TAGS-AT E JAVËS

Editorial24 Gusht 2024, 12:00

Mizanskenat paranojake të Edi Ramës me kryediplomaten e SHBA në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

Mizanskenat paranojake të Edi Ramës me kryediplomaten e SHBA në

Metafora e “vilës së Mehmet Shehut”, duket se është pjesë e paranojës, e ka dashur të thotë diçka, ose edhe të ushqejë teoritë konspirative.

Nancy VanHorn, është e ngarkuara e re me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Ajo do të drejtojë selinë diplomatike të Uashingtonit derisa të mbërrijë ambasadori i ri i plot fuqishëm, David J. Kostelancik.

I cili sipas të gjitha gjasave vjen në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit. Muaj kur edhe sipas legjislacionit të SHBA konsiderohet fillimi i vitit buxhetor.

Përkatësisht ai vjen me buxhetin e ri për të administruar një institucion, i cili është shumë i fuqishëm dhe menaxhon burime të rëndësishme njerëzore e natyrisht financiare, për të realizuar qëllimet politike e diplomatike që i janë ngarkuar.

Zonja Nancy VanHorn, u dërgua për të përgatitur terrenin si dhe për të shërbyer tranzicionin e akreditimit të një ambasadori të ri, i cili ka një plan pune dhe padyshim një axhendë që do të hapë një kapitull të ri të SHBA në Tiranë.

E ngarkuara e re, zonja VanHorn, është takuar me të gjithë drejtuesit e shtetit shqiptar, çka është pjesë e protokollit diplomatik. Me Presidentin dhe kreun e Kuvendit ajo u takua në zyrën e tyre, ndërkaq, nuk ndodhi njëjtë me Edi Ramën.

I cili ka ardhur nga Dhërmiu ku po pushon për të zhvilluar audiencën e planifikuar në protokoll. Por kryeministri nuk e ka pritur diplomaten e re amerikane në zyrën e tij në kryeministri, çka është jo vetëm normale por edhe pjesë e rregullit.

Rama e ka kryer takimin zyrtar në vilën 30, një rezidencë qeveritare pranë Kryesisë së Kuvendit, e cila njihet si “Vila e Mehmet Shehut”. Zakonisht Rama kryen në atë residence, takime jo formale, apo biseda që nisin me mëngjese apo dreka pune, ngaqë në vilë ka shërbim të specializuar të Drejtorisë së Pritjeve Qeveritare.
Po përse atëherë kryeministri e bëri takimin e parë me diplomaten amerikane, kur protokolli e donte të ishte formal në kuptimin e plotë të fjalës? Duket qartë se ka qenë zgjedhja e Ramës, i cili ka një mani për të trajtuar më shumë formën sesa përmbajtjen e gjërave.

Pra, kërkon e synon, që me anë të formës të japë një mesazh të caktuar, pasi sipas tij, ana vizive flet më shumë sesa fjalët.
Në këtë rast, pra me pritjen e diplomates amerikane në vilën e Mehmet Shehut, mesazhi ka synuar të jetë misterioz e të ushqejë fantazinë. Një logjikë, që merr shkas edhe nga fakti se kryeministria nuk ka përgatitur asnjë njoftim mbi takimin, e as Rama vetë nuk e ka hedhur në faqet e tij sociale, ku nxjerr gjithçka, deri edhe ristorante e bujtina. Informacionin dhe fotot mbi takimin u dhanë nga ambasada e SHBA.

Në këtë aspekt, koncepti duket se është pjesë e paranojës së Ramës me amerikanët, të cilin e demonstron herë pas here, e mundohet edhe të bëjë lëvizje bosh, si për t’ju përgjigjur.

Paranoja se janë amerikanët që do ta largojnë, e detyroi edhe të ndryshojë qeverinë në muajin e shkuar, duke shkaktuar trauma dhe probleme brenda partisë së tij. Ndaj metafora e “vilës së Mehmet Shehut”, duket se është pjesë e paranojës, e ka dashur të thotë diçka, ose edhe të ushqejë teoritë konspirative.

Njëra nga cilat që qarkullon prej vitesh është se Mehmet Shehu ka qenë i pari zyrtar komunist që ka pasur kontakte të mira me amerikanët që në vitin 1944, e (vetë)vrasja e tij në 1981, shikohet si hakmarrje ndaj kësaj gjëje.
Në publikimin e librit të gazetarit -amerikan Peter Lucas para 20 vjetëve në shqip, mbi veprimtarinë e misionit të OSS(parardhësja e CIA) në Shqipëri, ka një pasazh mjaft të rëndësishëm.

Anëtari i misionit, një ushtarak me origjinë kroate, gjatë paradës së 28 nëntorit 1944, kur qeveria e Enver Hoxhës hyri në Tiranë, e pyeti Mehmet Shehun se përse nuk tenton ta marrë ai pushtetin. Ishte njeriu më popullor në ushtri dhe më me influencë sesa Hoxha. Siç shkruan Lucas, përgjigja e Shehut ka qenë: “Politic it’s not my job (politika nuk është puna ime). Ndërkaq, shefi i OSS në Shqipëri ishte Harry Fultz, i cili kishte drejtuar shkollën teknike në Tiranë, dhe e kishte pasur nxënës Mehmet Shehun.

Natyrisht, ish-kryeministri i komunizmit rezultoi se ishte një besnik i Enver Hoxhës, por diktatori e goditi ngaqë ishte i pushtuar nga paranojat dhe nuk donte ta linte si pasardhës. Zgjodhi Ramiz Alinë, të cilin tashmë e kishte pjesë të familjes. Mbesa e Alisë u martua me djalin e Hoxhës.

E pikërisht këtë simbol, pra të Mehmet Shehut, Edi Rama, që edhe nga pushteti i gjatë e i pakufuzuar është pushtuar nga paranojat, ka dashur t’i tregojë amerikanëve.
Ndoshta për t’i thënë se ju kështu i keni ndëshkuar njerëzit e afërt, siç jam unë që kam bërë ç’keni thënë. Apo përkundrazi, për tu bërë të ditur që mos kërkoni një “mehmetsheh” se pasardhësin tim e zgjedh unë kur dhe si të dua. Ka shumë mundësi që të qëndrojë kjo e dyta.

Padyshim që janë hipoteza, por të ushqyera nga Babloku, i cili nëse do ta zhvillonte takimin siç bëjnë të gjithë, në zyrën e institucionit që drejton, e të kishte informuar korrekt dhe zyrtarisht për takimin me diplomaten amerikane, askush nuk do të gjente shtigje të tjera leximi.

Simbolika e Ramës në këtë rast, ka dashur më shumë që të flasë me amerikanët sesa me publikun shqiptar, për të cilin s’e rruan shumë.
Me këtë rast, e ngarkuara me punë e SHBA, sipas mënyrës së punës, do të ketë hartuar raportin përkatës mbi takimin me Edi Ramën, si dhe ka përshkruar vendin e zhvillimit të këtij takimi.

Ndërkaq, janë analistët e zyrës për Shqipërinë në DASH, që bëjnë deshifrimin dhe përgatisin një material më të qartë të leximit të mesazhit politik. E pas kësaj të këshillojnë apo informojnë ambasadorin e ri, i cili po trajnohet këto kohë në DASH, për atë çfarë mendon dhe ç’përfaqëson kreu i qeverisë dhe i mazhorancës.

I gjithë ky teatër bajat i Bablokut, nuk se mund të impresionojë amerikanët, por ata janë profesionistë dhe lexojnë gjithçka me detaje. Siç edhe mund të qeshin me paranojën e kryeministrit shqiptar se ambasadori i ri i SHBA ka si mision kryesor rrëzimin e tij.
E nuk është çudi që me ardhjen e tij në Tiranë të kemi qyfyre, ku do të tallen paq me 2 metroshin që ka mbushur poturet./Pamfleti

edi rama kryediplomaten e shba në tiranë

Lini një Përgjigje