
Ja çmimet e reja të referencës për banesat...
Qeveria ka përcaktuar çmimet e reja të referencës për pasuritë e paluajtshme, duke rritur ndjeshëm vlerën e banesave në disa zona.
Ishulli i Sazanit në Vlorë dhe ‘Zona 13’ në Durrës, e njohur si lagjja e Plazhit, janë vendosur në krye të listës së zonave më të shtrenjta jashtë Tiranës, me një çmim reference që shkon deri në 200 mijë lekë për metër katror (rreth 2 mijë euro).
Për ‘Zonën 13’ kjo përbën një rritje rekord prej 323% krahasuar me referencat aktuale prej 472 euro për metër katror, ndërsa për Sazanin çmimi i ri është vendosur në nivelin më të lartë të mundshëm, duke e shndërruar ishullin e pabanuar në një zonë të klasifikuar si premium. Ai rritet 223%.

Interesante është se bëhet fjalë për dy zona që Rama ja u ka falur privatëve. "Zona 13" është zona e portit aty ku pritet që të ndërtojnë arabët. Edhe pse Alabari nuk ka nisur akoma të investojë, Rama e ka shpallur ndër zonat më të shtrenjta.

Sa i takon Sazanit, historia dihet. Ishullin e ka marrë Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Ajo që është paralajmëruar kohët e fundit nga shumë media ndërkombëtare se ardhja e Kushner do rrisë çmimet dhe do të përfitojnë vetëm të pasurit, por jo banorët e zonës, duket se po konfirmohet.
“Projektvendimi paraqet çmimet e reja mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për vlerësimin e vlerës së taksueshme për banesat që ndodhen në qarqet Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Vlorë dhe Tiranë (pa bashkinë Tiranë), për t’iu përafruar çmimeve reale të tregut. Çmimet e ndryshuara janë nxjerrë si rezultat i punës së grupit ndërinstitucional të punës, të ngritur në bazë të urdhrit të Kryeministrit nr. 19, datë 30.1.2024, “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e çmimeve mesatare referuese të banesave”, të ndryshuar. Grupi ndërinstitucional i punës ka bërë gjithashtu edhe ndarjen në zona të qyteteve”, thuhet në relacion.
Sipas ekspertëve të tregut, këto çmime të reja jo vetëm rrisin kostot e blerjes dhe shitjes së pronave në këto zona, por gjithashtu pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e rivlerësimit të pronave të shpallur nga qeveria për vitin 2026, duke gjeneruar të ardhura shtesë nga tatimet dhe duke nxitur spekulime për ndikime politike dhe ekonomike në vendimet e fundit. /Pamfleti










Lini një Përgjigje