pamfleti nga “Daily Telegraph”

pasojat katastrofike donald trump

Lini një Përgjigje