
Teksa Podgorica pranon realitetin ekonomik dhe përfshin krimin në statistikat zyrtare, Tirana vijon të ushqejë një fasadë fiktive të ekonomisë së pastër, duke e lënë ekonominë gri jashtë çdo analize zyrtare…
Për herë të parë, Mali i Zi ka përfshirë zyrtarisht në llogaritjen e PBB (prodhimit të brendshëm bruto) aktivitetet ilegale si trafikimi i drogës dhe prostitucioni, duke ndjekur standardet e reja metodologjike të ESA 2010, të kërkuara nga Eurostat.
Me këtë veprim, shteti malazez nuk po legalizon krimin, por po tregon një qasje realiste dhe të sinqertë ndaj ekonomisë së vet, duke pranuar se aktivitetet e paligjshme ndikojnë, qoftë edhe minimalisht, në prodhimin kombëtar bruto.
Në të kundërt, Shqipëria vazhdon të mbajë një qëndrim hipokrit, ku ekonomia gri, që përfshin jo vetëm prostitucionin dhe trafikun, por një sërë aktivitetesh të paregjistruara si punësimi informal, ndërtimi pa leje, remitancat e pakontrolluara dhe shërbimet "nën dorë", mbetet jashtë reflektimit të saktë në të dhënat ekonomike.
Ndërsa Mali i Zi deklaron se krimi kontribuon 0.1–0.2 % të PBB-së, në Shqipëri kjo përqindje do të ishte shumë herë më e lartë, po të përfshiheshin:
-Trafikimi i drogës dhe rrjetet e kanabisit që kanë funksionuar për vite të tëra pa kontroll të plotë.
-Ekonomia e prostitucionit që, ndonëse jo e legalizuar, është e pranishme në shumë qytete dhe vepron në mënyrë të organizuar.
-Shërbime pa fatura, që përfshijnë sektorë si ndërtimi, turizmi, dhe tregtia me pakicë.
-Remitancat që hyjnë në rrugë informale, që nuk regjistrohen nga Banka e Shqipërisë dhe që shpesh kanalizohen në ekonomi informale ose investime të errëta.
-Kjo mos-transparencë statistikore krijon një realitet të shtrembëruar ekonomik. Shteti shqiptar deklaron rritje ekonomike, ulje papunësie dhe rritje të investimeve, por pa marrë parasysh që një pjesë e madhe e ekonomisë vepron jashtë rregullave fiskale dhe ligjore. Kjo dëmton politikëbërjen, ndan padrejtësisht barrën tatimore dhe pengon luftën kundër pastrimit të parave.
Për më tepër, Shqipëria ka një detyrim për të zbatuar të njëjtat standarde metodologjike si Mali i Zi nëse aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Mos-përfshirja e krimit në përllogaritjet ekonomike nuk e zhduk krimin, thjesht e zhvendos në terrenin e padukshëm dhe të paanalizueshëm për politikat publike.
Dhe kjo nuk është thjesht çështje teknike statistikash. Është një çështje moraliteti institucional, një përballje me realitetin, dhe një sinjal i qartë për komunitetin ndërkombëtar: a ka Shqipëria guximin të matë veten ashtu siç është, apo do të vazhdojë të falsifikojë gjurmët e kriminalitetit ekonomik me justifikimin se “është problem i vështirë për t’u matur”?/Pamfleti
Lini një Përgjigje