
Nyja e lidhur kosovare dhe shpata e ndryshkur e Evropës
Nyja është lidhur sërish. Shpata e ndryshkur e Evropës nuk e pret dot, as ndërmjetësuesit nuk po kanë fuqi ta zgjidhin.
Serbia zyrtare po blen kohë duke lidhur nyje pas çdo përparimi të bisedimeve për normalizim. Sapo aprovohen parimet, shkelen. Kosova zyrtare kërkon dorëzimin e personit që organizoi dhe udhëhoqi sulmin në Manastirin e Banjës, të cilësuar si terrorist edhe nga bashkësia ndërkombëtare, por Serbia refuzon.
Presidenti i Serbisë, si thotë ai vet, nuk është se nuk do që të dorëzojë organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit mbi Policinë e Kosovës, edhe pse ky sulm në fakt ishte vetëm hyrje në një kryengritje të armatosur, të planifikuar mirë dhe të ekzekutuar me gjasë nën mbikëqyrjen e plotë të strukturave serbe të sigurisë. Ndoshta mund të jetë drejtuar edhe prej miqve të tyre nga jashtë, që tashmë janë brenda Serbisë dhe diktojnë në hije politikën serbe. Por, Presidenti serb thotë se ka një problem formal. Nuk mund të ja dorëzojë terroristët, si i quan Kosova zyrtare, një shteti që nuk e njeh.
Nuk ua dorëzon dot as ndërmjetësuesve evropian, as EULEX-it, as KFOR-it, sepse nuk ja dorëzon dot drejtësisë kosovare. Kështu pat ndodhur pas atentatit të Sarajevës, kur Austro-Hungaria kërkonte dorëzimin e atentatorëve që vranë princin Ferdinand, dhe mosdorëzimi u bë pretekst për luftë.
Cili është kuptimi i këtyre fjalëve?
Është lojë me fjalë kjo, apo politikë e imponuar për të rrëshqitur në një konflikt?
Me kë po negocion BE, SHBA dhe Kosova?
Me Serbinë, apo me partnerin e saj strategjik, me të cilën perëndimi është në luftë?
Por Rusia asnjëherë nuk e ka kundërshtuar përfshirjen e Serbisë në BE, madje do të donte të kishte një aleat aq besnik në BE për të hapur konflikte të brendshme.
Rusia nuk ishte as kundër integrimit të Ukrainës në BE, por nuk lejoi që ajo të integrohet në NATO. Pra, Rusia nuk e do as Serbinë në NATO dhe këtu vijmë deri te pikat e përbashkëta të Rusisë, Serbisë dhe ish administratës Trump, për të cilën serbët dhe rusët kanë shpresa të kthehet sërish në Shtëpinë e Bardhë.
Rikthim eventual i ish presidentit Trump, padyshim që do të dobësonte NATO-n dhe do të ndalte hovin e integrimeve kontinentale dhe procesin e globalizmit në përgjithësi. Do të forconte kombet e mëdha, do detyronte aleancat mbi këto baza në përmasa planetare, do të hapte negociatat/konfliktet për shtete etnike dhe do të shpërbënte kombet e paqëndrueshme apo shtetet multi - etnike nëpër botë.
Gjithsesi kjo përpos presidentit serb do të gëzonte edhe politikanë të tjerë anti-globalist, nacionalist me një fjalë konservativ.
Në fund të fundit, bota do të ecë përpara gjithsesi, çështja është vetëm nëse do të ecë me bashkëpunim, integrime dhe identifikim të njeriut me planetin, apo me konflikte të njeriut për territore, të trashëguara apo të synuara nga të parët mitik, identifikim të njerëzve me besimet e tyre mesjetare dhe mitet nacionale për të cilat duhet të luftojnë?
A nuk ka një ngjashmëri Jerusalemi arab dhe Jerusalemi serb, në nivel historik dhe simbolik?
E pushton një qytet, apo vend e bën qendrën shpirtërore të besimit tënd, pastaj e bënë motiv për luftën fetare.
Kleronacionalistët serb e quajnë Kosovën “Jerusalemi serb” në bazë të disa manastireve të ndërtuara mbi themelet e atyre që i kishin djegur pas pushtimit dhe pas konvertimit të dhunshëm në “besimin e vërtetë”.
Por, sulmi në Kosovë, me sulmin po aq të organizuar mbi Izraelin, duke ditur marrëdhëniet historikisht të shkëlqyeshme në mes të liderëve palestinez dhe atyre serbo/jugosllav, hap një shqetësim përmasash shumë më të mëdha, nëse po bëhen përpjekje të dëshpëruara për të ndezur çdo vend që mund të ndizet dhe i cili prek interesat amerikane dhe evropiane. Pra, kishte ndërlidhje në mes sulmit të përgatitur mbi Kosovën me sulmin që u zhvillua mbi civilët në Izrael? Ishte ky një skenar për çlirim të vendeve të shenjta dhe hapje të gjitha konflikteve dhe shpërndarje të NATO-s dhe ushtrisë amerikane në terren?
Apo thjesht, Presidenti serb e ka humbur rrugën mes dëshirës evropiane dhe rrezikut rus? Aq sa desha ta krahasoj me “Udhëheqësin” e verbër serb të cilin e ndjek një masë po aq e verbër, sikur të mos kishte një mospërputhje faktesh.
Në fakt “Udhëheqësi” , personazhi i shkrimtarit serb Domanoviç, ishte një njeri i zakonshëm, i heshtur, i verbër me të vërtetë, por për të cilin populli i ndodhur në vështirësi besonte se e shihte më së miri rrugën përpara vetes. Askush nuk e di nëse Presidenti serb e sheh rrugëdaljen, por të gjithë e kanë të qartë se nuk është aspak i heshtur, as ... i verbër. Ndoshta vetëm do të blejë kohë?
Përse i duhet koha, presidentit serb?/Pamfleti
Lini një Përgjigje