
Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, së bashku me Ambasadorin e Kosovës Albinot Bimbashi dhe deputetin e Parlamentit austriak Andreas Minnich, inauguruan sot edicionin e pestë të Panairit të Bizneseve Shqiptare në Austri.
Panairi u organizua nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri nën drejtimin e biznesmenit Ylli Blakaj, dhe këtë vit mblodhi së bashku biznese shqiptare jo vetëm nga Austria, por edhe nga vende të tjera europiane.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Fate Velaj theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla që i japin bizneseve shqiptare mundësinë për të prezantuar produktet e tyre, për të shkëmbyer përvoja dhe për të krijuar lidhje të reja në tregjet e vendeve gjermanofolëse.
Velaj theksoi gjithashtu se Ambasada e Shqipërisë në Vjenë e ka vendosur si prioritet bashkëpunimin ekonomik dhe nxitjen e partneriteteve mes sipërmarrësve shqiptarë dhe atyre austriakë. Ai njoftoi se po punohet konkretisht për organizimin e delegacioneve të biznesit dhe se shumë shpejt një delegacion ekonomik nga Austria e Sipërme do të vizitojë Tiranën, në krye të të cilit do të jetë Landeswirtschaftsrat-i i këtij rajoni.
Në fund, Ambasadori Fate Velaj theksoi se Ambasada në Vjenë është dhe mbetet shtëpia e madhe e shqiptarëve në Austri, duke i ftuar të gjithë shqiptarët të jenë aktivë dhe të angazhuar në përfaqësimin e denjë të komunitetit në institucionet e vendit mik, gjithmonë me mbështetjen e plotë të Ambasadës dhe të shtetit shqiptar./Pamfleti




Lini një Përgjigje