
Nisma Thurje i kërkoi sot Autoritetit të Konkurrencës të nisë hetimet për çmimin e naftës dhe të gazit në tregun e pakicës, pasi dyshohet se disa ndryshime në çmimet e karburanteve nuk janë pasqyruar në tregun vendas dhe se mund të ketë disa marrëveshje të fshehta mes pikave të karburanteve.
Në shkresën e drejtuar Autoritetit të Konkurrencës, theksohet se pavarësisht uljes së çmimit të karburantit në tregjet ndërkombëtare dhe rënies së kursit të këmbimit të dollarit amerikan, nuk ka patur asnjë ndryshim në çmimin e karburantit në tregun vendas.
“Sipas informacioneve që disponojmë, ka patur një ndryshim të konsiderueshëm në çmimet e karburanteve në bursat ndërkombëtare, të cilat nuk janë pasqyruar në tregun vendas. Në të njëjtën kohë, kursi i këmbimit të dollarit amerikan ka pësuar një rënie rreth 5% por edhe kjo nuk ka patur ndonjë efekt të dukshëm në çmimet e karburanteve në Shqipëri të cilat kanë mbetur në nivelet e para një muaji”, thuhet në shkresën e dërguar Autoritetit të Konkurrencës.
Ndërsa në denoncim theksohet se fakti që çmimi i naftës mbetet shumë i lartë në të gjitha pikat e shitjes njëkohësisht, Nisma Thurje shkruan se ka dyshime të arsyeshme që këta operatorë të kenë një marrëveshje për të mos ndryshuar çmimet.
“Ky fenomen ku çmimi i naftës mbetet shumë i lartë njëkohësisht tek të gjitha pikat e shitjes me pakicë, krijon dyshime të arsyeshme se mund të ketë një dakordësi mes operatorëve në treg për të fiksuar çmimet e naftës dhe të gazit, çka bie në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e Konkurrencës përveç faktit që përbëjnë shkelje penale”, argumentohet më tej.
Nisma Thurje ka deklaruar se do t’i drejtohet edhe prokurorisë pasi një praktikë e tillë, përbën vepër penale që ndalohet me ligj.
Lini një Përgjigje