TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 3 Gusht 2025, 15:30

Rënia e valutave ‘bekim’ për qeverinë, forcimi i lekut tkurri borxhin publik

Shkruar nga Pamfleti

Rënia e valutave ‘bekim’ për qeverinë, forcimi i

Forcimi i lekut dhe dobësimi i valutave që ka vijuar edhe në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka ndikuar pozitivisht në tkurrjen edhe më tej të borxhit publik. Raporti i fundit i Ministrisë së Financave tregon se borxhi publik në fund të muajit qershor 2025 ka zbritur në 54.02% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 54.18% që ishte në mars të 2025-ës apo 54.21% në fund të vitit të shkuar.

E përkthyer në vlerë, borxhi i vendit në fund të qershorit përllogaritej në 14.1 miliardë euro, nga 14.2 miliardë euro që ishte në mars të po këtij viti. Ndërsa në raport me dhjetorin e vitit 2024 borxhi publik në vlerë është rritur i ndikuar nga marrja e eurobondit prej 650 milionë euro në shkurt të këtij viti.

Bazuar në këtë raport, duket se rënia e borxhit në raport me prodhimin kombëtar ka ardhur kryesisht prej zhvlerësimit të valutave, pasi borxhi i jashtëm që merret në monedhë të huaj është ulur me 0.83% nga tremujori i parë në tremujorin e dytë të vitit. Ndërsa borxhi i brendshëm që merret në Lekë, është në rritje prej 0.67%.

Në vlerë, borxhi i jashtëm ka zbritur nga 6.5 miliardë euro në fund të marsit në 6.2 miliardë euro në qershor. Kurse borxhi i brendshëm është rritur nga 7.7 miliardë euro në 7.8 miliardë euro.

Zhvlerësimi i valutave dhe kryesisht i euros e ka bërë më të lirë borxhin e huaj, për shkak se këstet e shlyerjes së tij kanë qenë më të ulëta. Por ndikim në reduktimin e borxhit të jashtëm mund të ketë dhënë edhe pagimi i huave të shkuara, me eurobondin e marrë në nisje të vitit.

Ndërsa Ministri i Financave thotë se rënia e borxhit tregon për një politikë të kujdesshme fiskale, si dhe për një mirëmenaxhim të portofolit në tërësi. Borxhi publik i Shqipërisë është i përqendruar kryesisht për mbështetje buxhetore, për sektorin e transportit, energjisë elektrike dhe për ujësjellës kanalizime./ Report TV

BORXHI PUBLIK I SHQIPËRISË

Dhjetor 2024     13.650 mln euro

Mars 2025         14.204 mln euro

Qershor 2025    14.156 mln euro

BORXHI SIPAS MONEDHËS

                            Valutë               Lekë

Mars 2025         6.500 mln €         7.705 mln €

Qershor 2025    6.274 mln €         7.881 mln €

Diferenca           - 226 mln €         +176 mln €

BORXHI PUBLIK NË RAPORT ME PBB-NË

Dhjetor 2024          54.21%   

Mars 2025              54.18%

Qershor 2025         54.02%

Lini një Përgjigje