Fermentim në myk, ujë i ndotur dhe mungesë higjiene: Prodhimi i qumështit dhe nënprodukteve në Shqipëri është një bombë bakteriale. Ekspertët e BE kërkojnë masa urgjente para se të mbyllen me forcë nga Brukseli...
Përballja e Shqipërisë me kapitullin e sigurisë ushqimore në procesin e integrimit në Bashkimin Europian ka nxjerrë në dritë një realitet alarmues: vendi është tërësisht i papërgatitur për të përmbushur standardet që kërkon Brukseli në sektorin e prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij.
Baxhot dhe fabrikat e përpunimit të qumështit në Shqipëri funksionojnë në kushte skandaloze higjieno-sanitare, jashtë çdo protokolli teknik që kërkon BE. Mungojnë ambientet e ndara për fazat e ndryshme të prodhimit, uji i përdorur për larjen dhe përzierjen është me cilësi të dyshimtë, dyshemetë nuk janë me pllaka antiacide siç kërkohet, dhe nuk aplikohet asnjë proces profesional për dezinfektimin periodik të ambienteve.
Një nga rastet më të rënda u zbulua në Divjakë, ku një baxho u kap me plot 33 ton djathë të prodhuar dhe magazinuar pa asnjë dokumentacion ligjor apo certifikim higjieno-sanitar. Asnjë faturë, asnjë gjurmë për lëndën e parë apo për destinacionin final të produktit. Një sasi gjigande, e cila nuk mund të ketë dalë në treg pa dijeninë e institucioneve të kontrollit, përfshirë Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), i cili në këtë rast duket se ka heshtur ose ka bërë sikur nuk ka parë asgjë.
Ambientet e prodhimit janë jo vetëm të parregullta në infrastrukturë, por edhe të ndotura në thelb. Ka raste kur kafshët mbahen fare pranë ambienteve të përpunimit, ku aromat e jashtëqitjeve dhe ngarkesa bakteriale mbulojnë çdo përpjekje për “formalitet”. Avujt e lagështisë krijojnë shtresa myku mbi mure e tavane. Nuk ekziston asnjë disiplinë teknike për fermentimin, stazhionimin apo ruajtjen e nënprodukteve të qumështit.
Për më tepër, mungojnë plotësisht kontrollet për përbërjen kimike dhe mikrobike të produkteve. Djathi, gjalpi dhe kosi që shiten në tregje shpesh mbajnë në vete ngarkesa mikrobiale që tejkalojnë dhjetëfish kufijtë e lejuar, duke u shndërruar në rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik. Dhe kjo ndodh ndërkohë që inspektorët e shtetit, të ngarkuar për mbrojtjen e konsumatorit, e kanë kthyer “kontrollin” në një rutinë ryshfeti.
Në këtë situatë, është mëse e qartë se institucionet shqiptare nuk po përmbushin detyrimin e tyre kushtetues për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve. BE, përmes kapitulllit të sigurisë ushqimore, kërkon standarde të forta dhe zbatim të ligjit në çdo hallkë të zinxhirit agro-ushqimor. Nëse shteti shqiptar nuk vepron menjëherë për të mbyllur këto baxho dhe fabrika që operojnë në mënyrë kriminale, atëherë ekspertët e BE-së do të detyrohen ta bëjnë këtë për ne – me pasoja të rënda për sektorin, për fermerët dhe për vetë procesin e integrimit.
Është momenti i së vërtetës. Shëndeti i qytetarëve dhe kredibiliteti i shtetit nuk mund të sakrifikohen për hir të abuzuesve që e kanë kthyer ushqimin në mjet fitimi të paligjshëm. Ose qeveria vepron sot, ose nesër do të na mbyllin dyert e Europës, me turpin që do ta pimë bashkë me një gotë qumësht të fermentuar në myk./Pamfleti
Lini një Përgjigje