TAGS-AT E JAVËS

Editorial13 Janar 2025, 14:58

Kur patriotizmi bëhet streha e fundit e maskarenjve

Shkruar nga Alessandro De Nicola

 

Kur patriotizmi bëhet streha e fundit e maskarenjve
Presidenti amerikan në largim, Joe Biden /

Atje ku kalojnë mallrat, nuk kalojnë ushtritë...

Bota po i përjeton me habi, mosbesim dhe nganjëherë me tmerr, deklaratat e Donald Trump, i cili tani po kërcënon të vendosë sanksione ekonomike apo tarifore ndaj gjysmës së botës.

Por është administrata në largim e Biden, ajo që i ka dhënë së fundmi i një goditje tjetër - që s’ka gjasa që të mbetet e izoluar - ndaj rendit global liberal, i cili ka siguruar për dekada zhvillimin e Perëndimit dhe vendeve që dolën nga varfëria.

Në fakt, një nga parimet kryesore të këtij rendi, është që jo vetëm mallrat duhet të jenë të lira për të lëvizur nga njëri vend në tjetrin, duke i shpërblyer konsumatorët dhe prodhuesit më efikasë, por edhe kapitali. Dhe lëvizja e tyre e lirshme, nënkupton

të investosh aty ku janë mundësitë më të mira, të krijosh mirëqenie dhe zhvillim. Natyrisht, lëvizja e shumave të mëdha të parave në një kohë shumë të shkurtër, mund të krijojë ç’ekuilibra dhe shqetësime financiare. Megjithatë ky nuk është rasti kur paratë përdoren për një investim publik specifik, që është subjekt i shqyrtimit nga autoritetet mbikëqyrëse.

Si për shembull kur blen një kompani. Edhe pse nuk jetojmë në një botë të përsosur apo pa tensione gjeopolitike, blerjet e kompanive i nënshtrohen gjithashtu disa kufizimeve të dobishme, jo vetëm për të shmangur një përqendrim të tepruar të kompanive që krijon shumë fuqi në treg, por edhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare.

Vetëm një alien do të mendonte se në emër të tregtisë së lirë, Vladimir Putin duhet të lejohet të bëhet aksioner kryesor i një banke të madhe perëndimore. Apo që  Ajatollahët e Iranit të blejnë një industri armatimi.

Por për fat të keq, siç na e kujtoi shkrimtari anglez Samuel Johnson në shekullin XVIII “patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”: Sa herë që dikush nuk ka argumente të arsyeshme, ai strehohet te patriotizmi, duke e ngritur atë në një ndjenjë irracionale, për të justifikuar çdo lloj shkelje të ligjit.

Kjo është ajo që po ndodh në Shtetet e Bashkuara me blerjen e propozuar të US Steel, një gjigant amerikan i prodhimit të çelikut, nga Nippon Steel, një prodhues japonez i çelikut. Vendet që prodhojnë aktualisht më shumë çelik janë Kina (1 miliard ton në vit), India (140 milionë), Japonia (87 milionë) dhe SHBA-ja (81 milionë).
US Steel përfaqëson vetëm 1/5 e prodhimit amerikan, dhe mbijeton vetëm falë tarifave të importit të çelikut, që janë vendosur nga administratat Trump dhe Biden, përndryshe s’do të ishte më konkurruese në treg.

Nuk ka dyshim se këto tarifa e kanë rritur koston e prodhimit të çdo lloj produkti që përdor çelik në Amerikë, nga ndërtesat tek makinat. Blerja nga Nippon ka shumë kuptim ekonomik dhe financiar, duke garantuar para, njohuri, teknologji dhe kursim kostosh.

Në fakt bordi i drejtorëve të US Steel e mbështeti me entuziazëm. Por kush e kundërshtoi? Sindikatat në të majtë dhe sovranistët ekonomikë në të djathtë. Të parët i frikësohen humbjes së kushteve ekonomike të dakorduara me punëdhënësin amerikan në favor të punëtorëve si dhe fuqisë së tyre brenda fabrikës, ndërsa të dytët depërtimit të të huajve në ekonominë amerikane, e cila vështirë se përputhet me sloganin “MAGA! ” .

Prandaj, mënyra më e mirë për të bllokuar gjithçka, ishte sjellja si ata maskarenjtë që përmend Samuel Johnson, duke përmendur arsyet e ”sigurisë kombëtare”, një justifikim ky patetik duke pasur parasysh se si Sekretari i Shtetit Blinken ashtu edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Biden, Jake Sullivan, janë në favor të operacionit. Vetoja është aq e paarsyeshme, sa që si US Steel, ashtu edhe homologët e saj japonezë (Tokio është gjithashtu një aleat i ngushtë i Uashingtonit) kanë apeluar në Gjykatën e Apelit për ta anuluar vendimin si jonormal.

Kjo sjellje, që është e destinuar të përshkallëzohet me hyrjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë, duhet të jetë alarmante edhe për politikanët evropianë dhe për kryeministren tonë Meloni kur ëndërrojnë për “kampionët evropianë” të industrisë, apo kur shtrëngojmë të ashtuquajturat rregullore të Fuqisë së Artë.

Ky ligj i lejon qeveritë të parandalojnë blerjet në të ashtuquajturit sektorë strategjikë. Por në fillim, ai u hartua për arsye të sigurisë kombëtare, kundër blerësve në sektorët “problematike”, dhe për disa aktivitete sipërmarrëse shumë specifike.

Pas zhvillimeve të ndryshme në fushën e rregulloreve, sot është një mrekulli nëse blerja e një dyqani ushqimor në Teramo nga një baxho në Pescara, nuk kalon nën kontrollin e qeverisë italiane. Megjithatë, ata që përdorin shpatën ndaj të tjerëve, vdesin edhe vetë prej saj.

Ne italianët, që u bllokuam disa vite më parë nga një operacion i rëndësishëm i Fincantieri në Francë, dhe që tani me Unicredit po e shohim veten të penguar në Gjermani me justifikime nga më absurdet, duhet të jemi më të ndjeshëm se të tjerët në kuptimin e rreziqeve të proteksionizmit, që nuk prekin vetëm kapitalin, por edhe mallrat.

Dhe e dimë se eksportet janë sektori më nxitës i ekonomisë sonë. Në dallim  nga disa prej aleatëve të saj, kryeministrja Meloni kuptoi shpejt avantazhet politike të atlantizmit dhe evropianizmit. Tani duhen përshkuar kilometrat e fundit dhe mbrojtur tregtia e lirë: atje ku kalojnë mallrat, nuk kalojnë ushtritë./Përshtati Pamfleti nga “La Stampa”

patriotizmi streha e fundit e maskarenjve

Lini një Përgjigje