TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi27 Shkurt 2026, 11:08

“Mallkimi i Shtypshkronjës”: Diktatorët, populistët dhe bankat qendrore

Shkruar nga Vadim Belkin
“Mallkimi i Shtypshkronjës”: Diktatorët, populistët
Shtypshkronjë e parave /

Nga sulmet e paprecedenta të Shtëpisë së Bardhë ndaj Rezervës Federale e deri te hiperinflacioni tragjik i Venezuelës, historia tregon se sapo politikanët prekin shtypshkronjën e parave, ekonomia shkon drejt greminës…

Donald Trump ka nisur një sulm frontal ndaj Rezervës Federale (Fed), duke kritikuar ashpër kryetarin Jerome Powell dhe duke promovuar Kevin Warsh për postin e bankierit më të lartë të Amerikës.

Kjo nuk është thjesht një zhurmë politike, por një shkelje e parimit themelor se udhëheqësit politikë nuk duhet të kontrollojnë emetimin e parave. Një përgjegjësi, që historikisht i përket një institucioni të pavarur.

Megjithëse pavarësia e bankës qendrore nuk garanton mbrojtje absolute nga krizat, ajo siguron një mjedis ekonomik më të shëndetshëm sesa kontrolli i drejtpërdrejtë i politikanëve. Kur këto interesa përplasen, rezultati i zakonshëm është hiperinflacioni, siç u pa në Venezuelë nën Nicolás Maduro-n.

Edhe pse Vladimir Putin ka qenë historikisht më pak ndërhyrës se diktatorët e tjerë në politikat monetare, sot qeveria dhe elitat e tij po ushtrojnë presion në rritje mbi Bankën e Rusisë për të financuar nevojat e luftës.

Struktura e Fed-it u krijua në vitin 1913 për të parandaluar shndërrimin e saj në një mjet të thjeshtë të Shtëpisë së Bardhë apo të partisë në pushtet. Roli kyç luhet nga shtatë guvernatorë, secili i emëruar për një mandat të gjatë 14-vjeçar.

Ky afat e tejkalon ciklin presidencial, duke siguruar që asnjë udhëheqës të mos ketë fuqinë për të ndryshuar të gjithë bordin brenda një mandati. Presidenti ka autoritetin t’i shkarkojë ata vetëm për “sjellje të keqija të provuara”, por në mbi një shekull histori, asnjë president nuk e ka bërë këtë.

Emërimet ndjekin një kalendar të rreptë (31 janari i viteve çift), që do të thotë se një president mund të zëvendësojë vetëm dy guvernatorë gjatë katër viteve, me kushtin që të mos ketë dorëheqje apo vdekje të parakohshme.

Trump synon të thyejë këtë traditë përmes Kevin Warsh, një ish-guvernator i cili dikur njihej si “skifter” kundër inflacionit, por që sot shihet si një figurë më e pajtueshme me populizmin e Trump.

Trump kërkon norma më të ulëta interesi për të stimuluar rritjen, një lëvizje që zakonisht nxit inflacionin. Warsh tani argumenton se Fed duhet të braktisë dogmën e saj dhe të ulë normat e interesit për të ndihmuar “Main Street” (ekonominë reale), duke kritikuar bilancin e fryrë të bankës.

Megjithatë, kritikët e shohin këtë si një ndryshim oportunist të bindjeve për të fituar postin. Përveç kësaj, Trump ka tentuar të bëjë diçka të paprecedentë: shkarkimin e guvernatores Lisa Cook me akuza për mashtrim, të cilat u hodhën poshtë nga hetimet e pavarura.

Çështja arriti në Gjykatën e Lartë, ku edhe gjyqtarët konservatorë si Brett Kavanaugh shprehën shqetësimin se lejimi i presidentit për të shkarkuar guvernatorët bazuar në interpretime të zgjeruara, do të minonte pavarësinë e institucionit.

Ky presion rikujton rastet historike si ai i Lyndon Johnson në vitin 1965, i cili i bërtiste kryetarit të Fed se “djemtë po vdesin në Vietnam dhe ju nuk shtypni paratë që më duhen”, apo Richard Nixon i cili siguroi norma të ulëta para zgjedhjeve të vitit 1972, duke shkaktuar një dekadë inflacioni të lartë.

Pavarësia e bankës qendrore, përcaktohet nga katër elemente akademike: mandati i gjatë i guvernatorit, mosndërhyrja e qeverisë në vendime, stabiliteti i çmimit si objektiv parësor dhe kufizimi i huamarrjes së qeverisë nga banka.

Megjithatë, hulumtimet e Davide Romelli-t tregojnë disa paradokse. Vende si SHBA-ja apo Japonia kanë nivele formale të ulëta pavarësie, ndërsa vende me probleme si Venezuela apo Turqia kanë korniza ligjore që duken “të fuqishme” në letër.

E vërteta është se në regjimet autoritare, ku gjyqësori nuk funksionon, ligji është i pakuptimtë. Bankierët jodemokratikë japin dorëheqjen “vullnetarisht” sapo e kërkon lideri, pavarësisht mbrojtjes ligjore.

Venezuela përfaqëson shembullin më ekstrem, me një rritje çmimesh 3 trilion-fish në 25 vite. Interesant është fakti se banka qendrore drejtohej për një kohë të gjatë nga Nelson Merentes, një matematikan i shquar me doktoraturë në Budapest.

Megjithatë, as kredencialet e tij akademike dhe as pavarësia formale e bankës nuk patën vlerë kur regjimi i Maduros zhvilloi një oreks të pangopur për të shtypur para. Kur ra kërkesa për monedhën, autoritetet shtypën para edhe më shpejt për të nxjerrë ndonjë përfitim, duke krijuar një spirale ku mallrat u zhdukën nga raftet dhe ekonomia u shkatërrua plotësisht.

Gjatë dekadës së fundit, inflacioni në Rusi ka qenë mesatarisht 6.5 për qind. Sipas këtij treguesi, Putini nuk është diktatori më i keq në botë, por as më i “kujdesshmi”. Ai renditet pas vendeve si Kina, Vietnami apo Arabia Saudite, të cilat mbajnë norma shumë më të ulëta.

Ndonëse frenimi i çmimeve është kthyer në një lloj ideologjie ekonomike për regjimin e tij gjatë luftës, presioni mbi Bankën e Rusisë po rritet, duke kërcënuar këtë stabilitet të brishtë. Një shembull surprizues për stabilitetin vjen nga vendet më të varfra të Afrikës.

Kameruni, Burkina Faso dhe Mali kanë norma inflacioni rreth 3 për qind, shifër kjo e krahasueshme me Evropën. Kjo ndodh sepse këto vende nuk kanë monedhë “sovrane” në kuptimin tradicional. Ato përdorin frangën CFA, i cili është i lidhur me euron dhe menaxhohet nga institucione mbikombëtare.

Diktatorët e këtyre vendeve, si Paul Biya i Kamerunit (në pushtet që nga viti 1982), kanë kuptuar se është më mirë të sakrifikojnë kontrollin mbi shtypshkronjën (shtypjen e parave) sesa të përballen me kaosin ekonomik. Ky është një mësim që vlen si për diktatorët, ashtu edhe për udhëheqësit e vendeve demokratike si Trump.

Historia dhe të dhënat globale, vërtetojnë se sapo një udhëheqës politik fiton kontrollin mbi makinerinë e shtypjes së parave, tundimi për të financuar ambiciet e tyre përmes inflacionit bëhet i papërmbajtshëm.

Sulmet e Trump ndaj institucioneve si Fed, nuk janë thjesht retorikë zgjedhore. Ato përfaqësojnë një rrezik për stabilitetin e monedhës rezervë të botës. Në një botë ku populistët premtojnë zgjidhje të shpejta, pavarësia e vërtetë e bankës qendrore mbetet mbrojtja e fundit kundër “mallkimit të shtypshkronjës” që ka rrënuar kombe të tëra./Përshtati Pamfleti nga “The Insider”

diktatorë populistë banka qendrore

Lini një Përgjigje