Në tremujorin e tretë të vitit 2025 portofoli i kredisë nga institucionet financiare jobanka ra në 61.6 miliardë lekë; gati 1 miliard lekë më pak krahasuar me tremujorin paraardhës...
Pas viteve të mbushura me abuzime, interesa të lartë dhe histori të errëta si rasti famëkeq i Micro Credit Albania, shqiptarët kanë nisur të tërhiqen nga institucionet e mikrofinancës.
Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kreditimi nga këto institucione ka shënuar rënie për të tretin tremujor radhazi, duke sinjalizuar një ndryshim domethënës në sjelljen financiare të qytetarëve.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë të vitit 2025 portofoli i kredisë nga institucionet financiare jobanka ra në 61.6 miliardë lekë; gati 1 miliard lekë më pak krahasuar me tremujorin paraardhës. Nëse shohim ecurinë vjetore, rritja është vetëm 2.2%, një shifër modeste që tregon për ngadalësim serioz në këtë sektor që deri dje ishte në zgjerim të vrullshëm.
Rënia nuk lidhet vetëm me imazhin e dëmtuar të mikrofinancës. Në fillim të vitit 2025, Banka e Shqipërisë vendosi një paketë masash për mbrojtjen e konsumatorëve, duke vendosur kufizime të reja për huadhëniet e vogla, ulje të normave maksimale të interesit dhe rritje të transparencës. Këto masa goditën drejtpërdrejt praktikën e dhënies së kredive të shpejta dhe me kushte të dyshimta.
Përfaqësues të sektorit të mikrofinancës pranojnë se ndryshimet kanë ngushtuar ndjeshëm bazën e klientëve. Kërkesat e reja për dokumentim të të ardhurave dhe analizë të detajuar të shpenzimeve kanë përjashtuar një pjesë të mirë të aplikantëve tipikë. Si pasojë, shumë qytetarë ose nuk aplikojnë më, ose detyrohen të drejtohen sërish drejt huadhënies informale, e cila është edhe më e shtrenjtë dhe jashtë çdo garancie ligjore. /Pamfleti
Lini një Përgjigje