Skema e “investimeve” që fsheh kapitalin e dyshimtë; një model ballkanik që sfidon shtetin dhe deformon tregun...
Hetimi i fundit i medias malazeze Vijesti mbi fenomenin e “zelenašenjes”(Kamata gjakatare) në Mal i Zi nuk është thjesht një kronikë e zezë lokale. Është një pasqyrë alarmante e një modeli financiar kriminal që, me variacione të vogla, është i pranishëm edhe në Shqipëri.
Në thelb, kemi të bëjmë me një transformim të fajdeve tradicionale në një instrument modern pastrimi parash: para të pista që futen në ekonomi përmes “partneriteteve”, investimeve në ndërtim, blerjes së pronave apo hapjes së bizneseve fasadë.
Skema është e sofistikuar, por mekanizmi mbetet brutal. Individë me kapital të dyshimtë ofrojnë hua me interesa të larta për biznese në vështirësi ose individë të dëshpëruar. Kur borxhi bëhet i papërballueshëm, kreditori nuk kërkon më para në dorë, por pjesë në biznes, prona apo ndikim në vendimmarrje.
Në këtë pikë, paratë e zeza kalojnë nga periferia kriminale në qendër të ekonomisë formale. Ajo që në letër duket si “bashkëinvestim”, në realitet është aneksim ekonomik përmes presionit financiar.
Në Shqipëri, kjo skemë ka gjetur terren pjellor në sektorë me qarkullim të lartë parash dhe transparencë të ulët, si ndërtimi, turizmi sezonal, tregtia e pasurive të paluajtshme dhe aktivitetet cash-intensive.
Rritja e shpejtë e kullave dhe komplekseve rezidenciale në Tiranë dhe në bregdet ka ngjallur vazhdimisht pikëpyetje mbi burimin e kapitalit fillestar. Në mungesë të një hetimi të thelluar financiar për çdo investim të madh, ekonomia rrezikon të deformohet nga para që nuk ndjekin logjikën e tregut, por logjikën e riciklimit të fitimeve kriminale.
Roli i institucioneve është vendimtar. Në Shqipëri, SPAK ka në dorë instrumente të forta ligjore për hetim pasuror dhe konfiskim të aseteve me origjinë të pajustifikuar. Por sfida reale nuk është vetëm goditja e individëve të përfshirë drejtpërdrejt në krim, por çmontimi i zinxhirit financiar që i lejon këto para të hyjnë në sistem përmes noterëve, avokatëve, kompanive guackë dhe transfertave të fragmentuara. Pa një strategji të integruar hetimi financiar, fenomeni mbetet gjithmonë një hap përpara drejtësisë.
Në nivel rajonal, raportet e Moneyval kanë theksuar vazhdimisht se Ballkani Perëndimor mbetet i cenueshëm ndaj pastrimit të parave për shkak të ekonomive informale të mëdha dhe kontrollit të dobët mbi pronësinë përfituese të kompanive. Kjo është edhe një çështje integrimi europian. Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se lufta kundër pastrimit të parave dhe krimit ekonomik është kusht thelbësor për avancimin në negociata. Në këtë kuptim, tolerimi i “zelenašenjes”(fajdeve gjakatare) moderne nuk është vetëm problem social, por kosto strategjike për aspiratat europiane të vendit.
Dimensioni social është po aq shqetësues. Fajdet moderne krijojnë një ekonomi frike: biznese që nuk guxojnë të denoncojnë, individë që heshtin nga presioni, familje që humbin pronën për shkak të një borxhi fillestar relativisht të vogël. Në këtë mënyrë, krimi nuk kontrollon vetëm para, por edhe territor ekonomik dhe ndikim lokal. Kjo sjell një deformim të konkurrencës: sipërmarrësit e ndershëm përballen me rivalë që nuk shqetësohen për normën e fitimit, sepse objektivi i tyre nuk është tregu, por legalizimi i kapitalit.
Nëse Shqipëria dhe vendet e rajonit nuk kalojnë nga reagimi sporadik tek hetimi sistematik i pasurisë dhe transparenca e plotë e kapitalit investues, “milionat e pista” do të vazhdojnë të shndërrohen në hotele, kulla dhe resorte luksoze. Në fund, pyetja nuk është nëse fenomeni ekziston, por sa thellë ka depërtuar në indin ekonomik. Dhe sa më gjatë të heshtet, aq më e shtrenjtë do të jetë kostoja për shtetin, tregun dhe qytetarët./Pamfleti
Lini një Përgjigje