TAGS-AT E JAVËS

Forum12 Maj 2025, 12:11

Si mund ta pengojë e djathta radikale zgjerimin e BE-së

Shkruar nga Ioannis Alexandris & Ioannis Armakolas

 

Si mund ta pengojë e djathta radikale zgjerimin e BE-së
Tirana /

Zgjerimet e kaluara sollën përfitime ekonomike, sociale dhe gjeopolitike. Kështu mund të ndodhë sërish, por rreziku më i madh vjen nga lejimi i forcave radikale të djathta që të diktojnë kushtet e debatit...

Gjatë vizitës së saj në Sofje të Bullgarisë me 17 prill, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, e quajti zgjerimin “thelbësor” për sigurinë dhe konkurrueshmërinë e Evropës në botë. Ajo vuri në dukje se blloku ka bërë më shumë përparim në 6 muaj e fundit se sa në 5 vitet e mëparshme. 

Megjithatë, pavarësisht këtij angazhimi të qartë nga ana e Brukselit, një tjetër transformim politik që po zhvillohet brenda Evropës, kërcënon t’i sabotojë këto ambicie: ndikimi në rritje i partive euroskeptike të ekstremit të djathtë.

Dikur të mënjanuara në periferinë e skenës politike, këto forca po riformësojnë sot prioritetet politike të Evropës nga brenda parlamenteve kombëtare por edhe Brukselit. I ashtuquajturi “kordon sanitar” - pra refuzimi i partive kryesore për të bashkëpunuar me partitë e ekstremit të djathtë - po çmontohet gradualisht.

Partitë e ekstremit të djathtë, i janë bashkuar kohët e fundit koalicioneve qeveritare në vende perëndimore si Italia dhe Holanda, ndërsa Viktor Orbán në Hungari është bashkuar në Këshillin Evropian në një aleancë me kryeministri sllovak Robert Fico, që ndan të njëjtat ide.

Kjo rritje nuk është ndonjë gjë e re. Partitë e ekstremit të djathtë fituan terren gjatë dekadës së fundit, duke përfituar nga kriza si migracioni dhe ajo e eurozonës. Por ato janë kanë kaluar nga pozicionet thjesht reaksionare anti-BE, në diktimin aktiv të axhendave në nivel kombëtar dhe atë të BE-së.

Në Gjermani, CDU, partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, gjendet nën presion nga ngritja e AfD-së së ekstremit të djathtë, për të ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj migracionit, një shembull i qartë se si e djathta radikale po e ndryshon politikën mbi emigracionin në të gjithë Evropën.

Krahasuar me sektorë të tjerë, zgjerimi i BE-së aktualisht nuk po vihet dhe aq re në aspektin politik. Megjithatë, situata mund të ndryshojë së shpejti. Pavarësisht përjashtimeve të profilit të lartë, si Meloni dhe Orban, shumica e këtyre partive në të gjithë Evropën ose kundërshtojnë ose janë skeptike ndaj pranimit të më shumë shteteve anëtare në bllok.

Ato e lidhin zgjerimin me frikën rreth migracionit, presionit fiskal dhe humbjes së sovranitetit, ndërsa i injorojnë kostot e mos-zgjerimit. Marrim për shembull AfD-në në Gjermani, e cila e paraqet zgjerimin si një portë për rritjen e migracionit, veçanërisht nga vendet kandidate me shumicë myslimane si Bosnje Hercegovina.

Edhe Partia e Lirisë, FPÖ, në Austri përmend shqetësime të ngjashme. Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen në Francë, e lidh zgjerimin me migracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar.

Narrativat e ekstremit të djathtë e paraqesin migrimin në Ballkanin Perëndimor si një burim krimi dhe paqëndrueshmërie, në përputhje me axhendat e tyre më të gjera nacionaliste.

Gjithsesi zgjerimet e kaluara tregojnë një histori tjetër. Zgjerimi “Big Bang” i vitit 2004, i quajtur kështu për shkak të madhësisë së pazakontë, solli përfitime ekonomike, sociale dhe gjeopolitike. Në Gjermani, 820.000 punëtorë nga 10 vendet e reja anëtare, ndihmojnë sot në sektorë si kujdesi dhe bujqësia sezonale, të cilat shpeshherë shmangen nga punëtorët vendas.

Në kushtet kur Gjermania parashikohet të përballet me një mungesë deri në 5 milionë punëtorë deri në vitin 2030, dështimi për ta integruar Ballkanin Perëndimor, mund të thellojë mungesat e fuqisë punëtore dhe të dëmtojë konkurrueshmërinë.

Përtej migrimit, partitë radikale të së djathtës, i zmadhojnë enkas pasojat fiskale nga procesi i zgjerimit. Në vendet me kontribut neto, ato synojnë politikat e BE-së siç është Politika e Përbashkët Bujqësore, duke i portretizuar ato si subvencione të padrejta.

Këto shqetësime mund të intensifikohen nëse Ukraina - një prodhues i madh bujqësor - i afrohet anëtarësimit, duke e nxitur më tej retorikën kundër zgjerimit të bllokut. Edhe pse të pasinqerta, qëndrimet e këtyre partive kanë rëndësi.

Sipas rregullave të unanimitetit, zgjerimi nuk varet vetëm nga progresi i kandidatëve, por edhe nga vullneti politik në kryeqytetet e BE-së. Një parti e vetme në një qeveri, mund ta bllokojë procesin. Koalicioni holandez i vitit 2024, ofron një shembull paralajmërues.

Përfshirja e PVV-së së Geert Wilders, përforcoi skepticizmin e hershëm brenda establishmentit politik. Ndërsa PVV hoqi dorë nga disa qëndrime ekstreme, për t’u bashkuar me një koalicion 4-partiak, ajo mbajti një qëndrim të vendosur kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.

Marrëveshja e koalicionit, thotë se qeveria rezervon të drejtën për të “kufizuar lëvizjen e lirë të personave brenda BE-së, nëse dhe në masën që diskutohet zgjerimi i BE-së”, një sinjal i qartë se nën qeverinë aktuale vendet kandidate do të përballen me një shqyrtim të rreptë.

Opinioni publik mund ta politizojë më tej procesin. Në Francë dhe Austri, referendumet janë tashmë të mundshme, ose të detyrueshme, për të miratuar hyrjen e anëtarëve të rinj. Ndërsa mbështetja publike për zgjerimin po bie, partitë e ekstremit të djathtë mund t’i shtyjnë qeveritë e tjera që të ndjekin shembullin e tyre.

Kjo do ta shndërronte zgjerimin në një fushëbetejë publike. Një sondazh i vitit të kaluar, zbuloi se ndërsa 65 për qind e qytetarëve të BE-së e mbështesin një votim të drejtpërdrejtë mbi zgjerimin, vetëm 53 për qind do ta mbështesnin atë.

Mbështetja ka pësuar një rënie më dukshme, nën 50 për qind, sidomos në Austri, Francë dhe Gjermani, të gjitha vende ku po fiton terren e djathta ekstreme. Ndjenja publike mbi zgjerimin po zbehet, duke siguruar një terren pjellor për narrativat euroskeptike.

Rreziku i vërtetë, nuk qëndron tek vetë procesi i zgjerimit, por në lejimin e forcave të ekstremit të djathtë që të diktojnë kushtet e debatit. Politikëbërësit pro-zgjerimit duhet ta riformulojnë narrativën rreth përfitimeve afatgjata dhe të komunikojnë përtej dhomave-jehonë të Brukselit.

Përpjekje të tilla, duhet të përqendrohen në zonat rurale dhe fiskalisht konservatore të shteteve kontribuese kryesore, ku jehojnë më shumë mesazhet e ekstremit të djathtë. Synimi duhet të jetë adresimi i shqetësimeve publike në lidhje me kostot e mundshme të anëtarësimit, duke paraqitur njëkohësisht argumentet gjeopolitike dhe ekonomike për zgjerimin.

Rreziqet janë shumë të mëdha. Presidenca e dytë e Trump, e ka përshpejtuar tendencën e  mosangazhimit të SHBA-së nëpër botë, duke thelluar më tej presionet e jashtme të Evropës. Blloku nuk ka luksin të tërhiqet nga Ballkani dhe Evropa Lindore, rajone të vëna në shënjestër nga Rusia dhe Kina.

Mosveprimi rrezikon konkurrencën si dhe ndikimin strategjik të bllokut. Në vend se ta shohin zgjerimin si një barrë, kryeqytetet e BE-së duhet ta pranojnë se Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia kanë një vlerë strategjike për të ardhmen e BE-së.

Procesi i pranimit në BE, duhet të mbrohet nga sulmet populiste apo oportunizmi elektoral./Pamfleti

Shënim: Ioannis Armakolas, drejtor i Programit të Evropës Juglindore në Fondacionin Helenik për Politikën Evropiane dhe atë të Jashtme (ELIAMEP). Ioannis Alexandris, këshillar për rrezikun politik dhe studiues në ELIAMEP.

e djathta radikale zgjerimi i be

Lini një Përgjigje