
Operacioni pritet të kryhet në vazhdën e analizës së qeverisë që do të mbahet këtë fundjavë në Himarë
Edi Rama pritet që në shtator të kryejë një tjetër ndryshim të ri në qeveri. Kështu thonë zërat brenda mazhorancës që i referohen një qarkullimi emrash të rinj në disa dikasterë të rëndësishme.
Sebepi i këtyre ndryshimeve thuhet se do të jetë një emërim i pritshëm i Igli Hasanit në kupolën e OSBE-së, ku siç duket është arritur lobimi për këtë post.
E në këtë rast, pritet që në krye të diplomacisë shqiptare të emërohet një emër i ri që vjen bujshëm nga katedrat e universiteteve më të rëndësishme Europiane.
Po qarkullon në këto ditë emri i Lea Ypit që është profesoreshë në London School of Economics dhe filozofe e njohur dhe autore librash. Madje autobiografia e saj është kthyer në një best seller, e mbështetur edhe nga Edi Rama që ja ka dhuruar librin personaliteteve të larta në botë.
Për zonjën Ypi është folur se Rama e ka menduar si një pasardhëse e mundshme e tij në Partinë Socialiste.
Ndërkaq, një dikaster që do të ndryshojë menjëherë do të jetë ministria e Brendshme, ku po përflitet një prokuror i njohur për ta marrë këtë post së shpejti. Ky emërim do të mbetet sërish në kuadrin e një ministri jo politik nga PS, në kuadrin e zgjedhjeve të reja.
Ka zëra për një ndryshim në arsim, ndërkohë që po flitet për një dikaster të ri që të mbulojë çështjet e diasporës.
I gjithë operacioni pritet të kryhet në vazhdën e analizës së qeverisë që do të mbahet këtë fundjavë në Himarë, ku Edi Rama do të flasë për një rifreskim të kabinetit jo vetëm në rolet e ministrave por edhe më gjerë. Ndërkaq, ka nisur një diskutim i emrave që po përfliten për kandidatë për deputetë, ku zërat janë për një rinovim jo 30 po gati 40 për qind i listës aktuale.
Ndërkaq, ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla që sot është ministër për Marrëdhënien me Parlamentin, po përflitet sërish për një post të rëndësishëm./Pamfleti
Lini një Përgjigje