TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi20 Shtator 2025, 16:27

Standard & Poor’s ‘frenon’ entuziazmin e qeverisë, Shqipëria mbetet ‘BB’ me perspektivë të qëndrueshme

Shkruar nga Pamfleti

Standard & Poor’s ‘frenon’ entuziazmin e qeverisë,

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit, Standard & Poor’s Global Ratings, ka rikonfirmuar për Shqipërinë notën “BB” për vlerësimin afatgjatë, duke ruajtur gjithashtu edhe perspektivën “të qëndrueshme”. Ky vendim, ndonëse i lexuar nga qeveria si sinjal pozitiv, në thelb nuk përfaqëson përmirësim të pozicionit financiar të vendit në tregjet ndërkombëtare.

Sipas raportit të publikuar, vlerësimi “BB” bazohet në disa faktorë stabiliteti makroekonomik, përfshirë disiplinën fiskale, rezervat e mjaftueshme valutore dhe rritjen e qëndrueshme të konsumit familjar. Standard & Poor’s parashikon një rritje ekonomike prej 3.6% për vitin 2025 dhe një mesatare vjetore prej 3.5% për periudhën 2026–2028, të ndikuar kryesisht nga rritja e pagave dhe konsumi i brendshëm.

Për financat publike, raporti thekson se qeveria pritet të ruajë politika fiskale të kujdesshme pas zgjedhjeve parlamentare, me një deficit që parashikohet të mbetet në rreth 2% të PBB-së. Borxhi publik pritet të bjerë gradualisht në 51% të PBB-së deri në vitin 2028, megjithatë, agjencia e konsideron këtë një rënie të ngadaltë në raport me vendet e tjera të rajonit.

Një element me ndikim afatgjatë mbetet procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe flukset e investimeve private që lidhen me të, të cilat konsiderohen si “garanci shtesë” për stabilitetin ekonomik të vendit. S&P nënvizon se menaxhimi i kujdesshëm i borxhit, përdorimi eficient i burimeve dhe ruajtja e stabilitetit financiar do të jenë determinantët kryesorë për të mbajtur këtë nivel vlerësimi në të ardhmen.

Me fjalë të tjera; Shqipëria nuk ka përparuar në vlerësim, por as nuk ka rrezikuar rënie. Një sinjal që ngre pyetje për efektivitetin real të politikave të qeverisë Rama në ekonominë e brendshme dhe imazhin ndërkombëtar financiar të vendit.

Lini një Përgjigje