TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota2026-07-06 18:42:00

Pse dështon populizmi: Në një kakistokraci, në krye ngjiten më të këqijtë

Shkruar nga Richard Hanania
Pse dështon populizmi: Në një kakistokraci, në krye ngjiten
Donald Trump

Demokracia është në rrezik serioz nga liderët që premtojnë shumë dhe shkatërrojnë shtetin. Lëvizjet populiste në mbarë botën dëmtojnë lirinë dhe ulin prodhimin ekonomik me rreth 10 për qind. Të dhënat vërtetojnë se shpërfillja e ekspertëve rrit korrupsionin dhe nuk i zgjidh krizat.

Ngritja e Donald Trumpit në krye e ka zhvendosur Partinë Republikane në një drejtim populist. Në kampin e majtë, rritja e figurave si kandidati Graham Platner apo të tjerëve të lidhur me DSA-në tregon se edhe demokratët mund të mos mbeten pas.

Ajo që po shohim në SHBA është pjesë e një fenomeni global. Pak muaj para se amerikanët të zgjidhnin Trumpin, publiku britanik votoi për Brexit, një lëvizje pa asnjë mbështetje mes elitave mediatike, akademike dhe politike.

Baza e të dhënave “Populizmi në Pushtet” tregon një rritje prej afro pesë herë të numrit të liderëve dhe partive populiste në demokraci midis viteve 1990–2019. Ndërkaq, një analizë e gjashtë demokracive të mëdha (Britani, SHBA, Australi, Gjermani, Francë, Kanada) zbulon se mbështetja për partitë tradicionale ra nga rreth treçereku i votave në vitin 2000 në pak më shumë se gjysmën në vitin 2024.

Amerika Latine po përjeton valën e radhës, populizmi po depërton në Azi dhe regjime jodemokratike si Rusia e Putinit po përdorin retorikën populiste për legjitimim. Pyetja madhore politike e kohës sonë është: a duhet ta përqafojmë apo refuzojmë këtë tendencë?

Shkenca sociale na orienton drejt të dhënave dhe ato sugjerojnë se vendet duhet t’i shmangin populistët nëse duan liri dhe rritje ekonomike. Këtu përkojnë teoria dhe vëzhgimi në terren.

Po çfarë është në thelb populizmi? Politologët Cas Mudde dhe Cristóbal Rovira Kaltwasser e përkufizojnë si një ideologji që e sheh shoqërinë të ndarë në dy kampe antagoniste: “populli i ndershëm” kundër “elitës së korruptuar”.

Sipas këtij përkufizimi, pothuajse çdo politikan i rëndësishëm në SHBA (përveç Mitt Romney-t) mund të quhej populist. Megjithatë, studiuesit bien dakord se kush kualifikohet: Trump, Viktor Orbán, Hugo Chávez dhe Evo Morales hyjnë të gjithë këtu, duke dëshmuar se ky klasifikim nuk është thjesht një çështje anshmërie politike.

Në analizat politike, parimi “e njoh kur e shoh” funksionon. Trump dhe Nicolás Maduro ndajnë një bërthamë që Joe Biden dhe Friedrich Merz nuk e kanë. Studimi “Udhëheqësit populistë dhe ekonomia”, i botuar në American Economic Review, zbuloi se qeverisja nga një populist shoqërohet me një PBB 10 për qind më të ulët pas 15 vitesh, krahasuar me një skenar pa populistët në krye.

Ndërkohë, populistët e majtë dalin edhe më keq, për shkak të një kuptimi të gabuar të ekonomisë. Në treguesit joekonomikë, lajmet janë edhe më të këqija. Gazetarët Jordan Kyle dhe Yascha Mounk zbuluan se mes viteve 1990–2018 populistët dëmtuan sistemin e kontrollit të pushteteve dhe kishin katër herë më shumë gjasa të shkaktonin një kthim prapa të demokracisë.

Dy të tretat e dështimeve të demokracisë pas Luftës së Ftohtë ndodhën nën drejtimin e udhëheqësve populistë. Për më tepër, 40 për qind e tyre përfunduan të akuzuar për korrupsion.

Kur revista The Economist listoi vendet me rritjen më të dobët ekonomike midis viteve 1950 dhe 2023, tetë të parat ishin: Libia, Argjentina, Siria, Iraku, Çadi, Kongo, Sudani dhe Venezuela.

Gjashtë prej tyre kaluan luftëra civile, ndërsa Venezuela dhe Argjentina ia bënë këtë vetes përmes politikave të së majtës. Socialdemokracia populiste është një mënyrë efikase për ta mbajtur një vend jofunksional në afat të gjatë, ndryshe nga regjimet komuniste që ose u shembën (Evropa Lindore) ose u reformuan (Kina, Vietnami).

Një dëshmi tjetër është Britania e Madhe pas Brexit-it. Profesori Nicholas Bloom zbuloi se deri në vitin 2025, PBB-ja për frymë e Britanisë ishte 6–8 për qind më e ulët nga sa do të ishte në rrethana të tjera, në një kohë kur investimet ranë 12–18 për qind.

Brexit nuk solli në krye një lider populist, por ishte zbatim i një politike të madhe populiste pa mbështetjen e elitave. Po përse populizmi është kaq shumë i dëmshëm? Edhe nëse e pranojmë se elitat gabojnë, janë të korruptuara apo të shkëputura nga realiteti, pse duhet të besojmë se një lider që bazohet vetëm te lidhja me masat do të jetë më i mirë?

Ekspertët duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre, por shumicën e kohës janë elitat akademike dhe mediatike ato që bllokojnë pikëpamje që janë qartësisht të rreme. Pa to, në podkaste si ai i Joe Rogan promovohen ide se vaksinat janë më të rrezikshme se COVID-19 apo se 11 Shtatori ishte operacion qeveritar.

Refuzimi i ekspertizës si parim çon në rënie të standardeve intelektuale dhe morale. Nganjëherë, elitat janë aq të këqija sa justifikojnë çdo alternativë. Në Argjentinë, populizmi u bë vetë establishmenti, duke e kthyer një vend dikur të pasur në një komb jo të përparuar.

Presidenti aktual Javier Milei erdhi në krye me një axhendë libertariane dhe, pavarësisht skandaleve, pikëpamjet e tij ekonomike e bëjnë një rast të jashtëzakonshëm që ndoshta vlen të mbështetet.

Por më tipik është Trump, i cili, në vend që të shkurtojë tarifat si Milei, vendos të reja dhe merr aksione në korporata. Kostot e tij përfshijnë korrupsion më të lartë, kalbëzim institucional dhe hapje të qeverisë ndaj njerëzve eksentrikë (nga kundërshtarët e vaksinave te nacionalistët radikalë).

Sot, mediat alternative si Joe Rogan apo videoja e gazetarit Nick Shirley për somalezët në Minesota kanë ndikim të krahasueshëm me mediat kryesore, duke diktuar edhe politika shtetërore mbi migracionin bazuar në raportime të dobëta.

Figurat populiste si Robert F. Kennedy Jr., Tucker Carlson apo Kash Patel kanë tani një pushtet të ngjashëm me institucionet tradicionale (AMA, WSJ, FBI). Prandaj, ata duhet të gjykohen me të njëjtat standarde që aplikonim për elitat e vjetra.

Të dhënat historike janë të qarta: çfarëdolloj problemi që po kalon vendi juaj, lëvizjet populiste janë rrallëherë përgjigjja e duhur./ Përshtati "Pamfleti", nga  “UnHerd”

donald trump shba

Lini një Përgjigje