Dje, Edi Rama e varrosi thellë në tokë shëmbëlltyrën e vet...
Votat e këshilltarëve bashkiakë të Tiranës për të shkarkuar Erion Veliajn, pasdreke e së martës, janë shumë më tepër sesa një bindje e verbër e disa njerëzve pa moral ndaj kryeministrit të tyre.
Kushdo që mundohet të analizojë fakte sesi arriti deri këtu Lali Eri, t'i atribojë arsyet e burgosjes së tij, fuqizimit në parti apo rrezikun qe Rama ndjeu prej grupit që Erioni kishte mbledhur rreth vetes, gabohet.
Rama ka frikë të një tjetër lloji nga Erion Veliaj. Frika e tij nuk ka lidhje me pushtetin a rrezikun se mos e humbet atë prej Erionit.
Edi Rama sheh shëmbëlltyrën e vet tek Erion Veliaj. Dhe ky është makthi më i madh për një diktator si ai.
Erion Veliaj u shkarkua me vota unanime nga një Këshillit Bashkiak që e kishte ndërtuar me kujdesin e një nëne për pjellën e vet. Figura politike pa bosht, pa ideale, pa moral, pa flamuj të qartë, të ardhur ca nga selitë e Ilir Metës, ca të Ramës, ca të Mjaft-it e të programuar për ta brohoritur sa herë që Lali të kishte nevojë.
Njësoj si njerëzit e Ramës.
Ata votuan për ta shkarkuar nga detyra me argumentin e mungesës në punë dhe as pranuan ta dëgjonin ish-padronin e tyre. I mohuan të drejtën për tu mbrojtur. Duket paradoks për vendin ku është katandisur Shqipëria, të mbrohet teza e të drejtave të njeriut apo ajo e prezumimit të pafajsisë! Të njëjtit njerëz që qëndruan plotësisht indiferentë kur 5D dolën zbuluar e ata, bashkë me Lalin, ngrinin supet duke mohuar e duke u çuditur sikur nuk dinin asgjë. Të njëjtët që firmosën e duartrokitën për koncesionet e trajtimit të plehrave që nuk ekzistojnë, për mafian e ndërtimit që ka mbushur sheshet, ndërmarrjet e bashkisë të ndara sipas klaneve, heshtën.
Njësoj si Edi Rama me hajdutët e skuadrës së tij.
Erion Veliaj ka shumë mëkate për të dhënë llogari. Për të ka prova se ka bashkëpunuar me mafian më të rrezikshme në botë, se ka abuzuar me mikiarda lek të buxhetit të shtetit, ama gjendet në burg për fustanet dhe të brendshmet e së shoqes. I është privuar liria edhe pse ka pasur të gjitha të drejtat ligjore e jo vetëm që të gjykohej i lirë.
Për të u përdor e njëjta formule si për çdo armik të Edi Ramës.
Erion Veliaj, mesditën e së martës u dogj përfundimisht si figurë publike dhe politike. Tanimë vendimi i gjykatës ka pak ose aspak rëndësi. Ai nuk do të arrijë kurrë ta marrë veten pas kartonëve të ish-njerëzve të tij besnik që e shitën ditën për diell tek monstra më e keqe e pushtetit. Sepse e hëngri, sozia e tij mëmë, frymëzuesi shpirtëror, shembulli që ndoqi pikë për pikë për të krijuar figurën e vet politike, njësoj monstruoze sa ai që e krijoi.
Erion Veliaj, nuk e kuptoi në kohë se ishte bërë mishërim i babait shpirtëror, Edi Rama. Gabimi i tij taktik në këtë krijim, nuk spektakli i shëmtuar që jepte çdo ditë e as hajdutëria.
Ajo çfarë Erion Veliaj nuk e kishte llogaritur është se diktatorët e llojit të Edi Ramës nuk e pranojnë dot që shëmbëlltyra e tyre të marrë frymë e të ketë jetë. Ky është makthi i tyre më i keq. Nëse hajdutët që kanë dalë nga qeveria e tij, nuk kanë qenë kurrë problem për të, Erionit ai ia hapi varrin vetë personalisht. Me durim, me thonj e duke u përpëlitur me tmerr, ia bleu një nga një shokët, i mori afër vetes e i detyroi të ngrinin kartonat jeshil dhe duke e lënë plotësisht vetëm. Të martën, Edi Rama e varrosi thellë në tokë shëmbëlltyrën e vet. Më në fund!/Pamfleti
Sa e shëmtuar është politika në Shqipëri. Sa të shëmtuar janë disa njerëz që, si korba, rrinë në krye vetëm për të pritur rënien tënde, që më pas të ushqehen me “kufomën” tënde. E gjithë kjo më sjell ndër mend romanin e Kadaresë Pasardhësi. Dje nuk u respektua vullneti i popullit, për të cilin këta politikanë betohen sa herë fitojnë mandate. Është për të ardhur keq për Shqipërinë dhe shqiptarët, që politika është katandisur në këtë gjendje. Mjerë ne.