TAGS-AT E JAVËS

Editorial16 Janar 2025, 13:41

Rreziku i rishikimit të kufijve

Shkruar nga Raoul Löbbert

Rreziku i rishikimit të kufijve

Ndonjëherë, hartat flasin më shumë se fjalët. Dhe kjo ndodhi edhe javën e kaluar. Në platformën e tij “Truth Social”, presidenti i ardhshëm i SHBA-së Donald Trump postoi një hartë të Amerikës së Veriut, të mbështjellë me yje dhe vija, duke shkruar: ”Oh Kanadaja!”.

Harta të ngjashme kanë qarkulluar në qarqet pranë Trump për javë të tëra, me kufijtë e Amerikës së Madhe. Për shembull, politikani republikan Mike Collins, ndau në nëntor 2024 në rrjetet e tij sociale një hartë të Shteteve të Bashkuara me Grenlandën si shtet amerikan nën titullin “Projekti 2029”.

Në llogarinë e fansave të Trump në X, End Wokeness, me 3.4 milionë ndjekës, Kanadaja dhe Grenlanda, së bashku me Meksikën, Islandën, Filipinet, Kanalin e Panamasë, Kubën, pjesë të Meksikës dhe për çudi edhe qytetet gjermane Bremen dhe Bremerhaven, përfshihen ndër supershtetet e ardhshme të Amerikës.

Edhe nëse Gjiri i Meksikës e ruan emrin e tij, të tjerët në lëvizjen MAGA duan që ta riemërtojnë sa më shpejt si “Gjiri i Amerikës”. Ndikimi gjeopolitik i këtyre hartave të rishikuara, është shumë i madh: A ilustrojnë ato shfaqjen e një imperializmit të ri amerikan? Kjo pyetje është përballur me një mosbesim, por edhe shqetësim jo vetëm në Kanada dhe Danimarkë.

Nëse këto janë vërtet ambiciet e tij, mbi çfarë lloj ligjshmërie bazohet neo-imperializmi i Trump? Ai e ka shtuar më tej pasigurinë përmes komenteve të shkurtra në platformat X dhe Truth Social, si dhe në një konferencë për shtyp. Ndonjëherë, ai dëshiron që të imponojë ekonomikisht aneksimin e Kanadasë, ndërsa herë të tjera nuk përjashton as përdorimin e forcës ushtarake (për Grenlandën dhe Panamanë).

Pasiguria e ligjërimit të tij është e qëllimshme. Kështu ndodh kur politika bëhet përmes hartave. “Hartat vlejnë sa një mijë fjalë!- shkruan historiani gjerman Karl Schlögel në librin e tij të vitit 2006 “Mbi historinë e qytetërimit dhe gjeopolitikës”. “Por ato fshehin shumë më tepër”-thekson ai.

Sepse sa herë që mbaron një botë dhe nis një tjetër, thotë Schlögel, është koha për të bërë harta.

Schlögel i referohet kryesisht hartave politike - pra që tregojnë shtete, konfederata shtetesh, sfera ekzistuese apo të dëshiruara të ndikimit - dhe jo aq shumë hartave që përpiqen të pasqyrojnë realitetet gjeografike.

Por edhe këto të fundit janë pasqyrë e kushteve politike. Zakonisht, ato përmbajnë kufij dhe emra qytetesh, që të mund të lexohen si një libër i madh historik shumëngjyrësh me disa njohuri bazë. Të gjithë ata që kanë hasur emrin Karl-Marx-Stadt në një atlas të botës së vjetër e dinë mirë këtë.

Gjeopolitikisht më interesante se këto, janë hartat që jo vetëm përshkruajnë kushtet gjeografike dhe historike, por janë në vetvete shprehje e vullnetit politik apo utopisë, shkruan Schlögel.

Një shembull është harta Jefferson-Hartley e vitit 1783, që tregon se si 13 shtetet themeluese të SHBA-së synonin të zgjeroheshin drejt perëndimit pasi fituan pavarësinë nga Britania. “Vijat e hequra me një vizore që shkojnë paralelisht me gjerësinë dhe gjatësinë gjeografike janë kufijtë. Ato nuk marrin parasysh relievet natyrorë, lumenjtë ose vargmalet malore. Është arketipi i hapësirës së krijuar artificialisht”- shkruan Schlögel.

Me pak fjalë një çmenduri totale. Megjithatë, harta e sotme politike e Shteteve të Bashkuara duket pikërisht kështu. Dhe kjo është ajo që i bën hartat të tilla shumë të rrezikshme. Sepse ato mund të krijojnë një botë virtuale, që e riformëson realitetin sipas vullnetit të tyre.

Megjithatë, si utopi të përfaqësuara në harta, ato janë më pak shprehje e dëshirës së një individi për pushtet sesa e një epoke, një shoqërie apo edhe thjesht të një pjese të një shoqërie që është bërë e fuqishme. Prandaj, ndërsa hartat nga qarqet pranë Trump ndryshojnë në detaje, ato nuk ndryshojnë në drejtim.

Secili e interpreton më pak ekonomikisht sesa gjeografikisht kredon e republikanëve për të bërë Amerikën e Madhe, gjë që është shqetësuese. Ndoshta edhe vetë Donald Trump, mund të mos e imagjinojë plotësisht atë që përveç parave dhe dhunës mund ta mbajë së bashku një Amerikë të Madhe që përfshin jo vetëm Grenlandën dhe Kanadanë, por edhe Bremenin dhe Bremerhavenin.

Por nuk është ende kjo ajo që është në rrezik: ka të bëjë me ndjenjën e përcjellë në legjendën e hartës, me vetëbesimin për të qenë pjesë e një lëvizjeje që e vazhdon zgjerimin e saj në përjetësi dhe pafundësi. Hartat utopike funksionojnë së pari nga brenda; ata krijojnë komunitet dhe pretendojnë besnikëri përpara se përfundimisht - ose ndoshta kurrë - të ushtrojnë pushtetin e jashtëm.

Kjo i dallon hartat e MAGA-s nga ato të përdorura nga presidenti rus Vladimir Putin për të legjitimuar luftën e tij në Ukrainë. Në maj 2023, Putin tregoi një hartë franceze të shekullit XVII për t’u shpjeguar rusëve dhe te tjerëve pse ka pasur një “Rusia historike”, por kurrë një Ukrainë historike.

Putin dëshiron të rivendosë atë që në sytë e tij ka qenë gjithmonë Rusia. Kjo nuk është utopike, por historikisht e qartë dhe reaksionare. Por në dallim nga MAGA, hartat e qarkulluara së fundmi nga Donald Trump dhe mbështetësit e tij, synojnë ta çojnë Amerikën atje ku nuk ka qenë kurrë më parë.

Ata nuk kufij në arbitraritetin e tyre. E gjithë bota duhet të bëhet amerikane, ky është pretendimi i tyre. Se sa seriozisht duhet marrë kjo, do ta zbulojë koha. Por të kesh një pretendim përbën një rrezik, edhe për vetë Trumpin që vazhdon t’i shpërndajë këto harta. Hartat utopike priren të emancipojnë veten nga rrethanat e krijimit të tyre.

Kush e di se çfarë dëshiron vërtetë Trump apo edhe Elon Musk? Mega-miliarderi është duke ndjekur ëndrrën e tij për të zgjeruar ndikimin amerikan drejt Marsit. Kjo nuk është sfiduese nga pikëpamja hartografike, por kërkon edhe përpjekje konkrete. E si mund të duket një botë ku Elon Musk jo vetëm që lëshon raketa në hapësirë, por shkon drejt yjeve?

Edhe kjo utopi ka hartën e saj. Ajo e ka origjinën nga vitet 1930 dhe përshkruan Teknokracinë e Amerikës së Veriut - një entitet politik imagjinar që bashkon Kanadanë, SHBA-në, Meksikën, Grenlandën, të gjithë Amerikën Qendrore dhe pjesë të Amerikës së Jugut në një hapësirë ​​- njësoj si hartat e MAGA -s.

Harta u zhvillua nga Technocracy Incorporated - një grup i njohur më shumë në Gjermani si lëvizja teknokratike - një grup revolucionar që synonte të zëvendësonte elitat politike me një kastë të përbërë nga sipërmarrës, teknokratë dhe ekspertë për të parandaluar atë që ata e perceptonin si kolapsin e qytetërimit.

Një mendimtar kyç brenda kësaj lëvizjeje ishte Joshua N.Haldeman, gjyshi i Elon Musk, i cili simpatizonte Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, përpara se të emigronte në Afrikën e Jugut në vitet 1950 për shkak të dashurisë së tij për regjimin e saj të Aparteidit.

Vetë Musk ndihet i lidhur me këtë lëvizje teknokratike. Ndaj duhet të jemi të alarmuar nga ngjashmëria e projekteve. Në këtë botë, asgjë nuk është e shenjtë, madje as kufijtë. Rendi post-kolonial, mbështetet në cilësimin e kufijve si disa vija të thjeshta që mund të zhvendosen sipas dëshirës.

Nëse dikush dëshiron të parandalojë që gjithçka të bjerë në despotizëm, kufijtë përcaktojnë hapësirat dhe identitetet kulturore që duhen mbrojtur. Ose Trump nuk e kupton këtë, ose e kupton shumë mirë, dhe është gati të kërkojë zgjerimin pa kufij të SHBA-së. Ky do të ishte skenari më i keq./Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”

rreziku i ndryshimit të kufijve

Lini një Përgjigje

Editorial