Të dhënat e raportit janë një pasqyrë e errët e mënyrës si trajtohen paratë publike në Shqipëri...
Të paktën 24 milionë euro është fatura që qytetarët shqiptarë kanë paguar për paaftësinë, neglizhencën dhe, në disa raste, abuzimet direkte të institucioneve shtetërore.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin zyrtar për periudhën janar-gusht 2025, ka zbuluar një numër alarmant shkeljesh që kanë sjellë dëme ekonomike dhe menaxhim të dobët të fondeve publike në vlerën totale 2.4 miliardë lekë.
KLSH thekson se rreth 112 milionë lekë janë dëme direkte, ndërsa pjesa tjetër, mbi 2.29 miliardë lekë, janë rezultat i menaxhimit joefektiv, që do të thotë, fonde të shpërdoruara pa kthim ose pa efektin e synuar. Pjesa më e madhe e dëmit ekonomik është konstatuar në shpenzimet publike (57%), ndërsa pjesa tjetër në të ardhurat e munguar (43%).
Në pjesën e shpenzimeve, vërehet se 90% e dëmit buron nga prokurimet dhe kontratat publike, punime të pakryera që janë likuiduar, kontrata me përmbajtje jashtë standardeve teknike, ose mosllogaritje e kostove përfundimtare.
Ndërkohë, në të ardhurat, 96% e problematikës lidhet me doganat, ku KLSH zbulon raste të rënda si: pagesa të paregullta të TVSH-së, deklarime të manipuluara në importe, përjashtime të padrejta fiskale dhe trajtim selektiv të shkeljeve.
Skandal i thellë në të ardhurat e qeverisjes vendore
Raporti zbardh një tjetër plagë të madhe: bashkitë dhe qeverisja lokale nuk mbledhin taksat dhe tarifat vendore. Rreth 1.76 miliardë lekë janë humbje nga të ardhurat, përfshirë mospagesa për përdorimin e pronës publike nga subjektet private dhe moszbatim të gjobave për shkelje si prerje të paligjshme drurësh, nxjerrje gurësh dekorativë apo zjarre të shkaktuara nga pakujdesia ose qëllimisht.
Po ashtu, janë konstatuar 523 milionë lekë shkelje në fushën e shpenzimeve, duke përfshirë likuidime të paligjshme, procedura të parregullta prokurimi, si dhe shkelje të disiplinës buxhetore në lidhje me pagesat nga fondet publike.
Shifra që tregojnë dështimin
Në total, për këtë 8-mujor, janë dhënë 1034 rekomandime, nga të cilat 148 lidhen drejtpërdrejt me dëmin ekonomik, ndërsa 214 janë masa disiplinore dhe administrative, përfshirë lëshime të rënda në menaxhim, mungesë transparence dhe shkelje të ligjit. KLSH ka propozuar edhe masa organizative dhe ndryshime ligjore për të ndalur përkeqësimin e situatës.
Të dhënat e raportit janë një pasqyrë e errët e mënyrës si trajtohen paratë publike në Shqipëri. Në mungesë të hetimeve penale dhe ndëshkimeve serioze, fatura i mbetet qytetarit që paguan më shumë taksa për më pak shërbime, ndërkohë që paratë avullojnë në prokurime fiktive dhe marrëdhënie të errëta kontraktuale.
Pjesë nga raporti
Gjetje me efekte negative në të ardhura dhe shpenzime
Gjatë periudhës Janar - Gusht 2025, janë dhënë 148 rekomandime mbi gjetje me efekte negative në buxhetin e shtetit, për total vlerën 2,404,623 mijë lekë, nga të cilat: dëmi ekonomik vlerësuar 112,257 mijë lekë, menaxhimi jo efektiv i fondeve në vlerën 2,292,366 mijë lekë.
Vlera e efekteve financiare me pasojë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, është konstatuar 57% në fushën e shpenzimeve dhe 43% në fushën e të ardhurave.
Në fushën e shpenzimeve, peshën më të madhe (90%) e zënë shkeljet e konstatuara përgjatë procedurave të prokurimit dhe zbatimit të punimeve/kontratave në vlerën 57,445 mijë lekë (likuidime për punime të pakryera, mos llogaritje e kostove përfundimtare të shërbimit të projektimit, punime jo në përputhje me specifikimet teknike, etj).
Ndërsa në fushën e të ardhurave, peshën me të madhe (rreth 96% e totalit të të ardhurave) e zënë të ardhurat nga aktiviteti doganor, si pasojë e mos arkëtimit të detyrimeve doganore; pagesa detyrimesh doganore në import për të cilat nuk është vepruar në përputhje me kuadrin ligjor, vlerësime të gabuara të importeve dhe deklarimeve të artikujve, përjashtim i padrejtë nga pagimi i TVSH-së dhe trajtim i gabuar i shkeljeve doganore. Gjithashtu problematika janë evidentuar në të ardhurat e munguara nga administrimi i pasurisë shtetërore dhe marrëdhëniet kontraktuale me palët e treta, në shumën prej 1,472 mijë lekë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë periudhës Janar – Gusht 2025, ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 2,292,366 mijë lekë nga të cilat:
-1,768,832 mijë lekë në fushën e të ardhurave (ose rreth 77% e totalit) kryesisht në të ardhurat e qeverisjes lokale për çështje që lidhen me detyrime për taksat dhe tarifat vendore (ose rreth 31% e totalit të të ardhurave), mos tarifimit/përllogaritjes së gabuar/mos aplikim të kamat vonesave për përdorimin e pronave të bashkisë nga subjektet private (ose rreth 32% e totalit të të ardhurave); dhe detyrime të pa arkëtuara për zjarre apo veprimtari të kundërligjshme si: prerje drurësh, gurë dekorativë etj., rreth 35% e totalit të të ardhurave.
-523,534 mijë lekë në fushën e shpenzimeve (ose rreth 23% e totalit) si rezultat i shkeljeve të konstatuara përgjatë procedurave të prokurimit dhe zbatimit të punimeve/kontratave në vlerën 253,698 mijë lekë, si dhe shkelje të disiplinës buxhetore lidhur me likujdimin e shpenzimeve në vlerën 123,240 mijë lekë.
Masa disiplinore dhe administrative
Bazuar në Ligjin nr. 154, datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH, për të metat dhe shkeljet e konstatuara, ka adresuar tek subjektet e audituara 214 rekomandime për masa administrative dhe disiplinore, nga të cilat 3 masa administrative dhe 211 masa disiplinore.
Konkretisht, për shkeljet e konstatuara në bazë të ligjit të mësipërm, Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, neni 58 dhe Kodit të Punës, KLSH u ka kërkuar organeve respektive shqyrtimin dhe marrjen e 211 masave disiplinore nga të cilat:
-120 masa disiplinore sipas Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, neni 58 (pasi për 35 masa, punonjësit kanë rezultuar të larguar nga puna).
-43 masa disiplinore sipas Kodit të Punës dhe Kontratës Kolektive apo Individuale të Punës (pasi për 13 masa, punonjësit kanë rezultuar të larguar nga puna).
Masa administrative
Bazuar në Ligjin Nr.154, atë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH, për të metat dhe shkeljet e konstatuara, ka adresuar tek subjektet e audituara 3 masa administrative. Konkretisht, për shkeljet e konstatuara, KLSH u ka kërkuar organeve respektive (APP, IMTV, institucionit pergjegjës sipas kuadrit ligjor përkatës) shqyrtimin dhe marrjen e 3 masave administrativ: Dënim me gjobë, 2 Në kompetencë të institucionit epror: 1. /Pamfleti
Lini një Përgjigje