TAGS-AT E JAVËS

Editorial31 Gusht 2024, 16:42

‘Dushi i Ftohtë’ i Edi Ramës në Dajt: Ministrat që pritet të kryqëzohen!

Shkruar nga Pamfleti
‘Dushi i Ftohtë’ i Edi Ramës në Dajt: Ministrat
Edi Rama /

Edi Ramës i ka ‘hasur sharra në gozhdë’, pasi jo vetëm që nuk duan të ikin Fatmir Xhafa e Pandeli Majko me shokë, por edhe të ikurit po rihyjnë në skenë me dinastitë e tyre...

Edi Rama do të startojë nesër, fazën e parë të “prerjes së kokave”, për të mbajtur me gajret njerëzit në prag të fushatës elektorale të vitit të ardhshëm.

Siç mësohet, në një spektakël, gjoja ambjent pune, Rama ka thirrur në skenë jo vetëm anëtarët e qeverisë, por edhe zëvendësministrat e drejtorët e drejtorive. Për të cilët ka përgatitur një material, në formën e një dushi të ftohtë ndaj disa ministrave dhe dikastereve të rëndësishme.

Burimet theksojnë se, materiali që është përgatitur nga drejtoria e komunikimit, është një monitorim i hollësishëm prej verës së shkuar e deri më sot, mbi postimet e ministrave, zëvendësministrave, drejtorëve të drejtorive, mbi punën e tyre dhe të dikasterit të tyre.

“Propaganda byro” e Ramës, ka sajuar një material me video, ku bën të ditur se të gjithë udhëheqësit e mëdhenj të botës, duke nisur nga shefa shtetesh apo krerë organizatash si NATO, BE etj, bëjnë në ditë mbi 5 postime për të treguar punën e tyre, opinionet, si dhe interaktivizohen me qëndrimet apo zhvillimet e ndodhura.

Sipas Ramës, mungesa e një aktiviteti të ministrave në rrjetet sociale, do të thotë se nuk kanë bërë asgjë atë ditë, si dhe nuk kanë një plan për të komunikuar me publikun në lidhje me zhvillimet e ditës.

Për analizë, është marrë metoda e krahasimit, ku disa ministra të vendeve të ndryshme të Europës, gjatë harkut të një viti kanë komunikuar me publikun, krahasuar me ministrat tanë aktualë.

Siç mësohet, ministritë më të kryqëzuara për këtë aktivitet janë ministria e Arsimit, ministria e Shëndetësisë, ministria e Financave, ajo e Drejtësisë, ndërkohë që më e lavdëruara është dikasteri i Transporteve dhe Energjisë.

Pikërisht kjo pjesë e raportit, do të jetë prezent, edhe në mbledhjen e asamblesë kombëtare, ku Edi Rama pritet të kryqëzojë thuajse shumicën e grupit parlamentar, që siç thuhet do ta rinovojë nga themelet.

Pra, analiza që mazhoranca apo më mirë kryeministri bën, nuk janë punët, afatet, realizimi i objektivave apo mënyra e administrimit të fondeve publike.

Pikërisht ky është mentaliteti i kësaj qeverie, që nuk i interson fare thelbi apo auditet e raporteve të institucioneve të pavarura siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të analizuar performancën. Edhe diktatura e Enver Hoxhës, ishte më e ndjeshme ndaj harxhimit të parave, madje të degdiste në burg për deficit dhe sufucit, duke e pasur Komisionin e Kontrollit dhe revizionimit të Planit të Shtetit, një nga dikasterët më të rëndësishme të qeverisë.

Ndërkohë, në shtetin e Edi Ramës, rëndësi apo vlerësim merr nëse bën postime të ndjeshme, video me karagjozë, por jo sa janë realizuar investimet dhe sa janë kursyer fondet publike.

Të gjitha projektet dhe investimet e qeverisë janë vonuar përtej të gjitha kalendave. Në mënyrën më skandaloze, Rruga e Arbrit ka zgjatur 12 vjet dhe nuk dihet kur do të përfundojë. Kjo është dëshmi pikërisht e papërgjegjshmërisë ekstreme të kësaj mazhorance në raport me votuesit që i kanë dhënë besimin për 3 mandate.

Megjithatë, mësohet se në analizën që do të bëhet në asamble në lidhje me deputetët, Rama ka përgatitur një material që mund të quhet i hajrit.

Ka marrë fotot e marra nga fotoreporterët e Parlamentit që çdo javë dalin në media si paradë luksi e deputeteve dhe deputetëve të mazhorancës. Ky panair kotësie pritet të konsiderohet nga Edi Rama një skandal i madh, pasi ndan deputetët me popullin përmes luksit, e të gjithë këto deputetë apo deputete që janë shfaqur më shumë në panairin e kotësive, do të marrin karton të kuq. Që do të thotë se nuk do të kandidohen vitin tjetër.

Ndërkaq në lidhje me largimet e senatorëve, situata është më pak e komplikuar. Lindita Nikolla dhe Vullnet Sinaj pritet të jenë të parët që do ta shpallin moskandidimin, me logjikën për të nxitur efektin domino.

Por pikërisht këtu, Edi Ramës i ka ‘hasur sharra në gozhdë’, pasi jo vetëm që nuk duan të ikin Fatmir Xhafa e Pandeli Majko me shokë, por edhe të ikurit po rihyjnë me dinastitë e tyre.

Influenca e Gramoz Ruçit, me klanin e tij apo emërimi i djalit të Servet Pëllumbit në krye të PS-së, ku nuk ka qullosur gjë për 2 mandate, ka nxitur të tjerët të kërcënojnë me prishjen e paktit të heshtjes. Ndaj edhe Rama po nis të bëjë qoka që kërcasin. Siç është ai i emërimit të djalit së Rexhep Meidanit, Denionit, pa asnjë përvojë diplomatike, si ambasador në Maqedoninë e Veriut. Po lista është e gjatë, e pritet të ketë edhe dinasti të tjera të parvenysë socialiste. Me një fjalë siç thonë francezët “Gauche caviar”./Pamfleti

edi rama dush i ftohtë dajt ministrat që kryqëzohen

Lini një Përgjigje