Bursat kryesore evropiane u rritën në hapje të seancës së së martës, ndërsa rënia e çmimeve të energjisë përmirësoi klimën e investimeve.
Kontratat evropiane të gazit natyror ranë rreth 16%, ndërsa çmimet e naftës u ulën gati 10%, pas deklaratave të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili tha se lufta me Iranin mund të përfundojë së shpejti.
Një ditë më parë, çmimet e naftës u ngjitën deri në 120 dollarë për fuçi. Të martën, nafta amerikane WTI ra me 7.5%, në 87.7 dollarë për fuçi, ndërsa Brent u ul me 7.3%, në 91.8 dollarë.
Në tregjet e aksioneve, indeksi pan-evropian Stoxx 600 u rrit me 1.81% në 605.67 pikë. FTSE 100 në Londër fitoi 1.40%, ndërsa DAX në Frankfurt u rrit me 2%. Në Paris, CAC 40 shënoi rritje prej 1.66%.
Fitime regjistruan edhe tregjet e Evropës Jugore. FTSE MIB në Milano u rrit me 2.34%, ndërsa IBEX 35 në Madrid fitoi 2.37%.
Lëvizja e së martës i dha fund një serie humbjesh tre-ditore për indeksin pan-evropian Stoxx 600, i cili javën e kaluar humbi pothuajse 6%, ndërsa tregjet globale u tronditën nga përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Lini një Përgjigje