Si u kapen rob tre policët e Kosovës që nuk ka kush ti mbrojë?
Prapë i arrestuan. I qon për lesh e kthehen të qethur! Kështu duhet të jetë ajo fjala e moçme, për policët specialë kosovarë, të cilët brenda territorit të tyre kapen si delet, e qethen (turpërohen) para medias. rrëmbehet një civil, një i pambrojtur. Një ushtarak me uniformë, i armatosur, nuk rrëmbehet. Kapet rob.
Nuk është hera e parë që policët e Serbisë i kanë kapur në befasi, në gjumë, policët e Kosovës. Edhe herën e parë, ishin “qethur” nëpër media, të shtrirë përmbys dhe të çarmatosur. Kryepolici Daçiç, këtë sport e praktikon me raste. Në të dyja rastet thuhej se policët e Kosovës kishin kaluar në territorin e “Serbisë Qendrore”. Pra nuk pranohej që policët të ishin kapur brenda territorit të Kosovës, as që e kishin kaluar kufirin e Kosovës. Ata nuk njohin shtet, as kufi. Serbia do normalizim pa kufi, “Ballkan të Hapur”.
Tash, nëse janë kapur në pjesën serbe të kufirit, ata janë arrestuar, ndërkaq nëse janë kapur këndej atëherë janë kapur rob. E para, sepse, Policia e Kosovës nuk ka autoritet andej kufiri dhe e dyta as autoriteti i policisë së Serbisë nuk vlen në territorin e Kosovës. Kështu duket “normaliteti” për ne, por jo edhe për Serbinë.
Falë zotit dhe miqve tanë dhe atyre të Serbisë, edhe kësaj radhe situata u tejkalua disi. Policët, janë liruar nga paraburgimi dhe ndodhën këndej kufirit. Ndaj tyre është ngritur aktakuzë. Gjykata serbe e lejoi që ata të mbrohen në liri edhe përkundër faktit se e dinin që nuk kthehen më në atë gjykatë. Kështu, për Serbinë zyrtare policët kosovar mbeten të akuzuar, fajtorë, derisa lënda të vjetrohet, ndërsa për Kosovën zyrtare ata mbeten të rrëmbyer.
Nga bashkësia ndërkombëtare po kërkohet që ky akt të cilësohet si kriminal dhe të gjykohet.
A është ngritur padi nga prokuroria kosovare për diversantët që kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe kanë kapur rob tre polic kosovarë?
Fatkeqësisht me këtë çështje po të merret vetëm politika!
Lëre fare! Shpëtuam deri radhën tjetër. E falënderojmë në radhë të parë Republikën e Serbisë që i liroi tre policët jo-specialë të Kosovës të mbrohen në liri, të kthehen tek familjet. Deri në herën e radhës, kur Daçiç të vendosë të përqeshë Policinë e Kosovës, të dy palët do të merren me thashetheme dhe akuza të ndërsjella, pasi nëse nuk sqarohet kjo punë, nëse nuk merren zotime me ndërmjetësim ndërkombëtar, kjo do të ndodhë sërish. Asnjë polic kosovar nuk mund të jetë i sigurt. Nëse i nxjerrim në rrugë të pa armatosur ndoshta edhe mund të kërkojmë nga ndërkombëtarët që të mbrohen të drejtat dhe liritë e tyre, por të armatosur më nuk duhen dërguar “për lesh”.
Nejse, e falënderojmë edhe presidentin hungarez Orban, që e luti presidentin serb që policët të lirohen. Nuk na pëlqyen arsyet për të cilat ai e luti, por sidoqoftë lutjes për mirë, nuk i duhen parë dhëmbët.
E falënderojmë edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama për kontributin dhe ndikimin e madh te Aleksandri. Ndoshta mund të ketë qenë vendimtare lutja e tij. Falënderojmë edhe të gjithë miqtë e tjerë të Presidentit Serb të cilët u bënë fjalëmirë dhe i shpëtuan tre policët e shkretë.
Nga miqtë tonë falënderojmë vetëm SHBA dhe atë që nuk po e humb durimin në krejt këtë tollovi ballkanike.
Sidoqoftë, duhen zbardhur rrethanat e rrëmbimit të policëve tanë. E para që duhet sqaruar është vendi ku u kapën, pastaj si u kapën. Nëse i kanë kapur andej kufirit, duhet pranuar gabimi, e nëse i kanë kapur këndej atëherë duhet sqaruar si u kapën tre polic të armatosur në krye të detyrës dhe kush mban përgjegjësi për këtë. Ishin të pa shkathët apo të pa motivuar të kryejnë detyrën e tyre?
Gjithsesi, në mediat vendore duhet të zbardhet rrëfimi i tre policëve tonë të kapur.
Qytetarët, pavarësisht etnisë, kanë nevojë të dinë se Policia e Kosovës mund t’i mbrojë dhe se e ka detyrë ta bëjë këtë. Nuk insistoj që policët duhet të përgjigjen pse nuk rezistuan, por në zonat me rrezikshmëri të lartë duhet të dërgohen vetëm polic të përgatitur, të motivuar dhe ata të marrin vetëm përgjegjësi që mund të u dalin zot.
Ta përmbyllim argumentimin duke u nisur prej një logjike të thjeshtë: nëse e kemi një kufi me Serbinë, ai duhet respektuar nga të dyja anët, pra fillimisht ne dhe i njëjti duhet të kalohet vetëm me lejen e autoriteteve. Me mjetet diplomatike, politike e ligjore duhet ta detyrojmë edhe palën tjetër ta respektojë. Në vend të llafeve të politikës duhet të reagojë prokuroria.../Pamfleti
Lini një Përgjigje