Megjithëse interesi i kompanive izraelite për tregun shqiptar po rritet, investimet direkte mbeten ende në nivele të ulëta.
Transaksionet në fushën e pasurive të paluajtshme, angazhimi në industrinë ushtarake dhe së fundmi hyrja në sektorin bankar tregojnë një intensifikim të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Ky zhvillim mbështetet edhe nga afrimi politik mes dy vendeve, i reflektuar në vizitën e fundit të kryeministrit Edi Rama në Tel Aviv.
Një nga hapat më të rëndësishëm ishte blerja, në muajin qershor, e 49 për qind të aksioneve nga kompania “Timak”, e cila bashkëpunon me KAYO, shoqëria shtetërore që do të merret me prodhimin dhe tregtimin e armëve.
Paralelisht, investitorët izraelitë morën miratimin nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë për licencimin e “JET Bank”, një bankë që do të operojë tërësisht në formë digjitale.
Në të njëjtën kohë, prania e kapitalit izraelit është zgjeruar ndjeshëm në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme, ku një numër i konsiderueshëm kompanish kanë hapur degë ose subjekte të reja. Nëse në vitin 2023 ishin të regjistruara 42 biznese izraelite dhe në 2024-ën 39, numri i tyre arriti në 105 gjatë vitit të kaluar.
Statistikat e Institutit të Statistikave tregojnë gjithashtu një rritje të fortë të eksporteve shqiptare drejt Izraelit. Gjatë vitit të shkuar, vlera e mallrave të eksportuara u trefishua pothuajse, duke kaluar nga 3.9 milionë euro në 2024-n në 11.2 milionë euro.
Në kahun tjetër, importet nga Izraeli shënuan rënie. Nga 50.1 milionë euro në vitin 2024, ato zbritën në 27.6 milionë euro gjatë vitit të shkuar. Po ashtu, tensionet ushtarake kanë ndikuar negativisht edhe në flukset turistike, duke sjellë një rënie të numrit të vizitorëve izraelitë pas rritjes së ndjeshme të regjistruar në vitin 2023.
Megjithëse interesi i kompanive izraelite për tregun shqiptar po rritet, investimet direkte mbeten ende në nivele të ulëta.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, stoku i investimeve izraelite ishte më pak se 7 milionë euro. Në përmbledhje, gjatë dekadës së fundit, afrimi politik mes Shqipërisë dhe Izraelit ka nxitur një interes më të madh të sektorit privat izraelit për të investuar në vend, edhe pse në shifra ende modeste.
Lini një Përgjigje