TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 4 Nëntor 2025, 17:07

Paketa fiskale/ Rritet sërish paga minimale, normë 5 për qind për rivlerësimin e banesave

Shkruar nga Pamfleti

Paketa fiskale/ Rritet sërish paga minimale, normë 5 për qind

Qeveria ka gati buxhetin e vitit që vjen. Përveç rritjes së fondeve dhe planit për të rritur pensionet, qeveria synon të rrisë pagën minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë në muaj. Të dhënat janë bërë publike në kapitullin për paketën fiskale. Po ashtu pritet që të mundësohet rivlerësimi i banesave me një tarifë prej 5 për qind.

Paketa tatimore për vitin 2026

Ministria e Financave, paralelisht me Buxhetin 2026, ka hartuar paketën tatimore 2026 me ndryshimet në ligjet tatimore, të cilat mbështesin realizimin e këtij buxheti, si në drejtim të rritjes së të ardhurave, ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të procedurave me qëllim reduktimin e shmangieve dhe evazionit. Paketa tatimore për vitin 2026 parashikon një sërë ndryshimesh ligjore, por më poshtë është një përmbledhje e projektligjeve me ndikim në të ardhura.

1. Projektligji "Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qëndrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë"

Projektligji parashikon kushtet për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore të papaguara ndaj administratës tatimore qëndrore në sistemin tatimore e-tax ose jashtë tij dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë. Për vitin 2026 janë parashikuar në total rreth 3.7 miliardë lekë nga zbatimi tij.

2. Projektligji "Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme"

Projektligji parashikon rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili synon të krijojë një kuadër ligjor për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të individëve dhe personave juridikë, duke ofruar një instrument për të përshtatur vlerën e pronave të tyre me atë të tregut, në kushtet kur çmimet e pasurive të paluajtshme janë në rritje, si dhe po rishikohen edhe çmimet e referencës. Norma e rivlerësimit ëhstë 5% dhe do zbatohet përgjatë gjithë vitit 2026. Për vitin 2026 nuk janë parashikuar të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit, për arsye se këto të ardhura neutralizojnë të ardhurat nga fitimi kapital i shitjes së pasurisë së paluajtshme.

3. Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, 'Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë', i ndryshuar"

Ky projektligj ka si qëllim të mbështesë dhe lehtësojë prodhuesin bujqësor (fermerin), nëpërmjet rishikimit të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë, duke prezantuar një normë dhe procedurë të re të kompensimit të prodhuesve bujqësorë. Synohet që fermeri do të kompensohet me një normë prej 10 për qind për tatimin mbi vlerën e shtuar e paguar për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, në funksion të realizimit të aktiviteteve të tij prodhuese bujqësore. Efekti është vlerësuar rreth minus 1,5 miliarde lek.

4. Rritja e pagës minimale dhe maksimale nga janar 2026

Nga 1 janar 2026 do të rritet paga minimale nga 40 mijë lek në 50 mijë lek dhe në të njëjtën masë edhe paga maksimale. Bazuar në të dhënat e administratës tatimore, rezulton se efekti pozitiv në të ardhura do të jetë rreth 9 miliadë lek, nga të cilat rreth rreth 7,6 miliard lekë nga kontributet shoqërore dhe rreth 1,4 miliardë lek nga kontributet shëndetësore.

 

Lini një Përgjigje