
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur sot, më 5 nëntor 2025, të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%. Gjithashtu, mbeten të pandryshuara edhe norma e depozitës njëditore në 1.5% dhe norma e kredisë njëditore në 3.5%.
Në fjalën e tij pas mbledhjes, Guvernatori Gent Sejko tha se ekonomia shqiptare po ecën me ritme të qëndrueshme dhe se politika monetare aktuale ka dhënë efektet e duhura në stabilizimin e çmimeve dhe nxitjen e kreditimit.
“Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar mbeten të konsoliduar. Inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të tretë, por ai vijon të qëndrojë në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit tonë”, tha ai.
Guvernatori theksoi se reagimi në kohë i Bankës ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe besimit të tregjeve.
“Politika monetare ka pasur një kontribut pozitiv në kontrollin e presioneve inflacioniste. Fleksibiliteti që kemi shfaqur nëpërmjet koordinimit me politikën fiskale dhe kursin e këmbimit ka krijuar një ambient monetar akomodues për rritjen e konsumit, investimeve dhe kreditimit”, shtoi Sejko.
Sipas raportit të politikës monetare për tremujorin e katërt, inflacioni mesatar është 2.4%, ndërsa Banka pret që të rikthehet në objektivin 3% në gjysmën e parë të vitit 2026.
Sejko nënvizoi se tregjet financiare mbeten të qeta, kreditimi vijon të rritet me norma dyshifrore dhe sektorët kryesorë të ekonomisë janë në zgjerim.
“Tregjet financiare karakterizohen nga likuiditet i bollshëm dhe norma të ulëta interesi. Kredia për sektorin privat është rritur me 14%, duke mbështetur investimet dhe konsumin. Cilësia e portofolit të kredisë mbetet e kënaqshme dhe treguesit e sektorit bankar janë të shëndetshëm”, tha ai.
Megjithatë, guvernatori pranoi se panorama e rreziqeve mbetet komplekse, duke përfshirë tensionet gjeopolitike dhe mungesat në tregun e punës.
“Rritja e pagave dhe kërkesa e lartë për punë mund të përbëjnë presione të reja inflacioniste. Banka e Shqipërisë do të vijojë të marrë vendime të kujdesshme, bazuar në informacionin e ri dhe në zhvillimet ekonomike”, vijoi Sejko.
Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës e konsideroi qëndrimin aktual të politikës monetare si të përshtatshëm për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve, ndërsa sinjalizoi se vendimet e ardhshme do të varen nga ecuria e inflacionit dhe ritmi i rritjes ekonomike.
Lini një Përgjigje