TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-07-08 08:41:00

Dyshime për tjetërsim pronash, arrestohet zv.drejtori i Kadastrës në Dibër

Shkruar nga Pamfleti
Dyshime për tjetërsim pronash, arrestohet zv.drejtori i Kadastrës
Daniel Gjura

Zëvendësdrejtori i Kadastrës Dibër, që më herët ka mbajtur edhe postin e drejtorit, Daniel Gjura është vënë në pranga.

Daniel Gjura ishte shpallur në kërkim nga policia pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Arrestimi i tij lidhet me hetimet për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të paligjshëm të pronave në Dibër, për të cilën policia ndërhyri më 17 qershor, pas një hetimi 7-mujor.

Në atë operacion u ekzekutuan 14 masa sigurie ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ndaj disa personave të dyshuar se kishin përfituar nga falsifikimi i dokumenteve.

Sipas hetimeve, punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Kadastrës Dibër, në bashkëpunim me një notere dhe persona të tjerë, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer veprime administrative të kundërligjshme për të tjetërsuar prona në favor të shtetasit T.D. dhe familjarëve të tij.

Gjura ka mbajtur më parë edhe postin e drejtorit të Kadastrës Dibër dhe ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Hetimet për skemën e dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave vazhdojnë, ndërsa priten zhvillime të tjera nga organet ligjzbatuese.

daniel gjura arrestohet zv.drejtori i kadastrës në dibër

Lini një Përgjigje